Eni Çobani i bën gjyq publik, reagon Julian Hupi: Të vetmet të drejta që kam shkelur, janë ato të familjes time, që nuk njohin as të shtunë, as të dielë!

Home Aktualitet Eni Çobani i bën gjyq publik, reagon Julian Hupi: Të vetmet të drejta që kam shkelur, janë ato të familjes time, që nuk njohin as të shtunë, as të dielë!
Eni Çobani i bën gjyq publik, reagon Julian Hupi: Të vetmet të drejta që kam shkelur, janë ato të familjes time, që nuk njohin as të shtunë, as të dielë!

Një sqarim për sulmet e Eni Çobanit, të cilës nuk i shkova në gjyqin televiziv!

Të dashur miq, ju që më njihni e s’më njihni, ju që e keni vizituar bujtinën në kullën tonë ose jo. Dua të ndaj me ju sot një shqetësim.

U shokova kur dëgjova një sulm që kishte bërë ndaj biznesit tim familjar Eni Çobani, që bën një program në Televizionin Klan ditën e diel. Më kishte bërë një gjyq në mungesë. S’kishte lënë akuzë pa bërë, deri sa në fund më akuzonte se kam shkelur Ligjin Tregtar dhe Kodin Penal.

Shumë shkurt:
Një bashkëfshatar dhe kushuri i largët, më kishte paditur mua në gjyqin e Enit, se përse unë e quaj biznesin tim në promovimin publik “Kulla Hupi”. Arsyeja është sepse edhe familja e tij trashëgon një ndërtesë të vjetër, Kullën e Sulejman(Sul) Hupit, e cila është Monument Kulture, që prej vitit 1979. Në regjistrin e monumenteve të Kulturës qarku Dibër është regjistruar si: “BANESA E SUL HUPIT NË FSHATIN DUSHË”.

Edhe unë kam të trashëguar nga të parët e mi një ndërtesë të vjetër, të paktën 200 vjeçare, një kullë guri. Pas shumë vitesh punë në emigracion, u ktheva në fshatin tim në Lepurak-Dushaj, Bulqizë dhe pjesën që më takon të kullës time e shndërrova në një bujtinë.

Këtu fillon “lufta”.

Bashkëfshatari im shkon tek gjyqi i Enit dhe Eni me fton të dilnim “ta sqarojmë këtë punë” në studio, ditën e dielë në TV Klan. E takova me dhe për mirësjellje dhe i thashë se nuk dua të bëhem pjesë e këtyre gjërave. Nëse ka probleme, ka gjykata që i zgjidhin këto punë. Ajo më kërkoi sërish që unë të merrja pjesë ne gjyqin e saj, duke me thënë se “Gentiani- bashkëfshatari im- do të vazhdojë dhe ftesa për ty është sërish e hapur”. Unë e mbylla komunikim duke thënë se Gentianit i uroj punë të mbarë, ta restaurojë objektin që trashëgon, ta bëjë edhe më të mirë se timin dhe ta gëzojë. Unë thjeshtë i thashë, nëse më sulmoni biznesin, do ju padis. Dhe këtë zonja që e quante kërcënim.
Sepse ju atje në televizone mund të thoni ç’të doni, ndërsa kur ne që punojmë nga 18 orë në ditë, kur tentojmë të mbrohemi, quhet kërcënim!

Meqë unë refuzova gjyqin televiziv, u gjenda nën një monolog-agresiv të zonjës, duke iu drejtuar kameras në mënyrë të paprecedentë: “Shqiptarë, kjo nuk është Kulla Hupi. Julian Hupi ka shkelur ligjin, ka shkelur Ligjin Tregtar dhe Kodin Penal”.

E tmerrshme!

Si është e mundur që një njeri që ka në dispozicion një hapësirë televizive ta përdorë atë si një frëngji lufte, të sulmojë, shpifë, e denigrojë me shumë pasion dikë që guxoi të refuzojë ftesën e pjesëmarrjes në SHOW e saj mediatik.

Zonjë e nderuar!

