Mimoza Marjanaku në “30 Revo-pyetje nga Aldo”

Home 30 Revo-pyetje nga Aldo Mimoza Marjanaku në “30 Revo-pyetje nga Aldo”
Mimoza Marjanaku në “30 Revo-pyetje nga Aldo”

Prej vitesh eksperiencë në skenën e teatrit dhe në projekte të ndryshme artistike, Mimoza Marjanaku është një nga figurat më të njohura dhe të respektuara të teatrit durrsak dhe përtej tij. E njohur për rolet e saj të fuqishme dhe interpretimet e saj autentike, ajo ka lënë gjurmë në botën e artit skenik shqiptar. 

Mimoza është një aktore që dashuron të sfidojë veten me role komplekse që pasqyrojnë ndjeshmëritë dhe kontradiktat e natyrës njerëzore. Ajo është e përkushtuar ndaj punës së saj, duke e parë teatrin si një pasqyrë të jetës, një vend ku mund të eksplorohen thellësitë e shpirtit njerëzor. Përtej skenës, ajo është një person i përkushtuar ndaj familjes dhe një adhuruese e natyrës, gje që i jep një balancë të mrekullueshme jetës së saj aktive dhe kërkuese artistike.

Mimoza Marjanaku ka fituar çmime të ndryshme në rolet e saj të cilat shpesh janë pikante dhe në dukje kryeneçe, por Mimi, siç e quajnë rrethi i saj i ngushtë, do të tregojë për RevoKult se sa e përfshirë dhe sa jep nga vetja në role, po aq edhe e kundërta e tyre është. Me një karakter të një gruaje të fortë dhe me zemrën e madhe prej artisteje, Mimoza i është përgjigjur 30 pyetjeve të rubrikës tonë, duke u shfaqur përpara publikut në rolin që ende nuk e kemi parë, atë të Mimi-t.

Mimoza Marjanaku – Fotografi nga Daniel Dervishi

30 Pyetje për Mimoza Marjanakun

1. Çfarë do të thotë për ty të jetosh në një qytet bregdetar si Durrësi?       

Të jetosh në Durrës do të thotë t’u jesh mirënjohëse dy mbretërve ilirë që e themeluan  këtë qytet të bekuar, Dyrrahut dhe Epidamnit,  do të thotë të ndjehesh ‘ Bukuroshja e Durrësit”,do të thotë të shohësh perëndimin më të bukur në botë, do të thotë të shohësh përtej, do të thotë të ndjehesh e lirë!

2. Si e percepton rolin e teatrit në pasqyrimin e realitetit?  

Teatri është i lidhur ngushtë me përditshmërinë dhe pse si nocion është përtej saj. Përditshmëria ka tema pa fund. Audienca gjen veten në problematikën që është ndërtuar artistikisht dhe zgjedh të mbajë një qëndrim të caktuar.

3. Nëse do të zgjidhje një emocion që të përfaqëson në skenë, cili do të ishte ai dhe pse?  

Mua më pëlqejnë rolet dramatike të fuqishme dhe emocionet shkojnë drejt çmendurisë. Këtë e kam provuar në personazhin e nënës në dramën “Të korrat e gjelbërta” të Bruno Shllakut dhe në tragjedinë “Elektra” me regji të Laert Vasilit në rolin e Klitemnestrës.

4. Cili ka qenë momenti më transformues në karrierën tënde si aktore?  

Ndoshta kur për herë të parë mora një çmim dhe ndoshta ndoshta u pash ndryshe prej të tjerëve, por jo se më transformoi mua së brendshmi. Kam përshtypjen që çdo rol të pjek, të ngre me shumë dhe të bën të pëlqyer. 

5. Si ndikon natyra dhe deti në qasjen tënde artistike?           

Unë e dashuroj natyrën, dashuroj malin, lumin, detin. Duke qenë pranë detit, rëra kripa, jodi, qetësia e valëve në verë dhe egërsia në dimër, të ngjyrosin shpirtin dhe pa dyshim të mbushin emocionalisht.

Mimoza Marjanaku

6. Çfarë të frymëzon më shumë: rolet tragjike apo ato komike? 

Rolet tragjike! 

7. Si e përkufizon suksesin në teatër dhe në jetë? 

Nëse publiku të do, të duartroket, të kërkon, ky është sukses. Nëse ke një familje të shëndoshë që të do, mbështet, inkurajon, nuk do doja më shumë në jetë!

8. A ka një rol që të ka ndryshuar mënyrën se si e shikon botën?

Botën unë e shoh me sytë e njeriut, me sytë e Mimoza Marjanakut. Kur bëhesh nënë, ky është roli më i rëndësishëm në jetë që të transformon qënien dhe mënyrën si sheh botën.

9. Çfarë do të doje që publiku të kuptonte më shumë për artin e teatrit? 

Publikut së pari i duhet dhënë një produkt artistik i arrirë. Duhet të shkojë aktori tek publiku dhe jo publiku tek aktori. Publikut jepi lëndën e mirë dhe ai është i zgjuar, e merr po aq mirë. Publiku që e ndjek teatrin s’ka nevojë për leksione.

10. Si e përjeton lidhjen midis artit dhe filozofisë në jetën tënde? 

Mendoj shpesh me veten dhe e them me siguri që unë jam shumë e vërtetë në teatër. Në çdo rol fus veten dhe filozofia e jetës time është aty, ndjehet pavarësisht se çfarë kërkohet nga roli.

Mimoza Marjanaku

11. Çfarë mendon se mund të mësojmë nga historia përmes teatrit? 

