Nga Aurora Barçi
Në dekadën e fundit, Shqipëria është përballur me një nga sfidat më të mëdha të saj: emigrimin masiv, i konfirmuar edhe nga Censusi i vitit 2023. Largimi i të rinjve dhe fuqisë punëtore ka ndikuar ndjeshëm në shoqërinë dhe ekonominë e vendit. Megjithëse diaspora jonë, e treta më e madhe në botë (sipas përqindjes së popullsisë së lindur në vend që jeton jashtë) pas Guajanës dhe Bosnje-Hercegovinës, ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e vendit gjatë shekujve, sot ky burim i madh mbetet i papërdorur dhe i anashkaluar nga Qeveria aktuale. Turnetë e fundit të autokratit Rama në Greqi dhe Itali, më shumë të përqendruara në retorikë boshe dhe propagandë, kanë dështuar në ofrimin e planeve konkrete për angazhimin dhe faktorizimin e potencialit të mërgatës në zhvillimin e vendit ndërkohë që Shqipëria përballet me varfëri ekstreme, ku sipas INSTAT 41.6% e popullsisë është në rrezik varfërie.
Remitancat e diasporës shqiptare kanë luajtur një rol thelbësor në ekonominë e vendit që nga fillimi i viteve ’90. Sipas Bankës Botërore, këto dërgesa kanë injektuar 29 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare nga viti 1992 deri në vitin 2019, duke përbërë rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky trend ka vazhduar edhe në vitet e fundit, me remitancat që arritën në 1.97 miliardë dollarë, ose 8.57% të PBB-së, vetëm në vitin 2023, duke dëshmuar lidhjen e fortë të diasporës me atdheun.
Koncepti i Diaspora Finance, siç përshkruhet në raportin e Komisionit Europian, përfshin një gamë të gjerë mundësish me të cilat emigrantët kontribuojnë financiarisht në vendet e tyre të origjinës. Kjo përfshin jo vetëm remitancat tradicionale, por edhe investimet direkte dhe blerjen e bonove të diasporës (Diaspora Bonds). Në këtë kontekst, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq historik.
Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e diasporës së saj, vendi mund të ndjekë shembujt e suksesshëm të vendeve si Izraeli dhe India duke prezantuar Diaspora Bonds. Këto tituj qeveritarë të specializuar, të orientuar drejt qytetarëve tanë jashtë vendit dhe pasardhësve të tyre, ofrojnë një mundësi të ndërsjelltë fitimprurëse.
Për Shqipërinë, ato përfaqësojnë një burim të qëndrueshëm financimi për projekte kritike infrastrukturore dhe zhvillimore, si për shembull projekte për financimin e teknologjive të reja për ruajtjen e energjisë në periudha të caktuara. Për mërgatën tonë, ato janë një mënyrë e re për të vitalizuar ekonominë e vendit, duke mbështetur zhvillimin ekonomik mbi kontributin e shqiptarëve të shpërndarë në të katër anët e globit, dhe duke siguruar njëkohësisht një përfitim financiar personal.
Këto bono përfaqësojnë një mundësi unike për të faktorizuar kursimet e diasporës – një potencial i jashtëzakonshëm që, sipas IFAD, ka arritur rreth 3.4 miliardë euro, ose 5.1 herë më shumë se remitancat e tyre vjetore. Nëse arrijmë të kanalizojmë vetëm 10% të këtyre kursimeve vjetore në investime shqiptare, remitancat do të rriteshin me rreth 50%, duke krijuar një motor të ri të fuqishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Këto bono nuk janë thjesht një instrument financiar, por një urë që lidh të ardhmen e Shqipërisë me mbështetjen dhe investimin e drejtpërdrejtë të mërgatës. Ato mund të luajnë një rol kyç në adresimin e sfidave energjetike të vendit, duke financuar investime kritike në teknologji të avancuara të ruajtjes së energjisë dhe përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të shpërndarjes.
Energjia është një sektor kyç për ekonominë shqiptare. Megjithëse vendi ynë është i pasur me burime të rinovueshme si uji, dielli dhe era, varësia nga këto burime e bën Shqipërinë të ndjeshme ndaj kushteve atmosferike. Në periudha thatësire, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet bie ndjeshëm, duke detyruar vendin të importojë energji me kosto të lartë. Kjo situatë jo vetëm që krijon pasiguri energjetike, por rrit edhe barrën financiare për qeverinë dhe konsumatorët.
Për të adresuar këtë problem, është jetike që përveçse të diversifikojmë burimet tona të energjisë, duhet të investojmë në teknologji të avancuara të ruajtjes së saj.
Teknologjitë si Thermal Energy Storage (ruajtja termike e energjisë) dhe bateritë e kapacitetit të lartë mund të ndihmojnë në ruajtjen e mbiprodhimit gjatë periudhave me prodhim të lartë, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm gjatë periudhave të thatësirës ose krizave të tjera. Përveç ruajtjes së energjisë, një përmirësim i infrastrukturës aktuale të rrjetit të shpërndarjes është i domosdoshëm për të rritur efikasitetin dhe për të ulur humbjet e energjisë. Këto përmirësime jo vetëm që do të forcojnë sektorin energjetik, por do të ndihmojnë edhe në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, duke zvogëluar nevojën për importe të shtrenjta të energjisë.
Diaspora Bonds mund të shërbejnë si një zgjidhje e shkëlqyer për të financuar këto investime kritike. Ato do të mundësonin mobilizimin e kursimeve të diasporës për të ndërtuar një sektor energjetik më të qëndrueshëm dhe të pavarur, duke pozicionuar potencialisht Shqipërinë si një eksportues neto të energjisë në rajon dhe do të zvogëlonin nevojën për importe të shtrenjta të energjisë.
Një program i përbashkët i bonove të diasporës shqiptaro-kosovare, duke ndjekur shembullin e Diaspora Bonds të emetuara në Kosovë, jo vetëm që do të forconte lidhjet ekonomike midis dy vendeve tona, por edhe do të kontribuonte në forcimin e unitetit kombëtar. Duke investuar së bashku në teknologjitë e avancuara të energjisë dhe përmirësimin e infrastrukturës, ne mund të krijojmë një bazë të fortë për një të ardhme të përbashkët energjetike dhe ekonomike, duke përmbushur objektivat tona strategjike dhe duke përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian. Kjo qasje do të ndihmojë në sigurimin e një të ardhme energjetike më të qëndrueshme, më të sigurt dhe më të pavarur për Shqipërinë dhe Kosovën.
Vizioni që Partia Demokratike ka për të ardhmen e vendit, është ai i një Shqipërie ambicioze dhe rrezatuese, që nuk do të jetë më e njollosur nga skandalet korruptive, varfëria e tejskajshme, bandat kriminale dhe hemorragjia e ikjes së rinise , por e mbështetur mbi vlerat e saj më të mira,e cila mund të ndërtohet vetëm duke energjizuar ekonominë dhe duke mbajtur gjallë lidhjen me diasporën tonë të fuqishme.
Diaspora Bonds përfaqësojnë një strategji konkrete drejt këtij vizioni, duke ofruar një mundësi për shqiptarët kudo që ndodhen të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit të tyre.
Në këtë rrugëtim, Shekulli Shqiptar do të jetë periudha kur Shqipëria rigjen veten, ndërton urat e atdhetarizmit dhe përfiton nga kontributi i diasporës për të krijuar një shtet më të fortë dhe më të begatë për të gjithë shqiptarët.