Foto në kopertinë nga @click_by_enxhi
Marjeta Billo është një këngëtare shqiptare e njohur për zërin e saj të veçantë dhe për pjesëmarrjet e saj në disa prej festivaleve më të rëndësishme në Shqipëri, si “Ethet e së premtes mbrëma,” “Festivali i Këngës,” dhe “Top Fest.” Ajo ka debutuar me këngën “Era e tokës” në Festivalin e Këngës në vitin 2008, ku arriti të klasifikohej në vendin e pestë. Karriera e saj muzikore përfshin këngë të ndryshme në zhanret jazz, blues, country dhe pop-rock, si “Vlen sa një jetë,” “Ti mungon,” dhe “Kur ti nuk je”.
Aktualisht, Marjeta është në pritje të fëmijës së saj të dytë dhe vazhdon të mbetet aktive në muzikë, duke performuar kryesisht live në evente dhe ambiente të ndryshme. Sakaq në një intervistë si kurrë më parë, Marjeta Billo ka ndare me RevoKult, të shkuarën, të tashmen dhe planet për të ardhmen.
Intervista e plotë:
- Çfarë roli ka luajtur muzika në formësimin e jetës tuaj?
Muzika për mua është vetë jeta. Është ajo çka mua më ka shoqëruar që në fëmijëri, tani që jam në këtë pikë të jetës dhe do të më shoqërojë deri në fund të rrugëtimit tim, pasi është ajo çfarë unë kam zgjedhur të bëj. Nga pasioni, studiova për të duke e kthyer në profesionin tim. E ku ka më mirë se të kesh një profesion, të cilin ta ushtrosh plot pasion?! - Si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj artistik nga “Ethet e së premtes mbrëma” e deri më sot?
“Ethet” kanë qënë një shkollë më vete. Ky projekt më bëri të njohë veten në dimensione të tjera. Deri para Etheve, unë isha një këngëtare lirike dhe çdo pjesmarrje në skenë, e kisha zhvilluar në atë drejtim. Ethet jo vetëm që shërbyen si një trampolinë për të qënë më pranë publikut, por shënjuan gjithashtu vendosjen time në muzikë, duke u vendosur përfundismisht në muzikën e lehtë shqiptare. - Çfarë mendoni se është thelbësore për të ruajtur origjinalitetin artistik në një industri kaq konkurruese?
Së pari mendoj që për të ruajtur origjinalitetin duhet të njohësh mirë veten dhe atë çfarë ti kërkon si artist. Duhet të bësh paktin me veten se ajo çfarë ti bën nuk do t’iu pëlqejë të gjithëve, ndryshe je artist pa identitet. Të punosh fort për të ruajtur atë çfarë ti beson dhe të investohesh në të. - Cila është kënga juaj më e dashur nga ato që keni realizuar dhe pse?
Në fakt e kam pak të vështirë të përzgjedh një nga këngët e mia, pasi kam dhënë shumë përkushtim tek të gjitha ato çfarë kam realizuar. Po ajo që kam më përzemër është “Përjetësi”, kompozuar nga Klodian Qafoku dhe tekst të të ndjerit Dr.Flori. Ka shumë shpirt aty dhe mesazhi që përcjell ajo këngë,është shumë i bukur. https://youtu.be/xSeNB79vjDM?si=9UsxkfJHz5IcO4KW - Si e keni përjetuar ndryshimin nga një artiste e re, në një figurë të konsoliduar të muzikës shqiptare?
Në fakt unë ende nuk e kam realizuar maksimumin tim dhe ende nuk e quaj veten të konsoliduar. Mendoj që kam ende shumë punë përpara derisa të ndihem e tillë. Nuk kam vendosur të ndalem. Thjesht është momenti ku kam ngadalësuar pak hapat. Hahaha… Por ajo për të cilën jam përpjekur është të bëj pak gjëra, por të sakta. - A ndiheni më shumë komode kur këndoni live apo në studio?
Patjetër që emocionin që të jep muzika live, nuk ta jep asnjë mënyrë tjetër e të kënduarit. Unë nuk di të këndoj ndryshe, përveçse live dhe për orë të tëra. Nuk mund të jetoj pa atë lloj energjie. Sigurisht ka momente që ndihem e lodhur dhe them tani do të pushoj pak, por sapo i jap luksin vetes të pushoj ndonjë fundjavë, jo them. Nuk është pushimi për mua. E ndjej mungesën menjëherë. - Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë karrierës suaj muzikore?
