Nga Ardi Stefa
Rrëmbimi dhe dhunimi i pamëshirshëm i një qytetari protestues, si ai i ditës së djeshme në Zvërnec, në mes të ditës dhe përpara syve të Policisë së Shtetit, nga individë të maskuar që paraqiten si pjesëtarë të një policie private, është një nga ato ngjarje që na tregojnë fytyrën e vërtetë të realitetit shqiptar; është një akt skandaloz e banditesk që dëshmon se sa e frikshme është situata dhe cila është gjendja reale e demokracisë në Shqipëri.
Akti i djeshëm është pasoja e shkaqeve të thella!
Nuk bëhet fjalë thjesht për një incident. As për tejkalim kompetencash. Është një fenomen shumë më i rrezikshëm. I krijimit të strukturave që veprojnë mbi ligjin, përballë ligjit dhe, në disa raste, me arrogancën e atyre që besojnë se ligji nuk i prek.
Nuk po i hyj diskutimit nëse prona është grabitur, është private, me dokumente të rregullta ose jo. Kjo është çështje tjetër, e cila kërkon transparencë, hetime të thella, të drejta e të paanshme.
Problemi qëndron se në një vend që pretendon të ndërtojë shtetin e së drejtës dhe të integrohet në Bashkimin Europian, policia private nuk mund të sillet si forcë paramilitare. Nuk mund të rrëmbejë qytetarë. Nuk mund t’i mbajë ata peng. Nuk mund të ushtrojë dhunë fizike. Nuk mund të vendosë vetë se kush ka të drejtë të protestojë dhe kush jo. Dhe, mbi të gjitha, nuk mund të sulmojë ditën me diell edhe vetë Policinë e Shtetit me spray apo mjete të tjera.
Kur një strukturë private arrin të veprojë si organizatë paramilitare, atëherë duhet të pyesim veten si shoqëri: Kush ua ka krijuar bindjen banditëve me maska, mercenarëve të droguar se mund të sillen si shtet brenda shtetit dhe se mund ta bëjnë këtë gjë pa pasoja?
Prandaj reagimi i Policisë së Shtetit ishte i domosdoshëm dhe i drejtë. Por reagimet administrative apo deklaratat publike nuk mjaftojnë. Problemi nuk zgjidhet me distancime verbale, ndjesa apo justifikime. As me shkarkimin e një drejtuesi policie. Problemi zgjidhet me arrestime, me hetime të plota dhe me ndëshkime shembullore të të gjithë atyre që fyejnë shtetin dhe vrasin demokracinë.
Sepse kur qytetarët dhunohen në sy të institucioneve; kur njerëz me maska marrin përsipër funksione që i përkasin vetëm shtetit; kur forca private sillet si autoritet publik, kufiri mes shtetit dhe xhunglës fillon të zhduket.
Nëse këta persona gangsterë nuk përballen me drejtësinë, mesazhi që i jepet shoqërisë se “Ligji nuk është i njëjtë për të gjithë”, është i qartë dhe aspak shpresëdhënës. Dhe ky është fillimi i fundit të çdo demokracie funksionale.
Prandaj nuk ka më vend për deklarata të vakëta, konstatime apo këshilla. Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë urgjentisht! SPAK-u duhet të veprojë! Avokati i Popullit duhet të veprojë! Çdo institucion që ka detyrimin kushtetues për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve duhet të veprojë!
Përballë një akti të tillë nuk mjafton të thuash se je i shqetësuar.
Ose vendoset ligji, ose pranohet xhungla.
Por nëse nuk reagohet edhe kundër shkakut, kjo pasojë do të ushqejë mediat me disa klikime dhe pastaj do të harrohet.
