Ka rinisur projekti kërkimor shkencor “Lin 3, gërmime arkeologjike nënujore” me ekipin shqiptaro – zvicerian në fshatit Lin në Pogradec.
Rezultatet e para dhe datimet e materialit arkeologjik të realizuara në Universitetin e Gjenevës në Zvicër me mbështetjen e Universitetit të Oxford-it në Angli, e rendisin vendbanimin palafit “Lin 3” si vendbanimin më të vjetër të kësaj tipologjie në Europë.
Gjatë këtij sezoni, arkeologët do të përqëndrohen në thellimin e njohurive mbi shtrirjen e këtij vendbanimi, kompleksitetin e ndërtimit, si dhe lidhjet e tij me sitet arkeologjike të së njejtës periudhë në pellgun e Korçës.
Përmes një postimi në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama, ka ndarë pamje nga kërkimet, ku bënë me dije se kanë nisur përgatitjet për vënien në mbrojtje dhe shpalljen e tij zonë arkeologjike, që pritet të ndodh brenda vitit 2024.
“Duke vlerësuar rëndësinë e këtij zbulimi arkeologjik, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, janë duke punuar për përgatitjen e vendimit për vënien në mbrojtje dhe shpalljen e tij zonë arkeologjike, e cila pritet të finalizohet brenda vitit 2024”, shkruan Rama.