Pak vite më parë të bëje një tatuazh shihej me paragjykim edhe pse historia na tregon se tatuazhet nuk janë një shpikje e modernizmit, por një kulturë mbi 7000 vjeçare. Tashmë tautazhet nuk i bëjnë vetëm të rinjtë.
Erxhano Rexhepi nga qyteti i Durrësit na surprizon me faktin se kohët e fundit është rritur interesi i moshës së tretë të cilët duan të përjetësojnë në shumicën e rasteve, kujtimet e nipërve dhe mbesave.
“Flasim për një trend të ri. Mosha 30-40 është normale për ne, por ka filluar të vijë dhe mosha e tretë. Gjyshërit kërkojnë tatuazhe me emrat e nipërve të tyre, simbole të ndryshme. Si për shembull një sportist i njohur ka bërë duart e mbesës tek kurrizi”, tha Erxhano Rexhepi.
Numrin më të lartë të personave që bëjnë tatuazhe minimaliste e mbajnë vajzat dhe gratë e moshave 30-40 vjeç.
“Më përpara ka qenë problem sepse prindërit nuk donin dhe ndikonin sidomos tek vajzat, por sot është ndryshe. Tani shiko se më shumë bëjnë vajzat tato. Janë tek figurat minimaliste, ndërsa djemtë të zgjerohen. Mbushin krahun”, shtoi ai.
Ndërkohë që shumë njerëz mund të mendojnë se bërja e një tatuazhi do të shkaktonte dhimbje, Erxhano e mohon duke e demonstruar tek një klient. Mirëmbajtja mbetet një moment tjetër kyç i bërjes së tatuazhit.
“Unë e aplikoj me plastikë që të mos ketë kontakt me ajrin për dy orë. Më pas këshillojmë përdorimin e shampos speficike dhe kremit. Ne këshillojmë që klientët të mos dalin në diell deri në 10 ditë pasi kanë kryer tatuazhe, sepse dielli dëmton dhe mund të krijojë plagë”, përfundoi Rexhepi.