Nga Joni Myshketa – Kreu i Partisë Demokratike Dega Durrës
Buxheti, 380 milionë euro për PPP-të nën hetim dhe ekonomia që nuk po gjen drejtësi.
Buxheti është një “kontratë” sociale, që përcakton se çfarë shërbimesh e investimesh do të ofrojë qeveria, në këmbim të taksave që ajo merr nga qytetarët e saj.
Sa më i ulët të jetë buxheti i një vendi, aq me më shumë eficiencë duhet të përdoret ai. Ekzistojnë manuale të tëra globale që flasin për mirëmenaxhimin e fondeve të taksapaguesve.
Shqipëria hyn në vendet me buxhetin ndër më të ulëtit në Europë, me shpenzimet që janë sa 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga rreth 40% që është mesatarja europiane, e diktuar nga të ardhurat e ulëta, që nuk i kanë kaluar ndonjëherë 28% të PBB-së.
Si i tillë, fokusi i buxhetit duhet të jetë kontrolli fiskal që të mbështesë stabilitetin makroekonomik, reduktimin e rreziqeve, rritjen e eficiencës së shpenzimeve, me synim përmirësimin e mirëqenies dhe uljen e varfërisë.
Por kjo kontratë sociale nuk duket se ka gjetur drejtësi. Që nga viti 2017 deri në 2024, buxheti ka paguar dhe pritet të paguajë (përfshirë vitin e ardhshëm) 86 miliardë lekë (rreth 800 milionë euro) për 12 kontrata koncesionare të tipit të Partneritetit Publik-Privat (PPP).
Për gjashtë nga këto kontrata është hapur hetimi nga Njësia e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), me akuza për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrimi i produkteve të veprës penale, ku është provuar se janë shpërdoruar paratë e buxhetit.
Vlera totale e këtyre 6 koncesioneve për periudhën 2017-2024 është gati 40 miliardë lekë, që është mesatarisht sa gjysma e buxhetit të investimeve kapitale në një vit.
Nga kjo shumë, rreth 25 miliardë lekë janë vetëm koncesionet e shëndetësisë, që do të ishin të mjaftueshme për të ndërtuar 4-5 spitale të reja.
Ndonëse SPAK është në veprim, pagesat për PPP-të janë në rritje me 9.3% në buxhetin e 2024. Nuk ka një “fajtor” as për vendimet e gabuara, që kanë çuar në një faturë prej 195 milionë eurosh (kjo është vetëm shuma e pranuar nga financat) për dëmshpërblimet ndaj vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) dhe Gjykatës së Arbitrazhit.
Montior.al
Ky është buxheti i që po kalon në një situatë të pazakontë dhe kjo kontratë sociale po miratohet në kushtet e një dizinformacioni dhe një kaosi politik të stisur qëllimisht.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se do ndërmarrë një tur qark vendit pikërisht me sebepin e informimit te miletit për “buxhetin më të mirë të të gjitha kohërave”, asgjë më tepër se teatri i radhës ku nuk do mungojë demagogjia e babit të kombit me lugë florir për spektatorin..
Vendi me buxhetin më të ulët në Europë i cili vazhdon të financojë projektet e dyshimta korruptive për të cilat ka dhe një hetim nga SPAK.
Ndërgjegja qytetare përballe kësaj maxhorance arrogante, e të përfshirë kokë e këmbë në pazare korruptive duket e dorëzuar, kjo dhe për shkak të situatës tragjikomike ku ndodhet dhe opozita e tëra….
Aleanca me qytetarët dhe beteja për ta bëhet duke çliruar veten nga çdo lloj hije a skeleti në dollap e duke u bërë bashkë me ta me të vërteta, me moral e në rresht të parë e jo me loj luftash a kapërcime me pengesa….