Në orët e vona të mbrëmjes së të martës është ankoruar në portin e Durrësit superjahti “Moonrise”, me një vlerë prej rreth 220 milionë dollarësh.
Ora shënonte rreth 23.40 kur jahti, që simbolizon luksin, madhështinë dhe përsosmërinë inxhinerike, në pronësi të themeluesit të “WhatsApp”, Jan Koum u fut në basenin e portit më të madh në vend.
Sipas burimeve të “DurrësLajm”, në bord ndodhet edhe vetë Jan Koum, në jahtin që vjen nga Palma De Mallorca e Spanjës dhe do të niset për në Venecia të Italisë rreth orës 06.00 të së mërkurës.
Të njejtat burime konfirmojnë, se krahas “Moonrise”, në Durrës ka ardhur dhe jahti tjetër “Nebula”, po në pronësi të Koum, i cili e përdor jahtin e dytë si anije ndihmëse për supermjetin lundrues kryesor.
I projektuar me përpikëri nga Rémi Tessier, jahti Moonrise është konsideruar si “një parajsë mbi ujë”.
Anija mund të akomodojë deri në 16 të ftuar në tetë dhomat më të avancuara, si dhe 32 anëtarë ekuipazhi, duke siguruar një udhëtim të qetë dhe luksoz.