Nga Ernest Koçi
Jo vetëm në libra e kujtime, por tani Ismail Kadare do jetë i përjetësuar si portret edhe me anë të një muraleje në Tiranë. Piktori me famë ndërkombëtare Maximiliano Bagnasco, i cili është autori edhe i murales së famshme të Messit në qendrën spitalore ‘Nënë Tereza’, është autori i kësaj muraleje që është pjesë e projektit ‘Mural Fest’ në Tiranë.
“U bind me thënë të drejtën duke parë personalitetin e jashtëzakonshëm të Ismail Kadaresë dhe ndarjen e tij nga jeta. E studioj për dy muaj dhe na prezantoi një projekt. Jam i bindur që do jetë një portret i jashtëzakonshëm sepse sot për sot ky artist është një portretistët muralist më të mirë dhe më të famshëm të botës,”-u shpreh Helidon Haliti, kurator i projektit.
Muraleja e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare në një prej pallateve të bulevardit të ri, ose zonës së njohur ndryshe si ish-stacioni i trenit, pritet të shndërrohet edhe në një atraksion turistik.
“Ky kënd këtu është më nga interesantët e Tiranës, ka shumë kujtime stacioni i trenit i vjetri, do bëhet atraksion absolut turistik ku do e shijojnë jo vetëm vendasit por edhe turistët me ndihmën e medias dhe të tuajin,”-tha Helidon Haliti, kurator i projektit.
Ky është edicioni i gjashtë i ‘Mural Fest’ në Tiranë, ndërsa prej 4 vitësh kurohet nga piktori Helidon Haliti. Këtë vit tematika është ‘inteligjenca artificiale’, ndërsa pjesë e projektit janë 14 murale, teksa 80% e artistëve janë vajza.