Intervistë me Prof. As. Dr. Blerina Xhakolli
Sot shkenca e psikologjisë ka njohur një zhvillim dhe ka marrë një rëndësi teksa është parë si diçka e nevojshme. Në vendet e Bashkimit Europian apo dhe në vende më të zhvilluara si ato të Amerikës, shohim se psikologjia jo vetëm ka marrë rëndësi, por tashmë është pjesë e pandashme e studimeve të ndryshme, qofshin këto të karakterit psikologjik, filozofik, letrar apo kulturor.
Vendi ynë e ka përqafuar këtë fushë prej vitesh, ndonëse jo me hapa galopantë për të arritur nivelet ndërkombëtare të saj, janë bërë përpjekjet e para nëpërmjet psikologëve, universiteteve të cilat zhvillojnë degë si psikologjia etj.
Një ndër këta njerëz të cilët e kanë përkrahur, zhvilluar dhe thelluar studimin për këtë fushë është edhe Prof. As. Dr. Blerina Xhakolli Reçi. Formimi i saj akademik fillon me diplomimin në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, nga ku ka marrë edhe titullin “Doktor Shkencash në Punë Sociale”.
Prof.As.Dr. Blerina Xhakolli Reçi është autore e disa teksteve dhe e më shumë se 30 publikimeve në revista shkencore dhe konferenca rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Studimi i saj “Psikologjia kulturore” është një ndër studimet dhe të themi ciklet e leksioneve më të reja të psikologjisë.
Në një intervistë për dritare.net Prof. As. Dr. Blerina Xhakolli, na prezanton me studimin e saj mbi psikologjinë kulturore.
-Psikologjia ka shumë drejtime studimi siç kanë dhe shumë shkenca të tjera, por psikologjia kulturore në fakt duket mjaft e re. Ju si studiuese dhe lektore si mund të na e përkufizoni këtë drejtim të psikologjisë?
-Psikologjia Kulturore është një disiplinë e re në fushën e psikologjisë. Zhvillimi i kësaj disipline i përket dekadave të fundit dhe vjen si domosdoshmëri e interpretimeve psikologjike në botën dhe kohën në të cilën jetojmë.
Një botë, një kontekst gjithmonë e më globalist, ku ndërthuren kultura dhe precese integrimi nga më të larmishmet. Modele integrimi dhe bashkëjetese të cilat gjenerojnë procese psikologjike sa ndividuale aq edhe kolektiviste.
-Cili është objektivi i saj, pra çfarë na tregon psikologjia kulturore për njeriun dhe ku fokusohet ajo?
-Objektivi i Psikologjisë Kulturore është të tregojë që mendja dhe jeta e njeriut janë një pasqyrë e kulturës, ashtu sikurse edhe e historisë dhe fenomeneve biologjike.
Ajo fokusohet në konceptin e lidhjes së pandashme midis proçeseve mendore dhe komplekse kundrejt vlerave, kuptimeve, diskutimeve, praktikave, objekteve, përmes së cilave qëniet njerëzore veprojnë me botën që i rrethon.
Psikologjia kulturore thekson gjithashtu që përvoja njerëzore dhe veprimi, janë formuar nga gjendjet tona të brendshme. Ajo ndodhet në shfaqjen dhe funksionimin e proceseve psikologjike brenda takimeve të përditshme të njerëzve në ngjarjet e jetës sonë të përditshme.
Rëndësia e studimit të kësaj lënde, që është një vlerë më shumë në Fakultetin e Edukimit, Universiteti “A.Moisiu” Durrës, është të ndërgjegjësojë studentët rreth kulturës individuale dhe asaj kolektive, duke i dhënë kështu vlerën e duhur përkatësisë kulturore të tyre dhe jo vetëm.
Tregon gjithashtu, sesi kultura ndikon në proçeset psikologjike të zhvillimit të individit. Tregon ndikimin, peshën dhe rëndësinë e kulturës në proçeset e perceptimeve, ndjesive, në organizimin e kujtesës, përvojës,në interpretimet, në të treguarit etj etj.
-Përvoja njerëzore dhe veprimi janë formuar nga gjendjet tona të brendshme. Atëherë mund të themi se kultura është individuale, por ne gjithashtu flasim për një kulturë të përgjithshme ose kolektive siç e quajmë ndryshe. Në këtë pikë si mund ta shohim kulturën individuale në kontekstin e të përgjithshmes, kur ajo individuale ndryshon?
-Kultura është sa individuale aq dhe kolektiviste. Ne udhëhiqemi nga background-i ynë kolektiv dhe e modifikojmë atë, në varësi të kontekstit dhe kohës në të cilën jetojmë. Është ky kontekst që na kushtëzon të përshtatemi dhe nëpërmjet këtij rrugëtimi ne rritemi dhe ndryshojmë.
Proceset e integrimit janë një tablo e bukur ku gjen forma interpretimi roli i psikologjisë kulturore, duke nënvizuar ndryshimet në perceptimet personale të cdo individi.
-Në studimin tuaj shpreheni se kultura, më shumë se biologjia, udhëheq mendjen dhe jetën e njeriut.Do të thoja një citim i guximshëm për faktin se biologjia dihet botërisht që është lindur më parë se kultura, ndërsa kultura është një sjellje njerëzore e mësuar, përvetësuar ndër vite dhe se ajo ndryshon në vende të ndryshme, a nuk mendoni se më parë kemi të bëjmë me disa sjellje biologjike sesa kulturore?
