Premiera “10 vjet martesë” – Komedia e regjisores Andia Xhunga

Premiera “10 vjet martesë” – Komedia e regjisores Andia Xhunga

Me autor Alil Vardar dhe regji të regjisores Andia Xhunga, komedia “10 vjet martesë” vjen si premierë për dashamirësit e teatrit.

Aleks, që e ka harruar ditën e përvjetorit të 10 të martesës, zgjedh mbrëmjen e gabuar për t’i kërkuar divorcin Lizës. Një komedi për martesën dhe keqkuptimet e shumta në jetën e një çifti.

Një surprizë e hidhur në përvjetorin e 10 të martesës. Ndërsa Liza i ka përgatitur bashkëshortit Aleks një surprizë të bukur, ky i fundit e trondit duke i kërkuar divorcin. Kështu nis komedia “10 vite martesë” e autorit belg Alil Vardar, e cila pati premierën e saj mbrëmjen e së premtes në teatrin e qytetit të Durrësit.

Përmes situatave plot humor e batutave hidh e prit Andia Xhunga dhe Gentian Zenelaj, u sollën për publikun durrsak të qeshura pa fund.

E përshtatur për publikun shqiptar, komedia e regjisores Andia Xhunga, e cila vjen edhe në rolin e protagonistes, fton edhe për disa momente reflektimi.

Pas shumë skenave në retrospektivë, ku para publikut kalojnë disa nga momentet më të veçanta të jetës së çiftit Aleks dhe Liza, fundi i pjesës teatrale është qershia mbi tortë. Artdashësit që kishin mbushur plot sallën, nuk kishin si të mos duartrokisnin gjatë lojën e bukur aktoriale të çiftit Xhunga – Zenelaj.

Interpretojnë në rolet kryesore aktori Gentian Zenelaj dhe Andia Xhunga, me përkthim të Ylljet Alicka, skenografi të Genci Shkodranit, koordinim artistik të Ersa Kena, formulim muzikor të Arli Meta dhe regji të Andia Xhunga, komedia “10 vjet martesë” do të vendoset në skenë të teatrit “Aleksandër Moisiu” në datat:

𝟮𝟬, 𝟮𝟭 , 𝟮𝟮 , 𝟮𝟳, 𝟮𝟴 & 𝟮𝟵 𝘁𝗲𝘁𝗼𝗿 në orën 19:00.