Një projekt me rëndësi të veçantë për historinë dhe trashëgiminë audiovizive shqiptare pritet të marrë jetë në Radio Televizionin Shqiptar. Arkiva e RTSH-së do të digjitalizohet plotësisht, falë një investimi të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila ka qenë ndër nismëtaret kryesore të këtij projekti, duke kërkuar vazhdimisht mbështetje për realizimin e tij.
Vendimi për financimin dhe realizimin e digjitalizimit është marrë nga Bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, pas përpjekjeve të vazhdueshme të drejtuesve të institucionit, me një rol të veçantë të Eni Vasilit.
Ky zhvillim konsiderohet një hap historik për transmetuesin publik, arkiva e të cilit përmban një pasuri të jashtëzakonshme materialesh filmike, televizive dhe radiofonike, që dokumentojnë dekada të tëra të jetës shqiptare.
Nga ngjarjet më të rëndësishme politike dhe shoqërore, te emisionet kulturore, koncertet, intervistat dhe figurat që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit, fondi arkivor i RTSH-së përbën një dëshmi të pazëvendësueshme të kujtesës kombëtare.
Përmes digjitalizimit, këto materiale do të mund të ruhen në formate bashkëkohore, duke reduktuar rrezikun e dëmtimit nga kalimi i kohës dhe duke lehtësuar administrimin dhe përdorimin e tyre në të ardhmen.
Për drejtimin aktual të RTSH-së, realizimi i këtij projekti përfaqëson një arritje të rëndësishme, pasi digjitalizimi i arkivës ka qenë një nevojë e hershme e institucionit.
Mbështetja e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit i hap rrugën një procesi që shkon përtej modernizimit teknologjik të televizionit publik. Ai lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen e historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Me këtë nismë, RTSH hedh një hap të rëndësishëm drejt një epoke të re, ku pasuria audiovizive e krijuar ndër breza synohet të mbrohet dhe të trashëgohet në mënyrë më të sigurt për të ardhmen.
