Bukuritë e shumta të plazhit të pastër të Kallmit në Durrës nuk kanë bërë që bashkia të ketë një plan rehabilitues të infrastrukturës rrugore, e aq më pak plan menaxhimi për mbetjet urbane që depozitohen nga turistët në këtë zonë e sidomos gjatë fundjaveve.
I pozicionuar vetëm 15 minuta larg qendrës së qytetit të Durrësit, në pjesën perëndimore të kodrave të qytetit, me 0.5 metra lartësi mbi nivelin e detit, gjendet plazhi shkëmbor i Kallmit, i cili është në listën e atyre pak plazheve të virgjëra të qytetit të Durrësit. Formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve detare, ky territor ka vlera shkencore gjeomorfologjike dhe didaktike. Për shkak të pozicionimit të tij, ky plazh është i vizitueshëm vetëm nëse kalon nëpërmjet rrugës së plazhit të Currilave, ndërsa vija bregdetare e plazhit të Kallmit, arrin një shtrirje prej 3 kilometrash në një terren të thyer ku për automjetet pothuajse është e pamundur të kalohet në shumë pjesë.
Fillimisht duhet të përshkosh një pjesë të kodrave të Currilave, nga ku nuk mund të dallosh vijën bregdetare. Kjo rrugë si në një pjesë të konsiderueshme të kësaj zone, është rrugë e dëmtuar dhe ranore, ku nëse shkon me automjet, shtëllungat e rërës do të mbulojnë ajrin. Pasi ke përshkuar këtë terren, nis të shohësh det në horizont, ndërkohë që ky peizazh arrin të shihet nga pjesa e sipërme e një kodre rreth 30 metra mbi nivelin e detit, ku përfundon plazhi i Currilave dhe aty ku nis plazhi i Kallmit.
Për të arritur në pjesën e poshtme të plazhit të Kallmit, duhet të ecësh në këmbë përmes shtigjeve të krijuara nga kalimtarë të cilat nuk kanë infrastrukturë as për këmbësore, por janë shtigje të krijuara frekuentimet e shpeshta të pushuesve që njohin këtë plazh. Sakaq teksa zbret në pjesën e plazhit, dallon që ndryshe nga pjesa tjetër e plazheve që jemi mësuar të shohim në Durrës, në plazhin e Kallmit ka shkëmbinj nënujorë, shkëmbinj në shumë pjesë të plazhit dhe gjithashtu guralec të cilët mbulojnë të gjithë sipërfaqen në këtë zonë. Deti në këtë zonë nuk është i thellë dhe për të arritur në thellësi, duhet të kalosh një terren të vështirë ujor përmes shkëmbinjve, gurëve dhe iriqëve të detit që për këtë zonë janë karakteristike.
Ajo çfarë të vret syrin hera herës në plazhin e Kallmit, është dhe papastërtia në disa zona, pasi pushuesit nuk janë të ndërgjegjësuar të gjithë për të hequr mbeturinat, aq më tepër që Bashkia Durrës, thuajse nuk e konsideron në asnjë shkallë, ekzistencën e këtij plazhi dhe nevojën për mirëmbajtje. Edhe pse për automjetet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, ky plazh është i paaksesueshëm, mungon organizimi i grupeve të punëtorëve të pastrimit, për të zbritur në këtë pjesë plazhi ku mund të heqin mbeturinat e grumbulluara që mbeten aty dhe tërhiqen nga deti në rastet kur zona përfshihet nga stuhitë e dimrit.
Ilir dhe Julinda Hysa, një çift bashkëshortësh të rikthyer nga emigracioni për të kaluar pushimet në Durrës, kanë zgjedhur plazhin e Kallmit këtë fundjavë si një oaz qetësie, por edhe vend kujtimesh.
“Kemi ardhur në këtë plazh kur ishim të rinj, ndoshta 15-16 vjeç dhe mbaj mend asokohe, ndiqnim rrugën sipër kodrës së Currilave e cilat lidhet me një ndër lagjet e Durrësit, e njohur si lagjja e re, kalonim nga fabrika e tullave, ku prodhoheshin dikur tullat e kuqe dhe dilnim në plazhin e Kallmit. Atëherë ishte kënaqësi pasi mbushej me të rinj dhe jo çdokush mund të vinte, pothuajse si sot, një vend i qetë. Rrugën kështu e mbaj mend gjithnjë, shtigje që bëheshin nga hapat e atyre që vinin në plazh dhe mesa shoh ende vazhdon të mbetet e tillë”, shprehet Iliri për Porta Vendore.
Ndërsa bashkëshortja e tij ndan një mendim të veçantë nga shumica e pushuesve në lidhje me infrastrukturën e kësaj zone të pa investuar.
“Është më mirë që nuk kanë investuar në infrastrukturë në këtë zonë. Nëse do të investojnë duke bërë rrugën, ky vend do të privatizohet, do të shkatërrohet nga ndërtimet që sa herë vijmë në Shqipëri, thuajse nuk arrijmë të njohim as lagjet tona. Rruga është e keqe për të ardhur, por këtu një pjesë e këtij plazhi është privatizuar në këto kushte që jemi, merre me mend se çfarë bëhet nëse do të bëjnë dhe një rrugë, do të nisi ndërtimi deri në det”, shprehet Julinda.
Pavarësisht pëlqimit që ky plazh ka sidomos tek durrsakët e vjetër, duket se është e vështirë që ky plazh të përfshihet në planin e zhvillimit urban të Bashkisë Durrës në shumë aspekte. Te vetmet metra në të cilat rruga mund të jetë e shtruar me asfalt, por në mënyrë jo-profesionale, është vetëm pranë atyre pak bizneseve që ndodhen në këtë vijë. Sakaq në pjesën më të madhe të tij, plazhi i Kallmit, pothuajse ka një mungesë totale të infrastrukturës rrugore, çfarë e bën të paarritshëm për ata të cilët nuk duan të ecin disa kilometra në këmbë, në temperaturat e larta të stinës së verës.
Më herët Bashkia Durrës në qershor 2020, për Portën Vendore ka shprehur se ka një plan për këtë zonë, por duket se planet përherë kanë mbetur në letra për shkak se ky institucion e ka të pamundur për të përballuar shpenzimet e një projekti për të rehabilituar këtë zonë.
Për disa biznesmen të cilët zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë zonë, bëhet me dije se kërkesat e tyre ,madje edhe ato më modestet që i janë drejtuar Bashkisë Durrës, nuk janë marrë asnjëherë parasysh.
“Kemi me vite që punojmë në këtë zonë dhe kemi kryer pothuajse çdo vit ankesa dhe kërkesa ë ndryshme në bashki, ku jemi të gatshëm edhe në të bashkëpunojmë dhe të japim kontributin tonë për zhvillim të kësaj zone. Deri më tani nuk kemi asnjë gjë konkrete, çdo kërkesë shkon në vesh të shurdhët”, shprehet një biznesmen për Porta Vendore.
Ndërkohë që duket se natyra i ka falur plazhit të Kallmit jo vetëm disa gjinj të veçantë të cilat janë oaze të qetësisë dhe natyrës, terrenin shkëmbor të ndërthurur më atë ranor në disa zona dhe bimësinë karakteristike të kallamishteve të cilat ruajnë terrenin nga erozioni dhe i japin Kallmit emrin që ka, duket se përsa kohë nuk ka investime nga Bashkia Durrës, zhvillimi ose shkatërrimi i këtij plazhi nga investimi i kërkuar, do të mbetet një medalje tek e cila nuk dihet se cila anë mund të mbizotërojë./Porta Vendore