Mund të përdor një shembull: Njerëzit imagjinojnë si Ismail Qemalin aktorin e madh Sandër Prosi, si Avni Rustemin Bujar Asqeriun,si Vasil Laci Kastriot Caushin, etj etj. Dmth teatri, filmi kanë forcë të jashtëzakonshme imponuese tek publiku. Dhe sa më shumë të shohin historinë në teatër a film aq më shumë do kenë informacion. Kjo është një e mirë e madhe që i bëhet historisë nëpërmjet teatrit. 

12. Si e përshkruan ndjesinë e të qenit në skenë për herë të parë? 

Është një ndjesi komplekse. Përveç e bukur dhe kuptimplotë, është përgjegjësi e madhe, ndjen të dridhet zëri, të ftohen duart, të djersitesh nga emocioni. Si njeriu që bën dashuri për herë të parë në jetë!

13. Nëse jeta është një skenë, çfarë roli do të doje të luaje në të? 

Jeta nuk është bardhë e zi, të ngre, të ul… Të gjitha rolet doja t’i provoja jo vetëm nga kurioziteti, por për t’u bërë e aftë për të ecur përpara.

14. Cilat janë vlerat që ndjek në jetën tënde të përditshme? 

Respekt për prindërit e mi, për gjithë sakrificat e tyre, për familjarët e mi, mirënjohëse ndaj kujtdo që ka ndikuar në çfarë kam arritur dhe falenderuese Zotit për jetën që na dhuron çdo ditë.

15. Si ndihesh kur interpreton një rol që reflekton aspekte të jetës tënde personale? 

Ndihem unë! Ndihem e vërtetë!

16. Çfarë do të thotë për ty të jesh autentik në art? 

Ndoshta duket e pabesueshme, por unë nuk shoh kurrë në you tube për të parë si është bërë ky rol me parë. Lexoj, marr informacion për kohën kur është shkruar, kur është vënë etj etj.. por në rol luaj veten në rrethanën që më kërkohet. Këtu hyn eksperienca jetësore, imagjinata. Besoj kjo më ka bërë të jem ndryshe nga roli në rol.

17. Si balancohet jeta jote personale me angazhimet profesionale? 

Për të qenë e vërtetë, i kam hyrë në borxh angazhimeve në familje, por me konsensus e mirëkuptim kam ruajtur balancat.

Mimoza Marjanku

18. A ke një ritual të caktuar përpara se të dalësh në skenë? 

Shkoj shumë herët dhe vishem si personazh. Kjo më jep qetësi e siguri.

19. Çfarë mendon se i bën rolet e tua të veçanta dhe të paharrueshme? 

Nuk e di në janë të veçanta e të paharrueshme, duhet pyetur publiku.

20. Si e percepton publikun gjatë një performance live? 

Sinqerisht harrohem dhe kur mbaron shfaqja e ndizen dritat prekem kur i shoh, kanë dëgjuar në qetësi absolute dhe janë përfshirë në magjinë që bëhet në skenë. Mirënjohje!

Mimoza Marjanaku në interpretim

21. Cili është mësimi më i rëndësishëm që të ka dhënë teatri?

Të jem e vërtetë!                             

22. Nëse do të kishe mundësi të interpretoje në një film të radhës, çfarë lloj roli do të zgjidhje? 

Protagonisten?

23. Si e ndan aktrimin në teatër dhe atë në një film? 

Thellë thellë, por shumë thellë ama e dua shumëë filmin. Por ky është një sekret që nuk ia tregoj teatrit 😀

24. Si e përkufizon kreativitetin dhe si e zhvillon atë në jetën tënde? 

Të jesh kreative do të thotë të kesh ide te reja që të pasurojnë më shumë. Kreativiteti fillon që nga ato metra që përkufizojnë shtëpinë tënde, nga mënyra se si e arredon, në mënyrën si gatuan (familjarët më thonë që une jam shpikëse në kuzhinë), në mënyrën si vishesh gjë që më bën të mos jem njëlloj me të tjerët. Udhëtoj shumë dhe shpesh dhe kjo ma shton kreativitetin.

25. Cili është roli që të ka sfiduar më shumë dhe si e ke përballuar? 

Në një film kam luajtur rolin e një nëne që qan djalin në varreza. Figurantët që ishin rrotull meje filluan të qanin. Djalit, Anit nuk ja tregova dhe kur e pa me tha ‘Nuk dije ta bëje keq këtë rol?” Kur e pashë në kinema qava me personazhin tim.

Mimoza Marjanaku

26. Si e sheh të ardhmen e teatrit në Shqipëri? 

Nëse do e shihja në një filxhan do shtypja me gisht një “njollë” të bardhë..

27. Çfarë do të ndryshoje në qasjen ndaj edukimit të artistëve të rinj? 

Edukimi duhet filluar që në akademi ku thuhet se nuk bëhen si duhet mësimi. Natyrisht ka edhe pedagogë të përgjegjshëm. Të quhesh “Artist” është fjalë e madhe, duhet shumë, shumë punë për ta merituar këtë titull. Punë, punë, punë, do i sugjeroja.

28. Si ndihesh kur shikon publikun të emocionuar nga performanca jote? 

E lumtur, e prekur, mirënjohëse, e motivuar! 

29. Cilat janë përgjegjësitë e një aktori ndaj shoqërisë? 

Aktori është figurë publike. Njihet nga të gjithë nëpërmjet skenës dhe publiku ka krijuar nje ide për ty. Duhet të mos e zhgënjesh, të ruash statusin që ke. Për mua ka shumë rëndësi të jesh Njeri në radhë të parë.

30. Nëse do të shikoje jetën tënde si një shfaqje teatrale, çfarë titulli do t’i vendosje? 

“Përjetësisht”!

Mimoza Marjanaku