-Njeriu si qenie sociale, është një mishërim i bukur i gërshetimit të gjeneve dhe mjedisit, kulturës. Ai rritet dhe evoluon çdo ditë në një kontekst të caktuar të cilin e modifikon dhe i cili e modifikon njeriun. E zhvillon dhe ky zhvillim ky evoluim është një simbiozë e këtij gërshetimi. Biologjia na karakteizon nëpërmjet gjeneve, por dhe kultura trashëgohet dhe evoluon nëpërmjet gjeneve. Kultura na përfaqëson po aq sa dhe gjenet tona. Madje në disa raste kultura ndikon më shume në zhvillimin dhe evoluimin e një individi. Lidhjet e pandashme filogjenetike dhe ontogjenetike të zhvillimit të historisë njerëzore dhe zhvillimit individual janë një objekt shumë intrigues për psikologët kulturor ashtu sikurse dhe studiuesit antropolog.
-Kultura si mjet ndërmjetësimi në vetvete, çfarë na mundëson individualisht dhe kolektivisht?
-Kultura duke u bërë një mjet ndërmjetësimi në vetvete, mundëson terrenin për zhvillimin e artefakteve të të gjitha niveleve, atyre parësore, dytësore dhe tercore. Dhe ky zhvillim i artefakteve, përdorimi, përsosmëria e tyre, mundëson ndërmjetësimin e individit me kontekstin, duke kontribuar kështu edhe në evoluimin e gjeneve të tij. Kjo simbiozë e vazhdueshme midis kulturës dhe biologjisë na përfaqëson individualisht dhe kolektivisht, dhe ne e transmetojmë ndër breza.
-A ndikon kultura në zhvillimin e qënies njerëzore dhe në procese të caktuara të jetës së tij. Nëse po, a mund të na përmendi disa të tilla të cilat ju i shihni më me rëndësi?
-Një numër gjithmonë e më i madh neurologësh dhe etnologësh kanë arritur në përfundimin që kërkesat e kulturës kanë pasur një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e karakteristikave në zhvillimin e njeriut.
Ajo që është më e rëndësishmja, në këte libër dhe në temat që ai trajton nuk është vetëm vlerësimi dhe rëndësia e kulturës në zhvillimin e qenies njerëzore që del në pah, por në veçanti ndikimi i saj në proceset e caktuara psikologjike, konjitive dhe në evoluimin e vet qenies njerëzore,ndikimi dhe funksioni i saj në mbarvajtjen sa më harmonike të një shoqërie gjithnjë e më multietnike, duke kuptuar veçoritë dhe karakteristikat e individëve nga kultura të ndryshme.
-Lënda e Psikologjisë Kulturore në cilat programe studimi është pjesë e kurrikulës ?
-Lënda e psikologjisë kulturore është një lëndë me zgjedhje në programet e bachelor “Psikologji”, në masterin e “Psikologjisë shkollore dhe zhvillimore” si edhe në disa programe të tjera të fakultetit të edukimit . Është një lëndë risi në fakultetin tonë dhe që tashmë prej vitit 2010 e kemi pjesë të kurrikulave tona të pasura dhe bashkohore. Libri i Psikologjisë Kulturore, vjen si nje tekst universitar i pari në literaturën universitare dhe është kontribut i punës disa vjeçare në përgatitjen e leksioneve. Libri është ndërtuar në një mënyrë të tillë, ku temat e pjesës së parë japin një panoramë të historisë, zanafillës dhe zhvillimit të psikologjisë kulturore.
Në këto tema theksohet ecuria e shkencës së psikologjisë dhe domosdoshmëria e një përqasjeje historike kulturore, gjithmonë në rritje, për të shpjeguar fenomet dhe proçeset psikologjike në tërësinë e tyre.Ato theksojnë karakteristikat e psikologjisë kulturore, përqasjet e psikologjisë kulturore, interpretimet, parimet themelore të saj, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse fokusi dhe vëmendja e psikologëve kulturorë, në studimet e tyre dhe rrjedhimisht dhe gjetjet e tyre. Zhvillimi historik, ndërmjetësimi kulturor dhe veprimtaria praktike,janë proceset kryesore nëpërmjet të cilave shfaqen dhe zhvillohen proçeset e ndryshme psikologjike të njeriut. Detyra, qëllimi i psikologjisë kulturore, është të kuptojë sesi kultura futet në proceset psikologjike.
-Cilat janë bazat për psikologjinë kulturore, pra mbi cilat tema zhvillohet ky drejtim?
-Temat mbi kontributin e antropologjisë në psikologjinë kulturore, psikologjia transkulturore, transnacionalizmi, ballafaqimi interkultural, multikulturalizmi, psikologjia evolucioniste dhe ajo kulturore, antropologjia eksperimentale dhe psikologjia etnografike, psikologjia kulturore dhe psikoanaliza, etnopsikoanaliza dhe zhvillimii saj, me studiuesit përkatës dhe gjetjet e tyre, u bënë baza e psikologjisë kulturore.
Janë autorët të cilët me punët, studimet dhe risitë që ato sollën konkretizuan dhe zhvilluan këtë fushë të psikologjisë. Kontributi i Lev Vygotski-it, me teorizimin e artefakteve në ndërmjetësimin kulturor dhe me rëndësinë që ai i atribuoi kontekstit social kulturor në proceset e zhvillimit, me trekëndëshin e famshëm semantiko-kulturor etj. Zherom Bruner me “përfaqësimin” si rrënja e kulturës individuale, e përvetësuar nëpërmjet eksperiencës narrative etj. John Berry-in me Richard Shweder, Michael Cole me Natan, Devereux e shumë e shumë studiues që sillen në çdo temë me kontributet e tyre deri në ditët e sotme.