Të jesh artist në Shqipëri ka edhe ato si të themi anët e veta jo pozitive. Shumë e quajnë veten të tillë dhe janë mjaft të mirëpaguar e kjo shitet si sukses, kur kanë shumë klikime apo duket sikur i kanë. Sfida më e madhe në muzikë,është të jesh vetvetja në një botë ku të gjithë mundohen të jenë njësoj, duke e kthyer muzikën në diçka që vetëm muzikë nuk është dhe duke bërë biznes me të. Artisti është ai i cili duhet ta orientojë publikun dhe ta ushqejë atë shpirtërisht, psikologjikisht, emocionalisht. Publiku asimilon atë çfarë ti i ofron, e nëse publiku do të dinte se çfarë donte, atëherë ne artistët kot sa ekzistojmë. - Si ka ndikuar edukimi juaj muzikor në stilin tuaj të këndimit dhe në krijimin e muzikës?
Më ka bërë që mos të kënaqem me gjënë e parë që më ofrohet, por të jem më përzgjedhëse. - A ka ndonjë këngë që dëshironi të riktheni në skenë dhe pse?
Këngën që përmenda më sipër, do të doja që pse jo në një të ardhme të afërt, ta risillja në skenë të riorkestruar dhe të shoqëruar edhe me një videoklip. Këtë këngë e kam kënduar në Festivalin e 49 të RTSH dhe më erdhi keq që nuk mori vëmendjen e duhur. Çdo detaj që dua të realizoj tek ajo këngë është brenda mendjes time dhe e kam si peng brenda vetes që e kam lënë me aq. Është shumë e madhe si këngë ajo për ta lënë në harresë. - Çfarë mendoni për gjendjen aktuale të industrisë muzikore në Shqipëri?
Më duket në krizë totale…Hahaha….
Ne kemi këngëtarë dhe muzikantë shumë të mirë.Zëra të bukur,potent dhe larmishmëri ngjyrash në vokale si femrash dhe meshkujsh.Por siç e thashë më sipër,në momentin që muzikën e shikojnë vetëm si rrugë për të fituar të ardhura dhe e kthejnë në biznes,çdo gjë e humbet sensin e aty nuk ka më shpirt. - Si ndjeheni teksa prisni të bëheni nënë për herë të dytë?
Mendoj që këto vitet e fundit Zoti më ka bekuar e më ka përkëdhelur pak më shumë seç duhet. Më ka dhuruar një bashkëshort të mrekullueshëm dhe prezent, një djalë që e dua sa vetë jetën dhe po rrit brenda meje lulen më të bukur të kopshtit tonë të dashurisë. Jam në një pikë shumë të lumtur të jetës time, ku ndihem e realizuar si femër, grua dhe nënë dhe i jam falenderuese çdo moment të ditës për këtë. - A mendoni se do të ndryshojë krijimtaria juaj artistike pas lindjes së fëmijës?
Mendoj që me ardhjen në jetë të fëmijëve ndryshon çdo gjë për këdo. Fëmija të jep një forcë që as vetë ti nuk e mendon se e kishe më parë brenda vetes. Të rrit e të bëhet motiv pune, e çdo gjëje që ti bën. Të bën të nxjerrësh dhëmbët, sepse tashmë ti ke një krijesë që i ka sytë e duart vetëm tek ti. Më parë çdo gjë që bëja, e bëja për veten time apo prindërit e mi dhe ndoshta nuk i kushtoja vlerën e duhur kohës që po harxhoja. Ndërsa tani vetëm kur mendoj shikimin e djalit tim apo kohën që jam larg tij, nuk e lejoj më veten të humbasë kohë kot. - Çfarë ju frymëzon më shumë në jetën tuaj personale dhe artistike?
Familja ime dhe njerëzit që besojnë tek unë. - A keni ndonjë projekt të ri në plan pas ardhjes së bebit?
