Nga Alba Malltezi
Lufta që i bëhet herë pas herë, vit pas viti, prodhimit të vogël vendas, është më shumë se kriminale. Në dukje, është një hile që synon të informojë konsumatorin për çka është e mirë e çka jo, por në të vërtetë nuk është kështu. Dhe për ta bërë këtë luftë zbresin në fushë të shumtë, pa kursyer blogera, gazetarë dhe mjete financiare.
Edhe në këtë Shqipërinë tonë të vogël, pavarësisht se tregu është ndër më të papërfillshmit në Europë, shpërndarësit e mëdhenj të produkteve të homologuara kanë kohë që na kanë vënë në shënjestër. Dihet kjo. Që kur panë gëzimin tonë për një kanaçe Coca-Cola, menduan se jemi të përshtatshëm për “ta ngrënë”.
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, kur kemi ëndërruar bashkë dhe zgjodhëm të vendosim “ekonominë e tregut” si padron.
Ajo që nuk shkon, është pikërisht përndjekja, dhuna, bllokimi i atyre prodhuesve të vegjël të cilët edhe për mungesë mjetesh, vazhdojnë të mbeten ashtu autoktonë, origjinalë. Ata janë, me dashje apo pa dashje, mbartësit, rojtarët e shijes së mirë dhe të aromave që po zhduken në botën mbarë.
Në Europë dhe më gjerë, shumë janë dëshmitarë që qumështi nuk mban më shije qumështi, perimet nuk janë më të tilla, e lulet kanë kohë që e kanë humbur aromën e tyre me modifikimet frenetike për të prodhuar sasi globale e për t’i rezistuar efekteve të kohës, gati gati sa një lule plastike.
Biznesi është biznes, ai globali gjithashtu dhe në fund të fundit, kush jemi ne për të vënë në diskutim rrjetet e mëdha të shpërndarjes së produkteve të prodhuara gjithashtu në zinxhirë intensivë dhe globalë?! Por ne mund të vendosim të jemi ndryshe, të mbështesim dhe të tregojmë vullnetin se i vlerësojmë të vegjlit tanë dhe produktet e tyre. Të veprojmë duke e ditur dhe duke qenë të ndërgjegjshëm se cilat janë pasojat, nëse të gjithë hamë njësoj, shohim njësoj, ndjejmë njësoj?
Fillimisht humb perceptimi, pastaj nuhajtja, humb shija, një pasuri që njerëzimi ka grumbulluar në mijëravjeçarë, një aftësi për të qenë dhe për të mbetur të ndryshëm dhe të shumëllojshëm mbi Tokë. Dhe kur humbin të gjitha këto, pastaj vjen robotizimi: Jemi të lirë, por me dëshirën e pavullnetshme për të qenë të gjithë njësoj, pasi, pa kuptuar kërkojmë të gjithë, përherë e më shumë, të njëjtat gjëra, pa bërë dallimin fin, të hollë që ekziston nga një zonë në tjetrën, nga një kontinent në tjetrin.
Në Tiranë, nëpër rrethe, shiten ende prodhime që ruajnë erën e mirë të origjinës, të Krijuesit. Kanë mbetur pak, shumë pak, dhe ata që kanë mbetur persekutohen me hilet e grumbulluesve e importuesve të mëdhenj, shpesh të mbështetur nga zyrtarë të zellshëm a të korruptuar nga produkti e prodhues globalë.