7 muaj pa bonus qiraje, banorët në protestë! Bashkia: Fondet i ka bllokuar Ministria e Financave 

7 muaj pa bonus qiraje, banorët në protestë! Bashkia: Fondet i ka bllokuar Ministria e Financave 

Banorët e lagjes nr. 12, të pallatit me numrin 15, janë ngritur ditën e sotme në protestë pranë pallatit të dëmtuar nga tërmeti 26 nëntorit, shpallur në shkallën e dëmtimit DS3, pasi prej 7 muajsh nuj trajtohen me bonus qiraje, ndërkohë që nuk dihet asnjë informacion se kur pritet që pallati i tyre të rikonstruktohet.

Ata deklaruan se në rast se nga Bashkia Durrës nuk do të ndërmerret asnjë hap, banorët do të futen në pallatin e dëmtuar. Sakaq ka disa prej tyre që për shkak të kushteve të mos-trajtimit me bonus qiraje, janë detyruar të jetojnë edhe në barake.

Në Qarkun e Durrësit 2500 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit nga prilli i vitit 2023 nuk janë trajtuar me bonus qiraje.

“Bashkia Durrës i ka kërkuar fonde për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i datës 26.11.2019 Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me shkresën 30/4 datë 18.07.2023 dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi vazhdimin e lëvrimit të fondeve.” – ka deklaruar Bashkia Durrës në kërkesën për informacion të dërguar nga gazetari Aldo Mustafa.

“Sakaq janë 85 objekte pallat DS4 që kanë qenë ose janë pjesë e kontratave për riforcim nga të cilat 19 objekte pallat DS4 kanë përfunduar punimet, në të tjerat vijojnë punimet e përforcimit. Ndërkohë është kërkuar fond për hartim projekti për 83 objekte pallat me nivel dëmi DS4.”

Janë këto përgjigjet e Bashkisë Durrës në lidhje me situatën aktuale, sakaq Ministria e Financave dhe Ekonomisë pavarësisht tejkalimit të afateve, ka zgjedhur të mos i përgjigjet kërkesës për informacion dërguar nga gazetari Aldo Mustafa, ku pyetet nëse do të lëvrohen grantet për bonuset e qirave dhe arsyet se përse nuk janë lëvruar fondet në shtatë muajt që lam pas.