“MUJI DHE HALILI” – TURJAN HYSKO SJELL NJË BOTË TË ERRËT, MISTIKE DHE TË PANJOHUR NË KINEMA

“MUJI DHE HALILI” – TURJAN HYSKO SJELL NJË BOTË TË ERRËT, MISTIKE DHE TË PANJOHUR NË KINEMA

Një kalorës me një helmetë të pazakontë. Një turmë që duket sikur pret një gjykim. Një botë e mbuluar nga mjegulla. Dhe një histori për të cilën, deri tani, është thënë shumë në çdo gojëdhënë, për dy burra, Muji dhe Halili.

“MUJI DHE HALILI” është filmi i ri që po përgatitet të vijë së shpejti nga Turjan Hysko, një projekt kinematografik që, të paktën nga pamjet e para të publikuara, premton të zhvendosë ekranin shqiptar drejt një universi krejt tjetër, të errët, epik dhe të mbështjellë me mister.

Sipas të dhënave të publikuara në materialet prezantuese të filmit, Turjan Hysko është producent dhe bashkëautor i skenarit, ndërsa regjia mban autorësinë e Xhoslin Rama dhe Turjan Hysko.

Në ekipin krijues janë gjithashtu Xhoslin Rama dhe Vivjan Rama për muzikën dhe montazhin, ndërsa Aldion Kola është sound designer.

Në kastin e publikuar shfaqen emra si Capital T, Adrola Dushi, Ndricim Xhepa, Turjan Hysko, Orinda Huta, Erik Troqe, Grace McCaul, Arber Cepani, Albert Dumani, Armand Peza, Xheni Cakranji, Kristina Shoshi, Briseida Zaimi, Aldo Mustafa, Klajdi Qama, Algert Beraj, Gabriela Brahimaj, Areteo Butsi dhe Nailir Piri.

Një kast i gjerë, në një histori për të cilën publiku ende di shumë pak.

Nga pamjet e para, “MUJI DHE HALILI” duket se ndërton një atmosferë ku historia, lufta, frika dhe misteri ndërthuren.

Ngjyrat e ftohta, mjegulla, kostumet e epokës dhe figura e kalorësit krijojnë ndjesinë e një bote ku kufiri mes reales dhe legjendës mund të jetë shumë i hollë.

“MUJI DHE HALILI” pritet të publikohet së shpejti, sakaq deri atëherë, publiku mbetet nën ethet e ndoshta një filmi tjetër po aq të arrirë sa “Kazerma” e një viti më parë.