“Qyteti që rrëfen” është nisma më e fundit nga një grup informal në qytetin bregdetar të Durrësit, të njohur si “Busulla e Trashëgimisë” i cili përbëhet nga 14 të rinj të cilët do të dokumentojnë historitë e 6 prej familjeve më të vjetra të qytetit të Durrësit.
Në kohë të tilla ku origjina brohoritet me patriotizëm, por mungon aktivizmi për t’i dhënë zhvillimin e munguar, ky grup të rinjsh kanë zgjedhur të ngrenë në piedestal vlerat e vërteta të një shoqërie vetë-mohuese, me mision të qartë për të zhvilluar komunitetin në të cilin jetojnë. Geri Emiri, themelues dhe editor i medias së shkruar Amfora.al tregon për Porta Vendore sesi ka ideuar dhe implementuar këtë ide në një projekt të mirëfilltë i cili së fundmi po gjen zbatim.
Qyteti që rrëfen përfaqëson një nismë e cila synon të përmbledhë historitë e familjeve të vjetra të qytetit të Durrësit.
“Ajo që kemi në fokus nuk është mbledhja e historive të familjeve që kanë qenë shumë të pasura, apo atyre të cilat kanë pasur ndikim shumë të rëndësishëm tregtar, jo vetëm kaq, por ne kemi shtuar disa kritere. Së pari familja duhet të ketë mbi 100 vite e cila është vendosur në qytetin e Durrësit. Mund të jetë një derë e cila ka prodhuar figura të shquara që kanë ndikuar në historinë e qytetit dhe mbi të gjitha të kenë trashëgimtarë të cilët ende kontribuojnë për qytetin e Durrësit. Nisma “Qyteti që rrëfen” synon në fakt që të vendosë në vijë të parë të rinjtë. Ne kemi krijuar një grup i cili përbëhet nga 14 të rinj, të cilët do të jenë të angazhuar së bashku me ne për të shkuar dhe për të takuar pinjollët dhe familjet më të vjetra në qytetin e Durrësit. Për t’i pyetur ata për historitë e tyre, për të kuptuar dhe mësuar më shumë për jetën që kanë pasur përfaqësuesit e këtyre familjeve dhe mbi të gjitha ne sugjerojmë që të rinjve t’i ofrojmë sa më shumë modele ku dhe ata të referohen”, rrëfen Geri Emiri iniciatori i kësaj nisme.
Pavarësisht zhvillimeve që këto familje i kanë ofruar Durrësit, sot mund të jetë mjaft e vështirë gjurmimi i tyre, pasi fillimet e viteve 1990 bënë që shumë prej tyre të emigrojnë dhe një pjesë e pasardhësve të krijonin dhe zhvillonin familjet e tyre në vende të tjera, duke i lënë vendin në Durrës, familjeve të ardhura, për të cilat Geri Emiri tregon se nuk do të trajtohen si “opozitë”, por ky projekt synon ti bëjë bashkë.
“Secila nga familjet që janë të reja t’i marrin si modele, të kuptojnë që këtu ka pasur njerëz që kanë kontribuar për ndërtimin e qytetit dhe pse jo ta vazhdojnë dhe ata këtë traditë dhe të konsolidojnë rolin e tyre në hapësirën urbane të qytetit të Durrësit. Duhet të kemi parasysh që një pjesë e madhe e familjeve durrsake, kanë emigruar ndër vite, sidomos pas viteve 1990, një pjesë e tyre u zhvendosën në Itali apo në pjesën pranë Adriatikut dhe sot në Durrës ne kemi realisht një pjesë të vogël të trashëgimtarëve të familjeve të mëdha dhe kryesisht janë ata të cilët janë të moshuar, pasi të rinjtë për arsye të ndryshme kanë emigruar dhe e kanë ndërtuar jetën e tyre në Europë apo në SHBA. Është e vështirë për t’i kontaktuar pinjollët e familjeve të vjetra, sepse së pari një pjesë e tyre janë të thyer në moshë dhe mund të kenë probleme shëndetësore dhe një pjesë kanë ngarkesa të ndryshme pasi janë të angazhuar në botën e biznesit apo botën akademike”, thotë Geri, teksa vë theksin tek fakti se projekti i financuar nga Leviz Albania është në fillimet e tij, dhe deri më tani janë identifikuar një grup prej 6 familjesh kryesore nga të cilat që përfaqësojnë familjet më të vjetra në Durrës të cilat janë të vendosura përpara 100 vitesh në territorin e qytetit.
