Së fundmi “Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim”, me platformën e madhe online të librit shqip, “Bukinist.al” kanë zhvilluar një projek për të nxjerrë Indeksin e Lexueshmërisë në Shqipëri. Projekti është zhvilluar me individë rastësor dhe për herë të parë në vendin tonë mund të kemi të dhëna konkrete përsa i përket temës nëse shqiptarët lexojnë apo jo.
Ka qenë Dr. Albert Gjoka i cili ka publikuar rezultatet dhe një analizë të këtij indeksi si mëposhtë:
Përshëndetje miq! Jam shumë i lumtur të ndaj me ju finalizimin e një pune të madhe dhe të vlertë që kemi bërë së bashku me ekipin tim të “Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim”, me platformën e madhe online të librit shqip, “Bukinist.al” dhe partnerin tonë “On Solutions”, pjesë e Balfin Group, në një projekt pilot për të nxjerrë Indeksin e Lexueshmërisë në Shqipëri. Duke qenë një përpjekje e parë e këtij lloji në vend, ky indeks është realizuar falë mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me dy kategori: Një grupim rastësor individësh të moshës mbi 16 vjeç në qarqet Tiranë, Shkodër, Korçë, Elbasan dhe Durrës, përmes të cilëve është matur shkalla e lexueshmërisë në vend dhe një grupim tjetër lexuesish të Bukinist.al për të vlerësuar shprehitë e leximit, mjetet që përdoren për lexim, kategoritë dhe zhanret e pëlqyera, etj. Ende pa shkuar tek publiku kanë nisur keqkuptimet e para, por unë mendoj se për ata që do të ndalen të pyetje dhe përgjigje, – në rezultatet konkrete, do të kuptojnë se në Shqipëri është nisur një proces zgjimi pas humbjes së një brezi lexuesish në vitet e tranzicionit, – ndonëse kemi shumë punë për të bërë për promovimin e librit dhe leximit: “Të rrisësh një lexues është si të rrisësh një pemë”. Duke i falënderuar përzemërsisht partnerët në këtë nismë dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit po ndaj me ju disa nga të dhënat e sondazhit dhe njoftimin zyrtar që i është përcjellë medias. Fatmirësisht, libri ka ende fuqi për të transformuar jetën e secilit prej nesh dhe të të gjithë bashkësisë tonë.
NJOFTIM PËR MEDIAT
Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim (IKEZH) publikoi Indeksin e Lexueshmërisë në Shqipëri, si pjesë e projektit “Libri dhe leximi – matje dhe vlerësime”, i mbështetur nga Qendra Kombëtare për Librin dhe Leximin (QKLL)
Tiranë, 13 nëntor 2023
Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim ka realizuar një sondazh për të vlerësuar nivelet e leximit në Shqipëri, ku rreth 82% e personave të anketuar i janë përgjigjur pozivisht pyetjes nëse lexojnë libra. Por, numri i librave të lexuar përgjatë një viti mbetet ende i ulët, nëse e krahasojmë me standardet e UNESCO-s për lexueshmërinë.
Në një kampionim me 289 intervistues të përzgjedhur rastësisht nga “On Solutions”, ku 43% e tyre banojnë në Tiranë dhe 57% në qarqet e tjera si Durrësi, Korça, Shkodra dhe Elbasani, janë përzgjedhur intervistues të moshës 16 vjeç e lart, të cilët janë pyetur: “A lexoni libra?”, – 18% e të anketuarve (52 persona) janë shprehur se nuk lexojnë libra. Në grupin e të intervistuarve që nuk lexojnë, 57% përqind shprehen se nuk kanë kohë, 33% parapëlqejnë mediume të tjera si TV, gazeta, Internet, 6% nuk kanë interes dhe vetëm 2% e justifikojnë mosleximin me pamundësitë financiar. Shumica e individëve në Shqipëri e nisin procesin e leximit gjatë shkollës fillore (44%) dhe 37% gjatë periudhës së kopshtit, konkretisht në moshën 3-5 vjeç. 12% e personave e nisin leximin në moshën 11-15 vjeç dhe 7% e të anketuarve janë përgjigjur se e nisin mbi moshën 20 vjeç.
