Pas 6 ditësh i shtruar në shërbimin e Kardiologjisë në QSUT ku po trajtohej nga problemet e zemrës (Sindromë Koronare Akute) aktori i njohur Mehdi Malkaj ka lënë këtë të premte ambientet e spitalit. Burime brenda QSUT thanë për Report Tv se gjendja shëndetësore e aktorit është shumë e mirë.
Në 3 Gusht, aktori ndjeu shqetësime shëndetësore në krahun e majtë, gjatë kohës që po vizitonte në spitalin e Traumës një të afërm, nga ku mori edhe ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas u përcoll me ambulancë për trajtim të specializuar nga mjekët kardiolog në QSUT.
Aktori Malkaj njihet për role të spikatura si ai i Xha Brahos ne telekomedinë “Gjuetia e fundit” në fundvitin 1992. Me 1 janar 1993 papritmas të gjithë flasin për këtë personazh që mbante psikologjinë e një populli si barrë në kurriz, por aktori që e luante me aq mjeshtri nuk njihej.
Që nga ai moment të gjithë e njohin atë si “Xha Braho” dhe pak e pershendesin në emër. Në teatër do ta gjejmë në disa role si p.sh në rolin e Babait në dramën “Babai” e Ruzhdi Pulahës, në rolin e Shëvalit në komedinë e “Darka e të marrëve” e Veberit, në rolin e Shmalcit në dramën “Franku i V-të” e Fridrih Dyrrenmatit ; “Ne katin e dytë është parajsa”; “Nderi i kombit”; “Gomone”; “Darka e gabuar” etj.
Në kinematografi dhe telekomedi gjithashtu ai ka interpretuar në shumë role. Roli i tij i parë do të jetë ai i Milo budallait në filmin “Përrallë nga e kaluara” në vitin 1987. Ndërkaq ka edhe role të tjera në shumë filma si roli i pijanecit në filmin “Jeta në duart e tjetrit” në vitin 1990, roli i babait të Lolos në filmin “Shpella e piratëve në vitin 1991 etj Pa harruar ato ne telekomeditë dhe skeçet ku padyshim me I suksesshmi mbetet Xha Braho.