Njeriu në periudha të ndryshme të jetës, përballet me ndryshime të vazhdueshme, herë në situata familjare dhe herë në situata të cilat nuk i ka përjetuar më parë. E si çdo periudhë në jetë, të bërit prind përbën një të tillë më vete dhe ndoshta atë më të gjatën nga e cila kurrë nuk do të mund të themi se “Po! Tani kam mësuar gjithçka.” Ti bëhesh prind për herë të parë dhe sado të kesh lexuar apo parë dhe dëgjuar, kurrë nuk është mjaftueshëm, pasi gjithnjë do përballesh me një situatë sërish të re. Ndryshe nga meshkujt, të cilëve për hir të së vërtetës nuk i duhet të përballen me shumë ndryshime, femrës i duhet të kalojë vështirësi qofshin ekonomike, fizike apo edhe ato emocionale. Trupi juaj nis të ndryshojë, humori është i luhatur dhe më pas ju duhet të kujdeseni për një fëmijë, i cili që në momentin e parë që e shihni, ndoshta edhe pa e parë farë, ju ka bërë të dashuroheni me të.
Mënyra se si femra të ndryshme e presin këtë dhe se si përballen nuk është e njëjtë. Prisje që instikti të të tregonte “rrugën” sesi të veprosh, por nuk po ndodh? Prisje të ndryshonte instikti, por realisht ti nuk po sheh as edhe një të tillë? Ndihesh e pasigurt dhe nuk po ndien atë dashurinë e madhe apo qoftë edhe mëdyshje për shumë gjëra? Shpesh mjekët e ndryshëm e kanë quajtur këtë gjendje si depresioni paslindjes, por çfarë është realisht depresioni paslindjes dhe a është ai i tillë?
Psikiatrja, Alexanda Sacks, sjell në fakt një anë tjetër, një anë ndryshe e cila pas shumë vitesh “zbardh” atë që ndodh gjatë kësaj periudhe, matreshencën.
Fjalimi i Alexandra Sacks:
“E mban mend kohën në të cilën ndienit një gjendje të rënduar humori dhe hormonale? Lëkura juaj po ndryshonte, trupi juaj po rritej shumë shpejt në mënyrë të çuditshme dhe në të njëjtën kohë, njerëzit prisnin nga ty që të rriteshe në këtë mënyrë. Adoleshnca apo jo?
Ndryshime të njëjta, i ndodhin dhe një gruaje e cila është në pritje të një fëmije. Dhe ne e dimë që është normale për një adoleshent të ndihet i “hallakatur”, pra përse nuk flasim për shtatzëninë në të njëjtën mënyrë? Ekzistojnë libra të tërë, të cilët trajtojnë harkun e zhvillimit të adoleshencës dhe ne nuk kemi minimalisht një fjalë, e cila të përshkruajë kalimin nga një gjendje normale, në atë të amësisë. Neve na duhet një! Unë jam një psikiatre dhe punoj me femrat shtatzëna dhe femrat në periudhën paslindjes. Në dekadën në të cilën kam punuar në këtë fushë, kam dalluar një model dhe funksionon kështu: Një femër më telefonon, ajo sapo është bërë nënë dhe është e shqetësuar. Ajo thotë, “Nuk di ta bëj mirë këtë. Nuk po e shijoj. A kam rënë në depresionin e paslindjes?”. Kështu më duhet të shoh për simptomat e kësaj diagnoze dhe është e qartë për mua që ajo nuk është klinikisht në depresion dhe ia them këtë. Por ajo nuk është e bindur. Ajo insiston se “Nuk duhet të ndihem kështu,” dhe unë i them “Në rregull, si pret ti të ndihesh?” dhe ajo më thotë, “Mendoja se të qenit mama, mund të më plotësonte dhe të më bënte të lumtur. Mendoja se instiktet, do të më tregonin natyrshëm sesi të veproja. Mendoja se gjithnjë do të doja të vendosja fëmijën në qendër të vëmendjes.” Kjo është një pritshmëri e gabuar e mënyrës sesi mendohet të ndihesh kur bëhesh nënë. Dhe nuk ishte vetëm ajo, unë merrja telefonata të tilla nga qindra nëna, të gjitha të shqetësuara se diçka nuk po shkonte ashtu siç duhej, sepse ato nuk po mund t’ia dilnin. Unë nuk dija si t’i ndihmoja, sepse duke i thënë që nuk ishin sëmurë, nuk i bënte ato të ndiheshin më mirë. Doja të gjeja një mënyrë se si të normalizoja këtë ndryshim në jetën e tyre, t’i shpjegoja se shqetësimet nuk janë gjithnjë e njëjta gjë si sëmundjet. Kështu vendosa të mësoja rreth psikologjisë së amësisë, por nuk mund të gjeje shumë informacione në tekstet mjekësore, sepse doktorët më së shumti shkruajnë rreth sëmundjeve. Kështu u ktheva tek antropologjia (shkencë e cila merret me studimin e zhvillimit të shoqërisë dhe kulturës njerëzore) dhe më mori rreth dy vite, por në një shkrim të pabotuar, shkruar në vitin 1973 nga Dana Raphael, unë më në fund arrita të gjej një mënyrë sesi të kuadroja këtë bisedë: matrescence.
