Qyteti i lashtë, nisi të shkruaj një histori të re: “Dyrrachium International Theater Festival”

Nga Aldo Mustafa

Prej vitesh mendoja se Durrësit i mungonte një gjë. Jo një tjetër koncert, event veror, apo aktivitet që përfundon sapo fiken dritat. I mungonte një festival teatri që ta nxirrte qytetin përtej kufijve të tij dhe ta vendoste sërish në hartën e artit.

Dhe, në një moment, dikush vendosi ta bëjë.

Ka kohë që Durrësi i është rikthyer teatrit. Mbrëmjet në sallën e “Teatrit Aleksandër Moisiut” kanë qenë gjithnjë e më të gjalla, sallat të mbushura dhe publiku, herë i ri e herë i ardhur rishtazi, ka nisur ta rigjejë atë marrëdhënien e vjetër me skenën. Por një festival ndërkombëtar ishte diçka tjetër.

Drejtoreshën aktuale të Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Alketën, e kam njohur disa vite më parë. Më kujtohet si një grua me ide dhe vizion. Por ne të gjithë e dimë se ka ide që mbeten në letra. Plane që duken bukur në një dokument dhe aty përfundojnë.

Kjo nuk ndodhi me Alketën.

Me ardhjen e saj në drejtimin e qendrës, në teatrin e Durrësit nisi të ndihej një tjetër frymë pune. Një mënyrë tjetër për ta parë skenën, për ta organizuar atë dhe mbi të gjitha, për ta menduar teatrin jo vetëm si një institucion lokal, por si një derë që mund të hapet edhe përtej qytetit.

Kështu erdhi “Dyrrachium International Theater Festival”.

Kur e lexova për herë të parë njoftimin se Durrësi do të kishte një festival të tillë, i shkrova menjëherë urimet e mia. Si një njeri që e do teatrin dhe si dikush që ka lindur në këtë qytet, duhet ta pranoj se e prisja prej vitesh një moment të tillë.

Durrësi e meriton!

Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, Durrësi e ka historinë, hapësirat dhe publikun për ta bërë këtë festival edhe më të madh në vitet që do të vijnë.

Festivali nisi më 15 shtator dhe vazhdon deri më 25 shtator, gjashtë trupa teatrore nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania do të sjellin shfaqjet e tyre në dy prej hapësirave më karakteristike të qytetit: Amfiteatrin Antik dhe Muzeun Etnografik.

Qyteti në një farë mënyre, po bëhet vetë skenë.

Dje, sapo u ktheva nga puna, kontaktova menjëherë Julianën, personin përgjegjës për komunikimin me median. Pa një, pa dy, më mundësuan një vend si gazetar për të parë “Pylli”, shfaqjen e regjisorit Erson Zymberi, të sjellë në Durrës nga trupa e Teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit.

Në një tjetër kohë, ndoshta do të ishte thjesht një mbrëmje teatri. Por kjo nuk ishte thjesht një mbrëmje teatri.

Ishte një prej atyre netëve kur një qytet po provon diçka për herë të parë.

Alketa më herët kishte thënë në një intervistë për mediat se kjo duhej të ishte një festë. Dhe ishte një zgjedhje e bukur fjalësh. Sepse, ndërsa në Hagë pritej një tjetër përgjigje dhe drejtësia vazhdonte rrugën e saj për të vendosur balancat e veta, këtu, në Durrës, skena duhej të vazhdonte.

Teatri duhej të vazhdonte.

Me të mbërritur në teatër, takova Alketën. E kam parë edhe më herët se si e përjeton çdo shfaqje dhe çdo event në një nivel që shkon përtej punës së zakonshme. Nuk është thjesht një detyrë që duhet përfunduar. Ka një lloj përfshirjeje shpirtërore që e kupton vetëm kur e sheh nga afër dhe kur punon pranë saj.

Dhe në çdo mbrëmje, kishte shumë për të parë.

Sepse pas një festivali të tillë nuk qëndrojnë vetëm emrat në program, aktorët, regjisorët dhe juria. Pas tij qëndron një staf i tërë.

Çdo natë, skena përgatitej me përpikëri. Organizimi i publikut, karrigeve, dritave, efekteve, hapësirave dhe çdo detaji tjetër kërkonte një punë intensive. Trupat artistike vinin me shfaqjet e tyre, por pesha e organizimit, barra e përgjegjësisë dhe ajo pjesa që publiku zakonisht nuk e sheh, mbetej mbi Teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Dhe kjo është ajo pjesë e teatrit që rrallë duartrokitet.

Kur spektatori hyn në sallë, gjithçka duhet të duket sikur ka ndodhur vetë.

Karriget ishin zënë. Publiku kishte ardhur. Dhe, siç ndodh me festivalet e vërteta, çdo shfaqje po gjente publikun e vet. Njerëz që nuk braktisnin trupat artistike, që qëndronin deri në fund dhe që, pas përfundimit të shfaqjes, nuk ngriheshin thjesht për të dalë nga salla.

Duartrokisnin… disa minuta rresht.

Pikërisht aty kupton se një festival nuk ndërtohet vetëm me një program të mirë. Ndërtohet me marrëdhënien që krijohet mes skenës dhe atyre që ulen përballë saj.

Edicioni i parë i “Dyrrachium International Theater Festival” ka edhe një tjetër element të rëndësishëm: një juri profesionistësh të teatrit, me Bashkim Hoxhën, Nikola Kimovskin, Dr. Rovena Lule Kuka, Arian Krasniqin dhe Arben Derhemin. Pesë emra nga fusha të ndryshme të teatrit, të vendosur për të vlerësuar shfaqjet që po kalojnë nëpër këtë skenë të re ndërkombëtare.

Por për mua, nata përfundoi shumë thjesht.

Dritat u fikën.

Skena u ul.

Dhe për disa sekonda mbeti ajo ndjesia e çuditshme që të jep teatri kur mbaron një shfaqje, gjithçka që sapo ndodhi duket sikur është zhdukur, por në të vërtetë ka mbetur diku.

Në kujtesën e atyre që e panë.

Në mes të arenës dikur të gladiatorëve, ku sot më furishëm se kurrë ndeshen mendimet që shfaqjet dhe ngjarje të tilla të lënë në mendje.

Në duartrokitjet që zgjatën më shumë seç pritej.

Në njerëzit që punuan pas kuintave.

Dhe, ndoshta, në historinë e qytetit.

Nuk e di çfarë ndjesie do të ketë stafi i teatrit kur i gjithë ky festival të përfundojë. Ndoshta lodhje. Ndoshta lehtësim. Ndoshta krenari.

Unë di vetëm një gjë, me Alketën në krye dhe me gjithë njerëzit që e mbajtën këtë organizim mbi supe, ata janë bërë pjesë e një historie që mund të mbahet mend gjatë në Durrës.

Çdo festival i madh dikur ka qenë një festival i parë.

Dhe ky është i pari i Durrësit.

Ndoshta pas disa vitesh do të flasim për edicionin e parë si për atë momentin kur gjithçka nisi. Do të ketë më shumë trupa, më shumë vende, më shumë spektatorë dhe ndoshta një festival shumë më të madh.

Por gjithmonë do të mbetet një shtator i vitit 2026, kur historia, kujtesa dhe teatri u takuan në të njëjtin qytet.

Kur Durrësi u bë skenë.

Dhe dikush, më në fund, e nisi.