Përveç gjurmimit të familjeve me ndikim në historinë e qytetit dhe marrjes të sa më shumë dëshmive reale dhe të prekshme, një tjetër mision edhe më i vështirë është ai i afrimit të të rinjve dhe ngjalljes së interesit tek ata, për familjet që ndërtuan dhe investuan në qytetin e Durrësit. Prurjet e shumta të informacioneve online, burimet jo të sigurta dhe mungesa e filtrave, shpesh ka deformuar atë që duhet të shihet si informacion me vlerë. Vendosja e krijimit të një grupi të rinjsh të cilët do të jenë vetë “arkeologët” e kësaj ekspedite, ndikon në mënyrën sesi brezi i ri do të arrij të zbuloj dhe mësojë historinë.
Grupimi i të rinjve që janë pjesë e grupimit informal të ‘Busulla e trashëgimisë’ janë fokusuar në tre faza të rëndësishme, në origjinën e familjes, në kontributin që kjo familje ka pasur në qytetin e Durrësit dhe për rolin e trashëgimtarëve në periudhën e sotme.
“Ajo që është interesante është se ne kemi mbledhur histori nga më të ndryshmet ku shohim sesi përfaqësues të këtyre familjeve kanë pasur në fokus idealin e tyre, argumentin dhe i kanë shkuar deri në fund. Pavarësisht se kanë qenë njerëz të pasur dhe mund të mos reagonin apo të kishin prioritet ruajtjen e pasurisë së tyre, ata kanë vendosur pasurinë e tyre në funksion të interesit kombëtar. E rëndësishme për ta ka qenë ideali, i rëndësishëm për ta ka qenë qyteti dhe kauza kombëtare dhe nuk kanë qëndruar në pjesën materialiste dhe pa asnjë lloj kompromisi nuk kanë ndryshuar përpara idealit të tyre, pavarësisht se kanë pasur sanksione nga më të ndryshmet ekonomike”, vijon ai.
Mbrëmjen e së martës më datë 8 qershor, Grupimi Informal “Busulla e Trashëgimisë” organizoi një bashkëbisedim midis banorëve të qytetit, trashëgimtarëve të familjeve të vjetra dhe studiuesve të historisë. “Familjet durrsake gjithmonë kanë qenë pranuese, si vlerë më të madhe kanë pasur tolerancën”, evidentoi Redi Myshketa, trashëgimtar i Familjes Myshketa. Ai rrëfeu shkurtimisht historinë e një pjese të familjes dhe foli për gjyshin e tij, Asim Myshketa, një ndër industrialistët e parë të Durrësit dhe themelues i industrisë së parë kombëtare të orizit në vitet e monarkisë. Ky ishte takimi i parë i zhvilluar në amfiteatrin e qytetit të Durrësit, ku jo vetëm ndanë histori, por takimi u zhvillua në formën e bashkëbisedimit për të përfshirë të gjithë të pranishmit.
“Ne kemi krijuar një takim të parë publik në kuadër të javës së demokracisë vendore. Vetë nisma jonë mbështetet nga Lëviz Albania dhe synojmë që çështjet që ne trajtojmë të mos mbeten vetëm në karakterin historik, por të nxisim dhe një diskurs publik. Zhvilluam një takim në Amfiteatrin e qytetit ku kishte ekspertë të trashëgimisë kulturore, studiues të historisë së Durrësit dhe familje të vjetra. Ne njohëm modelet e përfaqësuesve të këtyre familjeve, me tregtarë, intelektualë dhe nga ana tjetër kuptuam për rëndësinë që ka trashëgimia kulturore për të rinjtë. Ne duam që së pari të nxisim të rinjtë që të reflektojnë për rrënjët e tyre”, përfundon drejtuesi i projektit Geri Emiri, i cili viteve të fundit është kthyer në aktivistit më të madh të qytetit bregdetar./Porta Vendore