Sugjerimet e librave për fëmijë janë gjithmonë të rëndësishme, pasi vijnë si ndihmë për të orientuar fëmijët, por edhe prindërit që duan libra të përshtatshëm për interesat dhe aftësitë e fëmijëve të tyre. Leximi i librave ndihmon fëmijët të zhvillojnë fjalorin e tyre, të kuptojnë strukturën e gjuhës dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre të leximit dhe të të shkruarit. Librat për fëmijë janë shpesh të mbushura me tregime fantastike dhe karaktere interesante, të cilat nxisin imagjinatën e fëmijëve kreativ. Përmes tregimeve, fëmijët mësojnë për emocionet dhe përvojat e të tjerëve, gjë që i ndihmojnë ata të zhvillojnë empatinë dhe të kuptojnë më mirë ndjenjat e tyre. Çka është më e rëndësishmja ndihmojnë në krijimin e një dashurie të qëndrueshme për leximin, që mund të zgjasë gjatë gjithë jetës. Leximi i librave së bashku me prindërit ose anëtarë të tjerë të familjes krijon momente të veçanta të afërsisë dhe përforcon lidhjet familjare.
Me qëllim orientimin në botën e madhe të literaturës për fëmijë dhe zgjedhjen e librave më të mirë për zhvillimin e tyre do të sugjeroj 12 tituj nga shkrimtarë të njohur të letërsisë shqipe
“Kapelëkuqja Diellzë” – nga Adelina Mamaqi, është një përrallë me kësulkuqjen e kohëve moderne, e sjellë në kohë dhe hapësirë. Një histori e përshtatur bukur për botëkuptimin e fëmijëve të ditëve të sotme.

“Lepurushi me dhjetë këmbë” nga Adelina Mamaqi. Ky libër me poezi për fëmijë paraqet poezi të thjeshta dhe tërheqëse, duke ndihmuar fëmijët në zhvillimin e gjuhës dhe fjalorit, ndërsa i nxisin ata të qeshin dhe të kënaqen me leximin.

“O trumcak bredharak”– Xhahid Bushati – poezi. Këtu tregohen aventurat e një trumcaku të vogël dhe të guximshëm. Përmes leximit të këtij libri fëmijët mësojnë për vlerat e kurajës, miqësisë dhe eksplorimit të botës përreth.

Seria “Bëmat e Estes dhe Kokosë” – nga Natasha Porocani. Tregime plot humor dhe situata të papritura që ndihmojnë fëmijët të mësojnë për vlerat e miqësisë përmes aventurave argëtuese.

“Arinjtë duan të fluturojnë” – Rovena Rrozhani. Ky libër frymëzon fëmijët të ndjekin ëndrrat e tyre dhe promovon mesazhe të rëndësishme për këmbënguljen dhe fuqinë e imagjinatës.

“Bukurosa e fjetur” – nga Rudina Cupi. Interesant për fëmijët pasi në çdo faqe ka historinë si dhe udhëzime për të menduar në mënyrë kritike, shoqëruar në fund me lojëra logjike.

“Djali që shikonte detin” – Viktor Canosinaj – roman. Tregohet historia e prekëse e një djali shqiptar i lindur me një talent të rrallë për pikturë. Një roman që të rrëmben e të bën për vete për ta zbuluar gjithë rrjedhën e ngjarjeve.

“Një tokësor në luftën mes planetëve” – Anila Mullahi. Ky libër roman fantastiko-shkencor tregon aventurat e një personazhi nga Toka në një udhëtim ndërplanetar.

“Njëherë e një pse?” – Inva Koçiaj. Shpjegon konceptet komplekse të shkencës dhe botës rreth nesh në mënyrë të thjesht dhe të kuptueshme.

“Tezja dhe shkopinjtë magjikë”, Edi Gogu. Një histori frymëzuese që nxit imagjinatën dhe kreativitetin tek fëmijët përmes aventurave të mrekullushme.

“President i planetit të kuq”- Bedri Dedja. Histori fantastiko-shkencore që ndjek aventurat e një grupi fëmijësh në një planet të panjohur.

“Kodramel”, Shkëlzen Zalli. Një histori, ku sjell aventurat një vajze të guximshme në një botë të mbushur plot me mister.

Përgatiti: Flori Kasaj ekspert arsimi, shkrimtar dhe studiues i letërsisë për fëmijë.
