Sot 23 vite nga rikthimi i lirisë fetare.

Sot 23 vite nga rikthimi i lirisë fetare.

Më 16 nëntor 1990 u mblodhën mijëra njerëz, jo vetëm nga Shkodra, por nga e gjithë Shqipëria, nga qytetet dhe fshatrat e vendit, për marrë pjesë në ngjarjen e rihapjes së xhamisë së parë, pas shumë vitesh ndalim dhe mohim të fesë në Shqipëri.

Fjalimi i mbajtur nga Hafiz Sabri Koçi në këtë ditë: FJALIMI I LIRISË

Dëgjues të nderuar! Vëllezër dhe motra! Myslimanë, katolikë dhe ortodoksë! Mbi të gjitha, vëllezër shqiptarë! Sot kemi gëzimin më të madh, që pas 23 vitesh, të dëgjojmë kënaqësinë më të madhe të zemrës dhe të shpirtit tonë. Iu hapën portat zemrave, që të njohin, të dashurojnë, të respektojnë më të Afërmin e tyre, i Cili është më afër te njeriu sesa ai te vetvetja, Zotin. Lavdi të Madhit Zot që e ruajti dashurinë e Tij në zemrat tona e nuk na përbuzi … aq më tepër në zemrat e kësaj rinie që sapo del në jetë pa qenë në kontakt me asgjë, ia ndezi dritën e dashurisë së Tij në zemër e në shpirt. Sot, po organizojmë këtë ceremoni pranë një monumenti të lashtë, të ndërtuar prej 217 vitesh, e cila (xhamia) mbrohet edhe nga shteti. Popullin le ta lënë të lirë që të gëzojë atë që i dëshiron zemra. Ashtu siç e ka lënë të lirë njerëzinë edhe vetë Zoti i Madhërishëm, nëse duan të besojnë, nëse duan të mos besojnë. “Nuk ka imponim në fe” shprehet Kur’ani i Madhërishëm; nuk duhet t’i imponohet askujt, por njeriu duhet ta ketë të kultivuar vetë në shpirtin e tij. Çdo gjë që imponohet nuk ka qëndresë në zemrën e të imponuarit. Dhe ajo që ka mbërritur në zemër, nuk ka forcë që ta shkulë atë, sepse i ka rrënjët të thella. Jemi të të njëjtit rang. Jemi të së njëjtës familje njerëzore. Dallohemi nga ajo kafshërore. Jemi krijesa më e madhe (më e lartë) në ekzistencë dhe e kemi të qartë se na e shpreh Kur’ani i Madhërishëm ku ndër të tjera thotë e urdhëron Zoti: “Është Ai që për ju ka krijuar çdo gjë që ka në Tokë. Pastaj, i është drejtuar qiellit dhe e ka rregulluar, duke e bërë atë shtatë qiej. Ai është i Dijshëm për çdo gjë.” Pra Zoti është Ai që robin e bëri krijesën më të lartë “Njeriun e bëmë figurën më të përsosur e më autoritare në sipërfaqen e dheut… Dielli, Hëna dhe të gjithë planetët i shërbejnë njeriut, i qëndrojnë në gatishmëri. Hapësira kozmike është e lirë për njerëzit që ta vizitojnë, shohin dhe të kuptojnë se çfarë frytesh e dobish kanë të trashëguara nga fuqia e të Madhit Zot…, pra ky vëllezër është një premtim i mbajtur ndaj të Madhit Zot … për t’iu falur, lutur dhe për të kujtuar fuqinë e Allahut, sepse Ai është aq i dashur me ne sa është detyrë e jona që t’i falemi Atij. Ne si myslimanë e kemi detyrë një herë në javë, ditën e xhuma (e premte), ditët e tjera i falim nëpër shtëpitë tona dhe i përgjigjemi marrëdhënieve të punës, sepse puna është ajo që e mban gjallë njeriun. Dhe për këto të mira që marrim nëpërmjet punës, dhe në qoftë se nuk e realizojmë si duhet këtë punë, do të japim llogari përpara të Madhit Zot. Asgjë nuk humb, por pëson transformim dhe ruhet e dëgjohet më vonë. Falja e xhumasë ka disa kushte dhe ndër to është që duhet të kesh leje të plotë prej autoritetit në pushtet, pra je me abdes e nuk flet për shokun tënd, për vëllain tënd, për motrën tënde, nuk i merr nëpër gojë veprimet e tyre dhe nuk merresh me thashetheme të cilat i dënon Zoti. “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin”, pra kujdes gojën (gjuhën), madje në qoftë se një njeri ka ndonjë të metë të cilën koha vetë mund ta shtyjë të bëjë gabim nga ana morale, ti duhet t’ia mbulosh e të mos e shfaqësh.

Fjala e Hafiz Sabri Koçit në ceremoninë e rihapjes së Xhamisë së Plumbit, Shkodër, 16 nëntor 1990.

MSH – 16 Nëntor 1990 – Ceremonia e rihapjes së xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990 https://www.youtube.com/watch?v=lADUhqiQd5k