Flori Kasaj: 88 vjetori i lindjes së Kadare na gjeti të “ngërthyer” pas Big Brother VIP.

Flori Kasaj: 88 vjetori i lindjes së Kadare na gjeti të “ngërthyer” pas Big Brother VIP.

88 vjetori i lindjes së kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare, ikonës sonë letrare që përfaqëson dhe krenon Shqipërinë anë e mban botës, na gjeti si shoqëri të ngërthyer mbas “Big Brother VIP”.

Shoqëria është gjithmonë në zhvillim duke ndryshuar dhe transformuar sjelljet e saj, orientimi i së cilës po lë të kuptohet që është në drejtim të kundërt me vlerat dhe kulturën. Fjala “VIP” është duke u keqpërdorur. Statusi VIP, mendoj se duhet t’ju jepet njerëzve që kanë një përgjegjësi të caktuar publike, apo individëve të cilët përfaqësojnë dhe përcjellin vlera morale dhe virtyte.

Ismail Kadare, një figurë legjendare që ka kontribuar për vite me radhë në letërsinë shqipe duke e pasuruar bibliotekën e literaturës shqipe, si edhe të huaj me vepra të përkthyera në rreth 45 gjuhë të ndryshme. Në ushqimin e mendjes dhe shpirtit nuk kanë sesi të më mungojnë në bibliotekë, veprat e të madhit Kadare, të cilat ndodh që edhe t’i rilexoj. Krijimet e Kadaresë janë të vlerësuara me dhjetra çmime, si kombëtare ashtu dhe nga kritikë të jashtëm, pjesë e kandidaturave për çmimin Nobel. Si të tilla, duhet të kenë “mbështetjen” e madhe të shumë lexuesve, kryesisht edhe nga lexues të rinj. Kadare është një kolos letrar, personalitet, që na i shton vlerat si komb, na bën të ndihemi krenar. Ne jemi një vend i vogël me një “soft-power” ku identifikohemi në botë nëpërmjet njerëzve si Kadare.

Jetë sa më të gjatë dhe me shëndet Kadare! Veprat e tua jetofshin përgjithmonë!

Flori Kasaj, ekspert në fushën e arsimit në Shqipëri.