Në kuadrin e projektit “Libri dhe Leximi, – matje dhe vlerësime”, – i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, organizata bëri sondazhe në grupime rastësore individësh dhe grupime lexuesish gjatë periudhës 1 tetor – 3 nëntor 2023, përmes të cilëve synohej që të vlerësohej shkalla e leximit dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me shprehitë e leximit, mënyra sesi lexohet, buxhetet që shpenzojnë çdo vit lexuesit, leximi në gjuhë të ndryshme, ndikimi i fushtave të leximit, etj. IKEZH e realizoi këtë matje në partneritet me “On Solutions”, një kompani e specializuar në fushën e matjes së kënaqësisë së konsumatorit, pjesë e Balfin Group dhe Bukinist.al, platforma më e madhe online e librit shqip, ku rreth 25 mijë lexues të regjistuar u bënë pjesë e një sondazhi mbi aspekte të ndryshme të lexueshmërisë.
Duke ju referuar sondazhit, 43% e të intervistuarve shpenzojnë 5 000 – 10 000 lekë në vit për të blerë libra; 30% e të intervistuarve janë përgjigjur se harxhojnë 2000 – 5000 lekë në vit dhe vetëm 11% e tyre (25 persona) thonë se shpenzojnë më shumë se 10 000 lekë.
Gati gjysma e lexuesve që morën pjesë në sondazhin e organizuar nga IKEZH në bashkësinë e personave të regjistruar tek Bukinist.al thonë se lexojnë deri në 12 libra në vit, 26.3% e tyre lexojnë deri në 24 libra në vit dhe vetëm 7% lexojnë mbi 48 libra në vit, duke arritur kështu standardet e një lexuesi shumë të mirë. Statistika më provokuese ka të bëjë me leximin në raportet gjinore. Mbi 58% e lexuesve në Shqipëri i përkasin gjinisë femërore dhe rreth 42% janë meshkuj.
Rrjeti i bibliotekave, qoftë Biblioteka Kombëtare, bibliotekat e qyteteve apo të shkollave e kanë humbur peshën e tyre gjatë viteve të fundit, krahasuar me disa dekada më parë. Vetëm 29% e lexuesve pëlqejnë që të marrin libra në biblioteka.
Në ndryshim nga situata kudo në botë, ku rreth 35% përdorin format e-pub, shqiptarët ende pëlqejnë librin në formatin fizik. 82% e tyre duan ta prekin librin. Rreth 18% e personave që kanë marrë pjesë në sondazh lexojnë në formatin digjital, elektronik apo audiobook. Ky indeks sjell një prirje të pazakontë që po ndodh me gjuhën e leximit të librave: Vetëm 44.5% e lexuesve duan libri shqip, ndërsa 32.6% edhe në anglisht, dhe 22.9% edhe në gjuhë të tjera. Një e dhënë interesante që ka dalë nga ky sondazh është se fushatat për promovimin e librit dhe leximit kanë ndikimin e tyre. Rreth 30% e tyre e pohojnë rëndësinë e tyre.
Shqiptarët duan të lexojnë më tepër; dhe kjo konfirmohet edhe tek pyetja e fundit e sondazhit tonë: “Sa libra doni të lexoni gjatë vitit 2024?” Konkretisht, 37% e pjesëmarrësve në sondazhin tonë shprehen se duan të lexojnë deri në 12 libra, 25.9% deri në 24, 19.7% deri në 36 libra në vit dhe 17.4% mbi 48 libra.
Përmes këtij indeksi synohet që të vijnë ide apo rekomandime përmes të cilave mund të përmirësohen politikat për promovimin e librit dhe leximit në Shqipëri, duke rekomanduar që promovimi i librit dhe leximit të nisë që në fazën e hershme, tek fëmijët, – pse jo që në çerdhe apo kopshte; të zhvillohen fushata në nivel kombëtar dhe lokal, nga institucionet qendrore dhe vendore për promovimin e librit dhe leximit; të mbështetet industria e librit me politika direkte dhe indirekte që sjellin rënien e çmimit të librit, që të nxitet rritja e blerjes së librave; të vitalizohet roli i bibliotekave për promovimin e leximit, sidomos të librit cilësor; të mbështeten nisma për promovimin e librit shqip në të gjitha format, si tek libri fizik, libri digjital apo libri në formën elektronike dhe të promovohen shprehitë e reja që nxisin leximin.