Nga Artan Shkreli
NJE BREND ORE QE SHFAQET NGA ASGJEJA
(Hyrja e tij ne GPHG, kryefjalë e qytetit të orëve)
Zbulimi nga ana ime e shtëpisë së bizhuterive “Pirro” ishte një surprizë e mirfilltë nga fillimi në fund. E gjitha filloi me një mesazh nga një kolege për tu takuar në sallën tonë të konferencave. Duke mos patur asnjë ide përse më kishin thirrur, mora bllokun e shënimeve dhe u futa në sallë, por gjeta aty dy gra të veshura plot shije që prisnin në sofanë e kompanisë.
Pas një prezantimi gjithë siklet (nga ana ime), shpejt më bënë me dije se ato vinin nga brandi shqiptar “Pirro” dhe se sapo kishin dorëzuar orën e tyre të parë në Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG), në kategorinë e Artizanatit Artistik.
Një rrëfenjë magjepsëse
Ndërsa ato më tregonin historinë e markës së tyre dhe të themeluesit të saj, kjo gjë po më ngjante më shumë si një dramë e Netflix-it sesa si histori reale e një marke të re orësh.
Rrëfenja fillonte në vitet 1980 me djaloshin Pirro Ruço, një student i inxhinierisë mekanike i cili jetonte në Berat (Shqipëri). Familja e tij kish vuajtur persekutimin në kohën e komunizmit dhe atij iu pat ndaluar të vazhdonte studimet e larta.
I pakënaqur me këtë perspektivë të gjërave, Pirro vendosi të hapte një shteg tjetër para vetes. Kështu, duke e shndrruar dhomën e tij të gjumit në një punishte, ai krijoi një pantograf artizanal të mirfilltë, të tillë që arrinte të riprodhonte imazhin e saktë të portretit të udhëheqësit, aplikuar në monedha dhe medalje. Këtë arritje ai ia prezantoi Kryetarit të atëhershëm të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili mbeti jashtëzakonisht i mbresuar nga puna e të riut dhe urdhëroi t’i jepej e drejta e vazhdimit të studimeve në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike ku të zhvillonte më tej aftësitë e tij.
Pasi përfundimit të studimeve, Pirro ngriti një laborator të posaçëm dhe vijoi të krijonte monedha dhe medalje jo vetëm për udhëheqësit e vendit, por edhe bizhuteri e vepra të tjera arti.
Me kalimin e viteve, ai do t’i sillte krijimet e tija më të mira në BaselWorld, ku do të takonte edhe disa orëpunues të shquar, puna e të cilëve e tërhoqi pa masë, gjë që do t’i shkaktonte shkëndijën e parë në kokë për krijimin e orës së tij.
Kthimi në sallën e konferencave
Ndërkohë, për tu kthyer sërish në sallën e konferencave, më shumë kolegë na ishin bashkuar tashmë në këtë takim, dhe të gjithë pa përjashtim ishim të shtangur nga fjalët e Alba Rucos (e bija e z. Ruco). Kur ajo pyeti rastësisht nëse do të donim ta shihnim orën, ne me entuziazëm pohuam duke tundur kokën, ashtu siç bëjnë fëmijët e shkollës fillore në orarin e tregimit.
Dorezat dhe një tabaka e veshur me kadife u shfaqën në mënyrë magjike… dhe ora u prezantua me gjithë lavdinë e saj nën jehonën e një kori kolektiv: “wow”!
Pjesë unike e pasionit primordial
Ajo që na ra në sy fillimisht ishin 12 valltarë në miniaturë në ar të verdhë 18 karatësh, ku secili prej tyre përfaqësonte një rajon të ndryshëm të Shqipërisë. Ata qenë kapur për dore dhe kërcenin së bashku, nën një firmament sferik kristali prej safiri, në një skenë që ishte zbukuruar me aq detaje saqë mund të shiheshin edhe qëndisjet e imta në fustanet e zonjave. Ndërsa nuk ishin veçse 0,9 cm të larta, figurinat përftonin të gjitha karakteristikat e një skulpture të mirfilltë.
Fusha e orës qe krijuar nga një mikro-mozaik gurësh qelqi Murano në tetë nuanca të ndryshme të kuqe dhe të zezë duke përdorur 64 prerje të ndryshme, ku më e vogla është vetëm 0.2 mm. Mbi 25,000 copa mozaiku ishin prerë me precizion për të siguruar 1,500 pllakat e fundit të mozaikut që do të përbënin fushën. Në këtë mënyrë, Pirro kish arritur të vendosë me përpikmëri gurët në një dizajn dhe teknikë që nuk ishte përdorur kurrë më parë; kjo në vetvete, mund të them se është një risi e guximshme në GPHG 2024.
Hapësira qendrore e orës ishte gjithashtu me rëndësi, pasi përmbante katër muzikantë me instrumentet e tyre karakteristike, të ulur brenda një strukture në trajtë shqiponje në ar të zi.
Lidhja me Agenhor
Duke parë një orë të tillë, pothuajse druheshim të pyesnim se si lëvizte ajo, nga frika se mos nuk përputhej me nivelin e punimeve artizanale që po shihnim. Sidoqoftë, ndofta nuk ja vlente të shqetësoheshim, pasi Ruco kishte zgjedhur të punonte me kryemjeshtrit e orëve në Agenhor për krijimin e një lëvizje ekskluzive që i dëfton orët dhe minutat përmes treguesve në formën e kthetrave të shqiponjës.
Për një markë të re ore, Pirro është sigurisht një surprizë e mrekullueshme në shumë e shumë nivele. Le të shpresojmë se ky faktor surprizë do të çojë gjithashtu në një nominim në GPHG për të sapoardhurin, i cili për mendimin tim modest, do të tërheqë vëmendjen e koleksionistëve botërorë të orëve, me ose pa trofe.
Nga Sophie Furley – (gazetare britanike që jeton në Zvicër dhe mbulon ne nivel kritike botërore orët dhe bizhuteritë pranë “Telegraph Time”, “WorldTempus.com” etj.)