Muzeu Etnografik i Krujës, monument kulture i kategorisë së parë (I), është rihapur për publikun pas përfundimit të punimeve restauruese të realizuara pas dëmtimeve të tërmetit të 2019-ës.
Ky sit mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore është rikonceptuar tërësisht, duke u bërë më i kuptueshëm dhe aksesueshëm, ndërsa përdorimi i multimedias është një risi. Në muze ka një dhomë virtuale veshjesh, udhërrëfyes audio ose tableta që shfaqin riprodhimin vizual të zanateve ose projeksione video mbi punimin e qeramikës.
Në ceremoninë e inaugurimit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se Qendra Muzeore Krujë, ku përfshihet Muzeu i Gjergj Kastriotit dhe Muzeu Etnografik, është vizituar në 75 mijë ose me 110% më shumë, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023-shit.
“Të dhënat e deritanishme tregojnë se segmenti i turizmit kulturor ka shënuar rritje edhe më të fortë sesa sektori i turizmit në tërësi në vend. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i vizitorëve në institucionet kulturore është rritur me 70%. Ndërsa Qendrën Muzeore Krujë, ku përfshihet Muzeu i Gjergj Kastriotit dhe Muzeu Etnografik që po inaugurojmë, numri i vizitorëve është rritur në 75 mijë ose me 110% më shumë, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023-shit.
Një rritje e tillë e jashtëzakonshme e ka pikënisjen në vizionin që nisi të bëhej realitetet për Krujën 10 vjet më parë, kur nisi rehabilitimi i plotë i Pazarit. Falë atij investimi, Pazari është shndërruar sot në qendrën më të rëndësishme të artizanatit në Shqipëri, me punimet e tezgjahut, kostumet popullore, punimet e filigranës dhe ato të bakrit”, u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, tha se po aq i rëndësishëm sa restaurimi i siteve kulturore, është edhe përçimi i kësaj trashëgimie tek të rinjtë.
“Muzeumi nuk duhet thjesht të shfaqë atë që kanë bërë ndër shekuj artizanët shqiptarë, por edhe të ruaj aftësitë, teknikat që janë përdorur për të sjellë në jetë objektet kaq të bukura që unë preka sot. Duhet të jetë një vend që kjo trashëgimi kulturore e Shqipërisë të përçohet, mos të humbasë. Këtu shikojmë lidhjen me projektet e tjera që ne kemi financuar.
Edhe këtu në zonën e Krujës, synimi të cilave është mbështetja për artizanët dhe që aktivitetet e tyre të kenë peshë ekonomike. Si mund ti bindim ne të rinjtë të investojnë në këto teknika të reja në rast se ne nuk i ndihmojmë dot që këto teknika të reja të ju japin të ardhmen, ekonominë”, tha Ambasadori i BE-së, Z. Silvio Gonzato
Restaurimi që zgjati afërsisht dy vjet me një buxhet prej 850 mijë eurosh të financuara nga Bashkimi Evropian.
“Ky muze është një prej 23 siteve të trashëgimisë kulturore që po i nënshtrohet restaurimit nga UNOPS dhe partnerët e vet në kuadër të programit të BE për Kulturën. Jemi të lumtur për bujarinë e Bashkimit Evropian. Jemi me të vërtetë të bindur që ky muze nuk do të pasurojë vetëm jetën e shqiptarëve por edhe do të rrisë ekonominë vendore, të krijoje mundësi të ardhurash.”, tha Drejtoresha e Zyrës së UNOPS në Austri, Freya von Groote.
Muzeu Etnografik, brenda Kalasë së Krujës, dikur ka shërbyer si rezidencë e familjes Toptani. Muzeu u ofron vizitorëve një mundësi unike për të parë jetën e përditshme të brezave të kaluar, rutinat e tyre, festimet familjare dhe ngjarje të tjera të rëndësishme.