Paulo Coelho mbi domethënien e të qënit shkrimtar

Paulo Coelho mbi domethënien e të qënit shkrimtar

Në moshën 15- vjeçare, i thashë nënës time:

-E kam zbuluar prirjen time. Dua të jem shkrimtar.

-Djali im, u përgjigj ajo e trishtuar, yt atë është inxhinier. Është i logjikshëm, arsyeton dhe ka një vision të qartë për botën. A e di se çdo të thotë të jesh shkrimtar?

– Shkrimtar është ai që shkruan libra.

– Xhaxhai yt, Haroldo, që është mjek, shkruan gjithashtu. Madje ka publikuar disa. Ndiq fakultetin e inxhinierisë dhe do të kesh mundësi të shkruash në kohën tënde të lirë.

– Jo mama. Nuk dua të jem asgjë tjetër përveçse shkrimtar. As inxhinier që shkruan libra.

– A ke takuar ose pare ndonjëherë ndonjë shkrimtar?

– Asnjëherë. Vetëm në fotografi.

– Atëherë? Ti do të bëhesh shkrimtar por nuk e di se çfarë do të thotë të jesh I tillë?

Që të mundesha ti përgjigjesha sime mëje, vendosa të bëj një kërkim dhe zbulova mjaft gjëra interesante. Ja se çdo të thotë të ishe shkrimtar deri në vitet ’60:

A) Një shkrimtar krihet keq dhe mban gjithmonë syze. E kalon një pjesë të kohës duke kundështuar të tjerët, dhe pjesën tjetër i zhytur në dëshpërim. Jeton nëpër bare dhe diskuton me shkrimtarë të tjerë që gjithashtu mbajnë syze dhe krihen keq. Ai flet për gjëra të vështira, ka gjithmonë ide fantastike për romanin e ardhshëm por urren atë që do të publikohet së shpejti .

B) Një shkrimtar ka detyrën dhe obligimin e të qënit i moskuptuar nga gjenerata e tij, ose të themi më mirë që ai kurrë nuk do të shihet si gjeni, sepse është i bindur që është lindur në një epokë të dominuar nga mediokriteti. Ai rishikon dhe korrigjon çdo ditë fjalitë që shkruan. Fjalori i një njeriu të zakonshëm përbëhet përafërsisht nga 3,000 fjalë të cilat një shkrimtar i vërtetë nuk i përdor kurrë. Ai përdor ato 189 mijë që i pari nuk i njeh.

C) Vetëm shkrimtarët e tjerë kuptojnë atë që një shkrimtar thotë. Megjithatë ai i urren shkrimtarët e tjerë -garues për të zënë një vend në historinë e letërsisë. Atëherë, shkrimtari dhe shokët e tij konkurojnë për trofeun e librit më të komplikuar : ai që do t’ja dalë të jetë më i vështiri, do të konsiderohet si më i miri.

D) Një shkrimtar njeh mirë shkenca me emra të frikshëm si: Semiotika, epistemologjia dhe neo konkretizmi. Kur dëshiron të godasë në shenjë, hedh ide të tipit: “Ainshtajni ishte idiot” ose “Tolstoi ishte palaço I borgjezve”. Të tjerët skandalizohen por fillojnë ti përsërisin të tjerëve se teoria e relativitetit është e pabazë dhe që Tolstoi mbronte aristokracinë ruse.

E) Për të joshur një femër, shkrimtari I thotë asaj se është shkrimtar dhe më pas shkruan poezi mbi pecetë. Kjo ndodh gjithmonë.

F) Falë njohurive të mëdha që ka, shkrimtari gjen gjithmonë punë si kritik letrar. Më pas fillon e tregohet bujar duke shkruar mbi librat e miqve të tij. Gjysma e shkrimeve është e mbushur me citime nga autorë të huaj, gjysma tjetër janë analizat e famshme të frazave, të përbëra nga terma të llojit “prerje epistemologjike” ose “Këndvështrim i përqëndruar mbi një anë përkatëse”. Ai që lexon kritikën, do të komentojë: “Ky tipi qenka me të vërtetë i aftë” dhe nuk do ta blejë librin sepse nuk di si do ta vazhdojë leximin kur të shfaqen prerjet epistemologjike.

G) Kur i kërkohet të flasë për librin që është duke lexuar, shkrimtari gjithmonë citon një libër për të cilin askush nuk ka dëgjuar asgjë.

H) Ekziston një libër i vetëm i cili ka admirimin dhe vlerësimin unanim të shkrimtarëve : Uliksi i James Joyce. Asnjë shkrimtar nuk flet keq për këtë libër, por, kur dikush i pyet se për çfarë bën fjalë, asnjë nuk arrin të përgjigjet, gjë që të bën të dyshosh nëse e kanë lexuar vërtet. Është absurd fakti që “Uliksi” nuk është redaktuar asnjëherë, pasi të gjithë shkrimtarët e përmendin si një kryevepër. Ky mund të jetë tregues i injorancës së shtëpive botuese, që e lënë tu ikë nga duart shansi për të fituar para me një libër që e ka lexuar dhe e do gjithë bota.

Pas gjithë këtyre informative u riktheva te ime më dhe i shpjegova ekzaktësisht se çdo të thotë të jesh shkrimtar. Ajo u befasua.

– Qenka më e lehtë të jesh inxhinier, më tha. Mbi të gjitha nuk do të të duhet të mbash syze.

Por unë tashmë isha i krehur keq, kisha në xhep një paketë me cigare, kisha një pjesë teatrale në dorë (“Limitet e rezistencës” që për kënaqësinë time, një kritik e përkufizoi si “Shfaqen më të denjë që kishte pare ndonjëherë”), studioja Hegelin, dhe mbi të gjitha, vendosa të lexoja Uliksin. Deri në ditën që u njoha me një këngëtar rroku, I cili më kërkoi të shkruaja tekstet e këngëve të tij, Më iku dëshira për të qënë i pavdekshëm dhe u futa në rrugën e njerëzve të zakonshëm.

Kjo më dha mundësinë të udhëtoja dhe t’i ndërroja shtetet më shpesh se çorapet, si thotë edhe Bertolt Brecht.

Përktheu nga frëngjishtja: Arkid Abdullaj