Kam shumë projekte dhe siç e thashë edhe më lartë, nuk do ta lë më kohën të më ikë kot. - Çfarë mendoni për bashkëpunimet artistike dhe a keni ndonjë plan për ndonjë bashkëpunim të ardhshëm?
Mendoj që janë një mundësi shumë e mirë për bërë diçka të bukur. Edhe po kam disa plane dhe dua t’i realizoj me artistët e mi të preferuar. Po nuk dua të flas pa i bërë fakte. - Cili është kujtimi juaj më i bukur nga pjesëmarrja në festivale muzikore?
Çdo pjesmarrje nëpër festivale ka diçka që ka lënë shenjë pozitive tek unë.Por periudha më intensive ku kemi qeshur pafund dhe kam kujtime shumë të bukura kanë qënë “Ethet”. Shoqëria që krijuam me njeri-tjetrin, ato drekat kur mblidheshim në studio ose darkat kur përfundonim të sfilitur dhe prapë krijonim situata që argëtoheshim pa masë, janë sekuenca që nguliten fort në memorie. - Si e përballoni kritikën dhe si ndikon ajo në punën tuaj?
Për shumë njerëz, kur dëgjojnë fjalën “kritikë” duket sikur është diçka që ka konotacion negativ. Por mendoj se kur vjen puna tek kritika, është e rëndësishme ta vlerësosh kritikën duke ditur në rradhë të parë ta seleksionosh. Jo çdo kritikë është për mirë e as për keq gjithashtu. Thjesht mendoj që nuk duhet të influencohesh nga kritika ngative e të vlerësosh kritikën që të çon në rritje profesionale, sepse në thelb kritika muzikore ka si funksion ndihmën për të përparuar më tej me hapa më të saktë. - Cili është roli i familjes suaj në karrierën tuaj muzikore?
Familja ime është shtysa që unë kam arritur këtu ku jam. Nëna ime ka qënë ajo që ka ngulur këmbë që unë të ndiqja rrugën e artit, duke më shoqëruar këmba-këmbës në çdo moment kyç të jetës sime. Kanë qënë prindërit e mi që më kanë mbështetur në shkollimin tim profesional në muzikë e ka qënë babai im ai i cili më frymëzonte për të vazhduar më tej me ato momentet tona ku ai rrëmbente kitarën e unë këndoja. - A ka ndonjë këngëtar shqiptar apo ndërkombëtar që ju ka inspiruar përgjatë karrierës tuaj?
Uhhh ka shumë si shqiptar edhe të huaj. Lista është e gjatë, por nga shqiptarët do të veçoja: Ardit Gjebrean, Aurela Gaçen, Alban Skënderaj, Pirro Çakon… Nga të huajt të madhen dhe të vetmen Tina Turner, Natalie Cole, Nora Jones, Diana Crall, Aretha Franklin, Edith Piaf, Adriano Celentano, Mina…. Shumë shumë… Jam shumë e apasionuar pas muzikës gold, jazz, blues dhe ndaj them që lista është shumë e gjatë. - Si e përjetoni kalimin e kohës dhe ndryshimin e trendeve në muzikë?
Gjithçka evolon dhe muzika për sa kohë është art, do të kthehet në objekt eksperimentimi. Por gjithashtu them se sado që mund të eksperimentohet me të dhe sado koha mund të kalojë, ajo çfarë është e bukur i mbijeton kohës dhe ndaj thuhet se artisti nuk vdes kurrë. Ai përjetësohet nëpërmjet artit të tij. - Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë karrierës suaj dhe si e tejkaluat atë?
Sigurisht që çdo fillim nuk është i lehtë dhe për të ndërtuar diçka, patjetër që duhet të gjesh bashkëpunëtorët dhe terrenin për të hedhur themelet e asaj çfarë ti do të ndërtosh. Jo gjithnjë njerëzit me të cilët ti përplasesh në jetë, kanë energjinë tënde. Fillesat nuk kanë qënë të lehta, duke qënë që unë nuk kisha as në familje askënd që merrej me muzikë dhe nuk kisha asnjë lloj orientimi në këtë drejtim. Mund të kem marrë vendime të gabuara, të menduara të drejta për momentin, për të cilat mund edhe të jem penduar. E rëndësishme është që unë nuk hoqa dorë asnjëherë nga kjo rrugë dhe duke u rritur psikologjikisht dhe profesionalisht, jam munduar të bëj më të mirën duke mos rreshtur së kërkuari nga vetja. - A keni pasur ndonjëherë dyshime për rrugën tuaj artistike?
