Poezia “Përherë diçka do të shembet, Rebeka”, e poetes Alisa Velaj, është hartuar si një bisedë e drejtpërdrejtë e zërit lirik me një “ti” apo “vajzuke”, që e ka emrin Rebeka, për vuajtjen e thellë emocionale të Rebekës pas ndarjes me të dashurin. Poezia zbulon tërthoras se edhe zëri lirik ka kaluar nëpër të njëjtën përvojë e përjetim emocional, gjë të cilën e vërteton strofa e pestë, me kthimin e ligjërimit në vetën e parë shumës, nga i cili përftohet unifikimi i të dy subjekteve, fillimisht në gjininë gramatikore: “Harrim i harruar bëhemi Rebeka./ Stivojmë harlisjet thellë në vete dhe ecim,/ ecim nën hijen e trungjeve,/ duke i thurur himne një gjetheje.”
Por ky këmbim ligjërimor nënkupton edhe përvojën jetësore të përbashkët, për pasojë, edhe gjininë natyrale të njëjtë të të dy subjekteve. Të gjitha këto shenja nuk e pengojnë aspak tekstin të paraqitet jo vetëm si një formë etike ngushëllimi a mbështetjeje moral-psikologjike për Rebekën, por njëherësh edhe si formë e rafinuar alegorie. E nëse mund të thuhet se poezia shfaq edhe natyrë alegorike, atëherë ana aq konvencionale e mënyrës dialoguese dëshmon funksionin përfundimtar të tekstit si monolog, meqë nuk shfaqet asnjë lloj përgjigjeje a reagimi nga “tjetra”.
Ky dyzim si në aspektin referencial (poezia përbën alegori apo është thjesht një “letër” për Rebekën?), i jep karakter të dyfishtë edhe tipologjisë gramatikore të tekstit: ligjërim në vetën e dytë, njëherësh edhe “monolog mbi të brendshmen”. Atëherë veta e dytë këtu paraqitet po aq formale sa edhe kur poetët u drejtohen drurëve, reve, apo zogjve, raste për të cilat ne flasim për personifikim. Mirëpo këtu mundësinë e personifikimit e zhvlerëson “personi” Rebeka. Kështu që, në rrafshin alegorik të domethënies, ligjërimi është ndërtuar duke pasur veten si adresë dhe pikë referimi!
Gjithsesi zëri lirik formalisht mban një distancim moralizues, por kuraja që “ajo” i jep tjetrës zbulon prejardhjen që rrjedh veç nga përvoja personale. Hollësia e detajeve si dhe numërimi gjer në nuanca psikologjike aq të holla të përjetimit, janë një argument në të mirë të kësaj natyre të dyfishtë të këtij tipi lirike. A mund të flasim për një karakter përgjithësues të kësaj problematike sociale? Sigurisht.
Logjikisht teksti duket si një dedikim autobiografik ndaj gjendjes në një situatë emocionale të nderë të subjektit poetik si dhe dramatizuese për lexuesin. Në fund të fundit, këtu shtrohet tema e situatës së ndarjes së një vajze, e humbjes së njëanshme dhe të padëshiruar të dashurisë “së jetës”. Dhe timbri aq racional (në disa stilema) i zërit lirik, sidomos kur e ngushëllon Rebekën dhe e fton atë si për kapërcimin e gjendjes, ashtu edhe për harresë, duket sikur sa thua “dashuri”, në kohën e sotme, ke thënë njëkohësisht edhe ndarje, si diçka që vjen domosdo në një fazë të caktuar të dashurisë, e cila duhet konsideruar më tepër “pjesë” përbërëse, sesa “fat” i dashurisë – mënyrë përfundimi e saj. Dhe kjo dukuri normale e kohëve moderne është pothuajse e kundërt me llojin e dashurisë që karakterizonte “epokën romantike”!
Ky është shkaku më i thellë për ta cilësuar këtë poezi si alegori dhe për ta përfshirë ndoshta edhe vetë autoren në objekt e subjekt të poezisë, së bashku me zërin lirik konvencional i cili na “flet” tekstin, por pa e harruar as Rebekën (si një alter ego).
Poezia është e shkruar, me ndjenjë, frymëzim dhe mençuri poetike. Ka mjaft gjetje artistike, figura, detaje dhe forma “arsyetimi” që kryejnë funksione të ndryshme – oksimoron, hiperbolë etj. Shembulli në vazhdim është më kompleks sesa një formë/mënyrë zmadhimi, sepse ka edhe ravijëzime të qarta të analizës së gjendjes psikologjike: “Ti kupton shumë, aq shumë sa s’të nevojitet Rebeka”.
Nga Alisa VELAJ
PËRHERË DIÇKA DO TË SHEMBET, REBEKA!
(gjithnjë ka një mbrëmje që s’i duhet askujt.)
Fatos Arapi
Rebeka!
Trishtuar gjer në majën e flokut,
trishton veten dhe tingujt në kitarën e harruar.
Jashtë është gushtovjeshtë.
“Ende nuk është shembur çdo gjë,
ende nuk është shembur…”,
mendon ti e lëmekur me sytë nga qielli.
Ç’kërkon më tepër ti, vajzuke,
ç’kërkon më tepër?
Shtëpia e këngës të strehon pambarim,
ndërsa ajo pemë në kopsht ka vdekur!
Pranoje atë pemë në shpirt, vajzuke!
Me pamjen më të harlisur të një dite prilli.
Prehje për të qe vjeshta që shkoi.
Kjo që po vjen është harrim i harrimit.
Harrim i harruar bëhemi Rebeka.
Stivojmë harlisjet thellë në vete dhe ecim,
ecim nën hijen e trungjeve,
duke i thurur himne një gjetheje.
Ti kupton shumë, aq shumë sa s’të nevojitet Rebeka.
Ndan netëve të dimrit çdo pikëz dite nga nata,
pastaj arratisesh në guva ku asnjë rreze s’të mbërrin.
Të kujtohet kur nanuriseshe nëpër tinguj,
ndërsa i dashuri yt përkëdhelte ty dhe kitarën?
Atë kohë u vyshkën tërë lulet mosmëharro në kopshtin tënd.
Por kurrë nuk ditëm në munde t’i shihje…
Ishte mbrëmje e qetë tetori e ti shpërfillëse ndaj aromave,
jetoje këngën tënde.
Ajo vyshkje qe thjesht një ndodhi.
Po sot, pse u dashka të pikëllohen dhe qiejt për ty?
Ka mbrëmje dhe vyshkje që s’do t’i duhen askujt.
Sikur ka përherë diçka që shembet,
e as kjo kurrkujt nuk do t’i duhet
një ditë!