Mbledhja e radhës që pritet të mbahet këtë të premte në Këshillin Bashkiak Durrës ka ngjallur polemika përsa i përket shtesës së një pike të rendit të ditës, për rritjen e taksave që qytetarët e Durrësit do duhet të paguajnë për ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve pas vitit 2024.
Nxitimi për shtimin e kësaj pike të rendit të ditës ka bërë që një prej përfaqësueseve të opizitës në Këshillin Bashkiak, znj. Edlira Devolli të ngrejnë shqetësimin duke e cilësuar arrogancë të përdorur në vazhdimësi.
Postimi i plotë:
Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Durrës është vendosur për ditën e premte dt.03.11.2023 ora 14:00.
Pasi kryesia e KB, kishte kaluar rendin e ditës për këtë mbledhje, sot u mbajtën mbledhjet e komisioneve përkatëse.
Sot pasdite jemi njoftuar në mënyrë të beftë për një mbledhje kryesie, po sot në orën 17:00.
Nga komunikimi në grupin e kryesisë WhatsApp vërehej se 5 anëtarë mund të paraqiteshin dhe 5 të tjerë e kishin të pamundur.
Tashmë njoftohemi se kryesia është mbledhur dhe e ka kaluar pikën e 13, për rendin e ditës së premte.
Ajo që bën më shumë përshtypje është nguti për të kaluar këtë pikë dhe arroganca e përdorur në vazhdimësi.
Kjo pikë shtese, e me shumë ngut, prek xhepat e gjithë qytetarëve durrsak.
Kërkojnë rritjen e tarifave për shërbimet e UKD (Ujësjellës Kanalizime Durrës).
Qytetarët do të marrin faturat e ujit më të shtrenjta.
Këto janë politikat e PS vendore.
Ne do të bëjmë ç’është e mundur, për aq sa përfaqësim kemi për të ndalur turravrapin e korrupsionit të radhës në bashki.