BEYONCÉ FESTON DITËLINDJEN ME “B’DAY” – Album & emra surprizë

BEYONCÉ FESTON DITËLINDJEN ME “B’DAY” – Album & emra surprizë

Një nga albumet më të rëndësishme të karrierës së Beyoncé rikthehet sot në një version të zgjeruar, pikërisht në ditëlindjen e artistes. “B’Day” mbush 20 vjet dhe festën e madhe e sjell me materiale të rralla, këngë të padëgjuara më parë dhe disa prej bashkëpunimeve më surprizuese të karrierës së saj.

Ka data që bëhen histori. Dhe 4 shtatori është tashmë një prej tyre për fansat e Beyoncé.

Sot, teksa superylli amerikan feston 45-vjetorin, “B’Day”, albumi i saj i dytë solo, feston gjithashtu 20-vjetorin e publikimit. I lançuar më 4 shtator 2006, albumi shënoi një moment vendimtar në karrierën e artistes nga Houston, duke e konsoliduar përfundimisht si një prej figurave më të mëdha të pop-it botëror.

Për këtë përvjetor, Beyoncé nuk ka zgjedhur thjesht një remaster të albumit. “B’Day (20th Anniversary Deluxe Edition)” vjen si një udhëtim i zgjeruar në një prej periudhave më ikonike të karrierës së saj, me 31 këngë, materiale të papublikuara, versione alternative, remixe dhe rikthime në gjuhën spanjolle.

SELENA QUINTANILLA – TAKIMI QË BËN HISTORI

Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e botës së showbiz-it është padyshim Selena Quintanilla.

Në versionin e ri të “Irreemplazable (Como La Flor)”, Beyoncé bashkon versionin e saj në spanjisht të “Irreplaceable” me vokalet e Selenës nga kënga ikonë “Como La Flor”.

Është një bashkëpunim postum dhe një moment jashtëzakonisht simbolik: dy artiste nga Texas-i, dy zëra të fuqishëm dhe dy figura që kanë kapërcyer kufijtë kulturorë përmes muzikës. Për realizimin e këtij dueti është dhënë autorizimi nga trashëgimtarët e Selenës, duke e bërë këngën një prej surprizave më të mëdha të këtij përvjetori.

Lidhja e Beyoncé me Selenën nuk është e re. E rritur në Houston, Beyoncé ka treguar prej vitesh se e dëgjonte Selenën dhe se muzika e saj ndikoi në interesin që ajo zhvilloi për kulturën latine dhe gjuhën spanjolle.

NGA SHAKIRA TE MALUMA – NJË “B’DAY” ME SHIJE LATINE

Por Selena nuk është e vetmja surprizë.

Në edicionin e ri rikthehet edhe Shakira, përmes hitit “Beautiful Liar”, ndërsa një prej risive më të mëdha është bashkëpunimi me Maluma në “Cuerpo (Tumbao)”, një version i ri i “Get Me Bodied”.

Kënga sjell një përzierje të pop-it, R&B-së dhe muzikës latine dhe përfshin një sample nga klasikja e të ndjerës Celia Cruz, “La Negra Tiene Tumbao”.

Pra, Beyoncé nuk po feston thjesht 20 vite nga “B’Day”. Ajo po rikthen një kapitull të rëndësishëm të karrierës së saj duke e lidhur atë me disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës latine.

Në listën e bashkëpunimeve spikat edhe Alejandro Fernández, me të cilin Beyoncé interpreton “Amor Gitano”, një këngë e regjistruar fillimisht për projektet e saj në spanjisht dhe që tashmë është pjesë e edicionit të përvjetorit.

20 VITE “B’DAY” – DHE NJË TJETËR BEYONCÉ

Edicioni i ri nuk ndalet te bashkëpunimet.

Fansat do të gjejnë edhe këngë të nxjerra nga arkivat e artistes, mes tyre “Morning Dew (Donk)”, “My First Time”, “Lost Yo Mind”, “Creole”, “Back Up” dhe “Can I Watch You”, kjo e fundit e prodhuar nga Beyoncé dhe Pharrell.

Dhe nëse 20 vite më parë “B’Day” shënoi një Beyoncé që po merrte kontrollin e plotë mbi identitetin e saj si artiste solo, versioni i vitit 2026 duket si një kujtesë se ajo histori nuk ka përfunduar kurrë.

Në ditëlindjen e saj, Beyoncé i bën vetes dhe fansave një dhuratë të veçantë: rikthen “B’Day”, por këtë herë me dy dekada histori, nostalgji, zëra legjendarë dhe një urë të fuqishme mes muzikës amerikane dhe asaj latine.

Dhe mes të gjitha surprizave, është pikërisht zëri i Selenës që e bën këtë rikthim shumë më tepër se një përvjetor.

Është një takim muzikor që, edhe pse vjen 31 vite pas ndarjes nga jeta të Selenës, e sjell sërish zërin e saj në qendër të skenës botërore këtë herë krah Beyoncé.