Asnjëherë! - Si e përshkruani marrëdhënien tuaj me fansat?
Frymëzim dhe mirënjohje! - Cili është suksesi që ju bën më krenare?
Gjithnjë kam ecur me moton që gjërat në jetë t’i arrijë me forcat e mia, punën time, të bëj krenarë prindërit e mi dhe familjen që do të ndërtoja një të ardhme, të cilën tashmë e kam. Mendoj që ja kam dal me sukses deri më tani. - A ndjeheni ndonjëherë nostalgjike për fillimet tuaja muzikore?
Sigurisht që kthehem shpesh atje dhe i them vetes: “Ah sikur të rikthehesha edhe një herë pas, por me këto mend që kam tani.” Hahaha… - Cilat janë planet tuaja për të ardhmen si nënë dhe si artiste?
Momentalisht e para për mua është familja,duke qënë se jemi duke u përgatitur për ardhjen në jetë të princeshës tonë. Kështu që për një periudhë të caktuar, do të jem e fokusuar tek mëmësia. Më pas patjetër që do t’i rikthehem asaj që di të bëj më mirë! - Si e përjetoni ndryshimin e dinamikës së jetës tuaj me ardhjen e një fëmije të dytë?
Mezi po presim që vajza të jetë midis nesh. Është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet, përveçse të përjetohet. Unë e kam provuar tashmë me djalin ndjesinë e të qënurit Nënë dhe kur do të sillja Arjosin në jetë, kisha shumë pikëpyetje, frikëra, pasiguri. Ishte një botë e panjohur, por kur ti rrit një fëmijë, rritesh bashkë me të dhe siç i mëson ti atij, gjërat e para, edhe ai të mëson ty të jesh Prind. Tashmë me vajzën, ndihem më gati dhe më e përgatitur se kurrë dhe pse jo, të rregulloj edhe ato gabimet nga padituria që kam bërë me Arjosin. - A mendoni se do të ndikojë në karrierën tuaj fakti që do të keni dyfish përgjegjësi?
Unë them që fëmijët janë si lulet. Ata nuk janë asnjëherë shumë. Fëmija është bekim dhe duhet të jesh shumë mirënjohës, që të është dhënë mundësia të provosh mëmësinë. Ata janë motiv për të kërkuar nga vetja më shumë e më shumë, në mënyrë që jo vetëm të sigurosh jetën e tyre në çdo nevojë, por që ti edhe të jesh një shëmbull zotësie për ta. Mendoj që ndikimi i vetëm që do të kem nga përgjegjësia e dyfishtë, është të realizoj edhe më shumë gjëra se më parë. - Çfarë do të dëshironit të arrinit ende në karrierën tuaj muzikore?
Kam ende shumë për të realizuar. Mendoj t’i rikthehem sërish festivaleve, kompeticioneve, botës televizive, duke mos qëndruar vetëm tek livet. Kam shumë projekte dhe dëshira në mëndje, e nuk do t’i lë të mbeten vetëm aty. - Cili është mesazhi juaj për të gjitha gratë që balancojnë karrierën dhe jetën familjare?
Të jenë mirënjohëse, që Zoti i ka dhënë mundësinë t’i kenë të dyja. E nuk është e lehtë të jesh nënë dhe grua në karrierë njëkohësisht. Do të thotë që përveçse punës që ti ke bërë për të arritur gjërat, të kesh patur edhe fatin të evidentohesh e të kuptohesh. Për sa kohë je një femër e vendosur dhe e fokusuar, ia del gjithçkaje. Gratë, e sidomos gratë shqiptare e kanë treguar me kohë forcën e tyre duke na dëshmuar se mund të jenë edhe amvisa të përsosura, edhe të realizuara në karrierë. Ama e theksoj që asnjë gjë nuk bëhet vetëm. Pa patur në krahë ndihmën e gjysmës tënde më të mirë dhe bashkëpunëtorët e duhur, gjërat bëhen të vështira.