Rikthehet Festivali i Porto Palermos, 12 netë magjike në kalanë e ‘Ali Pashës’!

Home Aktualitet Rikthehet Festivali i Porto Palermos, 12 netë magjike në kalanë e ‘Ali Pashës’!
Rikthehet Festivali i Porto Palermos, 12 netë magjike në kalanë e ‘Ali Pashës’!

Nga Armand Xhelili – Report Tv

Për të katërtin vit radhazi në Kalanë e ‘Ali Pashës’ rikthehet Porto Palermo Festival, një ngjarje kulturore që mban firmën e të mirënjohurit, artistit Olen Cesari. Më shumë se një festival, për 12 netë artistike nga 1- 18 gusht muzika do udhëheqë në perlën e rivierës shqiptare.

“Është nga ato sfidat që i kam vënë vetes. Është viti i katërt, shpresoj të kem fuqi dhe vullnet ta vazhdoj sa më shumë. Ne po bëjmë çmos të promovojmë Shqipërinë nëpër botë. E ndjej veten si ambasador jo vetëm të muzikës, por edhe turizmit. Ajo që po bëjmë në Porto Palermo po gjeneron njerëz që vijnë nga gjithë bota, barka që vijën nga bota dhe ata vënë tellallin, hapin zërin, flasin me miqtë e tyre. 5 vite më parë erdhëm këtu nuk kishte një barkë, tani Porto Palermo është plot me barka. Si realizohet, thërriten njerëz të famshëm për të kënduar, kërcyer, aktruar. Vjet njerëzit vinin nga Korfuzi për të parë koncertin në Porto Palermo Festival, nga Italia niseshin me avion për të parë koncertin. Kemi pasur njerëz nga Australia”, thotë artisti në një intervistë për Report TV.

Artistët shqiptarë dhe të huaj, ndër më të mirët e skenës ndërkombëtare dhe asaj shqiptare zbresin në Porto Palermo të enjte, të premte, të shtunë dhe të dielë nga 1 deri 18 gusht.

“Këtë vit kam fatin të kem disa perla. E fillojmë me dy mbretëreshat, dy artiste gjigande Eda Zari dhe Elina Duni. Më 2 gusht kam Marsela Çibukaj, është Vaçe Zela e re për mendimin tim në Shqipëri. Në 4 gusht kemi divën tonë internacionale Inva Mulën me një trio që ne kemi me Genc Tukiçin dhe Olenin. Ne xhirojmë botën me këtë trio, këtë koncert e çojmë në gjithë botën dhe kësaj radhe do ta sjellim në Porto Palermo. Pastaj kemi mbretin e natës Dren Abazi. Kemi Gaz Pajën, ai do vijë me miqtë e tij. Koncertin tim e kam më 17 gusht, për herë të parë kemi një gjë ndryshe. Nuk është Oleni që bën muzikë gjysmë klasike, por Oleni elektronik, jam shumë i lumtur ta eksploroj këtë botë në Kalanë e ‘Ali Pashës’, detajon artisti.

Një organizim i përmasave të tilla kërkon staf dhe struktura akomoduese.

“Unë si festival kam problem personelin. Unë nga Tirana, marr personel dhe e sjell në Himarë. Ne nuk kemi struktura që të thërrasim turizmin elitar akoma. Mesa di ka 80 mijë shtretër dhe 200 mijë turistë dhe këtu fillon problemi real”, është shqetësimi i artistit.

Por cilët janë spektatorët e Porto Palermo Festival?

“Publiku im është totalisht miks. Në koncertin e fundit kam parë një 3 vjeçare dhe dola nga skena dhe shkova e putha, kurse në cepin tjetër ishte një zonjë 93 vjeç dhe kërcente në karrige. Nuk di të them kusj është grupmosha e Olenit. Grupmosha e Olenit është populli që I pëlqen muzika e bukur’, thotë violinisti Çesari.

Përgatitjen e parë për festivalin e madh Oleni e nisi këtë të shtunë ku bashkë me një grup vullnetarësh ndërmorën nismën e veçantë për ndërgjegjësimin në ruajtjen e mjedisit “Mbrojtja e Detit tonë”, por edhe e mjedisit në Porto Palermo e Himarë duke pastruar zonën, nismë ku u bashkuan edhe shumë turistë të huaj.

12 NETË MAGIKE NË KALANË E ‘ALI PASHËS’

1 gusht Eda Zari, Elina Duni dhe Rob Luft

2 gusht Marsela Çibukaj

3 gusht Mathew Marston

4 gusht Inva Mula

8 gusht Carlos Paz (latin night)

9 gusht Manuela Villa

10 gusht Dren Abazi

11 gusht Lavina Mancusi

15 gusht Blue Bird Band

16 gusht Gaza Paja &Friends

17 gusht Olen Cesari Electro House Music

18 gusht Ivan el Sonero La Noche Cubana