Nga një skicë në një festival: Si lindi identiteti i Dyrrachium International Theater Festival

Nga një skicë në një festival: Si lindi identiteti i Dyrrachium International Theater Festival

Përpara se të kishte skenë, artistë, publik, shfaqje apo çmime, Dyrrachium International Theater Festival ishte vetëm një ide. Një ide që nisi të merrte formë pikërisht përmes disa skicave, të cilat do të shndërroheshin më pas në identitetin vizual të festivalit.

Në një rrëfim të publikuar nga Alketa Tragaj Myshketa, ajo kujton fillesat e këtij procesi dhe mënyrën se si çdo element i logos u mendua për të lidhur historinë e Durrësit me artin e skenës.

Amfiteatri i Durrësit, si dëshmi e historisë mijëravjeçare të qytetit, Syri i Bukuroshes së Durrësit, një prej simboleve të trashëgimisë kulturore, drita e skenës dhe maskat e teatrit u bashkuan në një identitet të vetëm.

“Çdo vijë e kësaj logoje u mendua për të bashkuar dy botë: historinë e qytetit tonë dhe artin e skenës”, shprehet Tragaj Myshketa.

Kështu lindi identiteti i Dyrrachium-it, një simbol që synon të mbajë brenda vetes lidhjen mes trashëgimisë së Durrësit dhe teatrit bashkëkohor.

Por, siç thekson autorja e këtij rrëfimi, një ide nuk bëhet realitet vetëm.

Në këtë rrugëtim, ajo shpreh mirënjohjen për stafin e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, veçanërisht për njerëzit që punuan pas skene, larg vëmendjes së publikut dhe duartrokitjeve, për ta bërë të mundur realizimin e festivalit.

Sot, pas zhvillimit të edicionit të parë, Dyrrachium International Theater Festival 2026 nuk është më vetëm një ide në skica. Është një ngjarje e re kulturore që i është shtuar jetës artistike të Durrësit dhe tashmë është pjesë e historisë së tij teatrore.

Një histori që nisi nga një vizion, mori formë në një logo dhe u shndërrua në një festival.