Nuk është aspak rastësi që fjala “matrescence” (matreshencë), tingëllon si fjala “adoleshencë”. Të dyja janë periudha në të cilat transformimi trupor dhe ndryshimi hormonal, drejtojnë në një “rrëmujë” për nga mënyra sesi e bëjnë personin të ndihet emocionalisht dhe sesi ata përshtaten me botën. Dhe ashtu si adoleshenca, as matreshenca nuk është një sëmundje, por përderisa nuk është në fjalorin mjekësor, që kur doktorët nuk edukojnë më njerëzit rreth saj, është ngatërruar me gjendje më serioze, të quajtura depresioni paslindjes. Unë kam ndërtuar një literaturë antropologjike dhe kam folur rreth matreshencës me pacientët e mi, duke përdorur një koncept të quajtur “shty dhe tërhiq”, ja cila është pjesa e “tërheqjes”. Si qenie njerëzore, fëmijët tanë janë të varur në mënyrë të veçantë. Ndryshe nga kafshët e tjera, fëmijët tanë nuk mund të ecin, nuk mund të ushqehen vet, është shumë e vështirë për tu kujdesur për ta. Evolucioni na ka ndihmuar me hormonin e quajtur oxytocin, i cili çlirohet afërsisht rreth lindjes së fëmijës dhe gjithashtu prekjes të lëkurës së nënës dhe fëmijës me njëra-tjetrën, pra hormoni çlirohet dhe nëse nuk keni kryer lindje natyrale.
Oxytocina ndihmon trurin e nënës të drejtojë vëmendjen e saj drejt fëmijës, kështu fëmija tashmë bëhet qendra e vëmendjes së saj. Por në të njëjtën kohë, mendja e saj është duke e “shtyrë” atë, sepse ajo kujton gjithë pjesët e tjera të identitetit të saj, marrëdhëniet e tjera, punën e saj, jetën shpirtërore dhe intelektuale, pa përmendur pastaj nevojat trupore: të flejë, të ushqehet, të ushtrohet, të kryej marrëdhënie seksuale, të shkojë na banjë, “vetëm” mundësisht. Ky është dyluftimi emocional i matreshencës, ky është tensioni që ndienin femrat të cilat më telefononin, është arsyeja përse ato mendonin se ishin të sëmura. Nëse femrat e kuptojnë zhvillimin natyral të matreshencës, nëse ato e kuptojnë që shumë njerëz e kanë të vështirë të jetojnë brenda “shty dhe tërhiq”, nëse ato e kuptojnë se në këto rrethana, mëdyshja është normale dhe asgjë prej së cilës mund të ndiesh turp, ato mund të ndjehen më pak të vetmuara, më pak të mbyllura në vetvete, unë mendoj se kjo do të reduktonte shkallët e depresionit të paslindjes.
Unë jam një besimtare e terapisë të të folurit dhe nëse ne do të ndryshojmë mënyrën sesi kultura jonë kupton këtë kalim në amësi, femrave do tu duhet të flasin me njëra-tjetrën, jo vetëm me mua. Pra nëna, flisni rreth matreshencës tuaj me nëna të tjera, me shoqërinë tuaj dhe nëse keni një, madje edhe me partnerin tuaj, kështu ata mund të kuptojnë ndryshimin e tyre dhe t’ju mbështesin më mirë. Nuk është vetëm rreth mbrojtjes së marrëdhënies tuaj. Kur ti ruan një pjesë të ndarë të identitetit tënd, je duke i lënë hapësirë gjithashtu fëmijës tënd që të zhvillojë të vetën. Kur një fëmijë lind, po ashtu lind një nënë, secili i pasigurt në mënyrën e vet. Matreshenca është e gjerë, por është gjithashtu e vështirë dhe kjo është ajo që e bën atë njerëzore.