Unë quhet Julin Hupi, pra kam mbiemrin HUPI. Kam trashëguar një kullë, një shtëpi guri të vjetër, me çertifikatë pronësie dhe me tri kate, madje dhe me një dhomëz që quhet dhoma e luftës, me frëngji ku luftonin burrat kur sulmohej kulla. Edhe katragjyshi, stërgjyshi, gjyshi, im atë dhe unë mbajmë mbiemrin HUPI. Për pasojë kjo vazhdon edhe sot të quhet Kulla Hupi. Edhe para se ta bëja bujtinë kullë i thoja, sepse ne malësorët kulla u themi shtëpive.
Ju më akuzoni në televizion se kam shkelur ligjin tregtar. Emri im tregtar ne zyrat e shtetit është “Julian HUPI P.F”. Nuk ka asnjë subjekt tjetër me këtë emër.
Ju më kërkoni llogari mua pse e quaj kullën time “Kulla HUPI”?
Po si ta quaj, Kulla Çobani? Apo mos ta quaj kullë fare, ta quaj supermarket? Apo PUB, diskotekë, si mendon ti zonjë?
Atë kohë zonjë, çdo shtëpi guri ishte në formën e kullës, sepse ne mbroheshim edhe nga serbët edhe nga njëri-tjetri. Me serbët duket se po bëjmë paqe për momentin, por me njëri-tjetrin ende. Ka nëpër fshat dhjetra kulla, Kulla e Currit, Kulla e Shahut, Kulla e Karajt… etj etj. Nuk ka “çertifikatë” se cila ndërtesë quhet kullë zonjë e cila vilë.
Kulla e bashkëfshatarit dhe bashkëkushëririt tim është edhe monument kulture, dhe ky është ndryshimi. Unë do të isha i kënaqur që edhe ajo ti shërbente turizmit të zonës tonë të varfër. Unë nuk ia kam marrë këtë status. Bile jam i lumtur që nuk e kam monument kulture, pasi të ndërhysh në një objekt-monument kulture është odise më vete.
Gjithësesi, nëse bashkëfshatari im i drejtohet gjykatës së shtetit, unë do ti përgjigjem ftestës së saj me shumë korrektesë. Unë problemet i zgjidh në gjyqin e shtetit dhe për gjyq njoh vetëm atë. Nëse ti bën SHOW televiziv, unë s’jam preje për këtë lloj produksioni, me vjen keq. Unë dhe familja ime punojmë nga ora 5 mengjesit deri në 12 të natës.

Ndaj dhe bashkë do të përballemi në gjyqin e vërtetë, jo në gjyqin tënd.

Ju që keni në dispozicion hapësira televizive, mos e konsideroni se favor, që ta përdorni për të sulmuar të tjerët, të pambrojturit, pavarësisht arsyeve. Televizioni është pushtet dhe ai që e zotëron atë pushtet duhet të tregojë pergjegjshmëri në mënyrën se si e përdor.

Në fund:

Ju e dini atë përrallën me dy fshatarët që po kthehesin në shtëpi pa asnjë kacidhe në xhep, kur gjetën shishen me Xhindin brenda.
-Më nxirrni prej këtu, dhe do ju plotësoj çdo dëshirë që të keni- u tha ai.
I pari kërkoi një lopë.
-Po ti – iu drejtua të dytit – çfarë dëshire ke?
-Merrja lopët këtij që ia dhe.

Bashkëshatarin tim mund ta mirëkuptoj në këtë këndvështrim, po ti çfarë ke me lopën time, që e kam blerë me para djerse e gjaku dhe tani që kam filluar ta mjel, më godet me gurë nga frëngjia jote televizive?

Të dashur miq!

Unë nuk kam fuqinë e një televizioni. Unë bëj një biznes familjar. Por, kërkoj ndihmën tuaj ta shpërndani këtë reagim, për tu thënë të gjithë atyre që e kanë frekuentuar bujtinën tonë, Kullën Tonë, apo atyre që thjeshtë kanë dëgjuar sulmet e bëra ndaj meje, se jam një njeri që të vetmet të drejta që kam shkelur në këtë botë, janë ato të familjes time, njerëve të mi, që nuk njohin as të shtunë, as të dielë!

Marrë nga Facebook-u i Kullës Hupi.

https://www.facebook.com/share/p/eZ3hKqDdoXGDCSKq/?mibextid=WC7FNe