Zbulim në Korçë: Vendbanimi 5500 vite Para Krishtit

Home Aktualitet Zbulim në Korçë: Vendbanimi 5500 vite Para Krishtit
Zbulim në Korçë: Vendbanimi 5500 vite Para Krishtit

Nga Armand Braho

Për të tretin vit radhazi, arkeologët janë rikthyer në fushën e Korçës për të gërmuar në vendbanimin që i përket Periudhës së Neolitit të Mesëm. Drejtuesja e ekspeditës arkeologjike, dr. Edlira Andoni tha se tashmë është vertetuar se ky vendbanim daton 5500 deri në 5000 vite para Para Krishtit.

“Projekti ka filluar tre vite më herët. Në fillim u fokusuam në shtritjen e vendbanimit. Në bazë të intesitetit të gjetjeve kaluan në fazën e dytë, atë të studimit gjeomagnetik të kësaj zone, e cila na tregoi për një vendbanim të periudhës së Neolitit të Mesëm por njëkohësisht dhe kërkimet që janë bërë në fund të viteve ’70, ku e kishin testuar këtë vendbanim me një sondazh të vogël, i cili tregonte për këtë vendbanim që tashmë e dimë se i përket Neolitit të Mesëm. Vitin e kaluar bëmë disa datime radiokarbonike, ku u përcaktua se vendbanimi daton nga 5500 Para Krishtit deri në 5000 Para Krishtit. Gjatë këtij sezoni presim t’i pasurojmë më tepër dhe të njohim gjithë periudhën e banorëve që kanë jetuar ne këtë vend”, tha Dr. Edlira Andoni.

Rezultatet e deritanishme ofrojnë të dhëna mjaft interesante rreth arkitekturës së banesave, të ndërtuara me dru dhe baltë të pjekur.

“Ne këtë vit zbuluam rrethimin ose ndryshe hendekun e vendbanimit, i cili nuk është fortifikim por është një formë që mban të rrethuar vendbanimin, për ta mbrojtur atë nga kafshët e egra. Po kështu nga studimi morën të dhëna për banesat me struktura druri dhe baltë të pjekur dhe të papjekur”, shpjegon më tej Dr. Edlira Andoni

Gërmimi dhe studimi në sitin arkeologjik të Podgories në Korçë po kryhet nga Instituti i Arkeologjisë ne bashkëpunim me Universitetin e Këlnit në Gjermani dhe Universitetin e Bafalos në SHBA./shqiptarja.com