Monedhat e huaja i ‘kundërvihen’ Lekut dhe drejtojnë shigjetat me rritje të bursës së këmbimit në Shqipëri.
Prej ditësh grafiku po njeh një ndryshim të dallueshëm, ndoshta kjo edhe për shkak të hyrjes së Bankës së Shqipërisë apo kërkesës në rritje në treg.
Dhe sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, sot (23 Gusht), Euro u këmbye me 100.19 lekë, duke arritur nivelin më të lartë që prej datës 5 Gusht. Tabela e përditësuar e kursit të këmbimit e tregon këtë fakt.
Por jo vetëm kaq, teksa Euro njohu një rritje me 48 pikë, pas nuk mbetet as Dollari amerikan me 0,58 pikë, ose me blerje prej 90,06 lekë, megjithëse kuotat për këtë monedhë mbeten ende të ulëta në krahasim me kohë më parë.
Edhe Paundi shënoi një ditë të mirë, me rekordin plus 0,85 pikë, ose në këmbim me 118,28 lekë në Exchange. Dhe pas tij Franga zvicerane me plus 0,56 pikë, ose një kurs këmbimi me 105,75 lekë.
Ajo që bie në sy është se pothuajse të gjitha valutat e huaja kanë pasur një rritje përballë Lekut me pikë të konsiderueshme.
Në historik, pas një rënieje graduale që pati nisur prej asaj date, Euro zbriti deri në minimumin historik prej 99.6 lekësh më datë 20 gusht. Kurse në tre ditët e fundit, kursi iu kthye rritjes, ndërsa sot e kaloi përsëri kufirin e 100 lekëve, duke arritur afër niveleve ku ka qëndruar me një lloj qëndrueshmërie gjatë gjithë sezonit veror.
Megjithatë, kjo qëndrueshmëri duket se ka qenë rezultat i pranisë së vazhdueshme në treg të Bankës së Shqipërisë. Prej muajit maj, banka qendrore ndërhyri me blerje direkte në tregun valutor për të mos lejuar një rënie të mëtejshme të kursit. Sipas Bankës së Shqipërisë, një forcim i mëtejshëm i lekut do të ishte në dëm të objektivit të inflacionit.
Në gjysmën e parë të këtij viti, inflacioni ka rënë poshtë objektivit prej 3% të bankës qendrore. Sipas INSTAT, në muajin korrik inflacioni vjetor ishte në nivelin 2.1%.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, as rritja e ditës së premte nuk lidhet me ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë, por me një rritje të përkohshme të kërkesës së tregut për valutë. Rritja të shpejta dhe afatshkurtra të kursit të euros kanë qenë të shpeshta në vitet e fundit, veçanërisht në periudhat pas rënieve drastike të tij.