Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përmes një ekspozite “In memoriam”, në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta përkujton poetin, novelistin dhe përkthyesin e jashtëzakonshëm Fatos Arapi, duke sjellë në vëmendje të publikut trashëgiminë e tij të pasur.
Ekspozita nis me poezinë e tij të parë, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” në vitin 1954, për të vijuar më pas me botimet e para në poezi dhe prozë: “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të heshtura” (1969), novela “Patat e egra” (1970) dhe “Dhjetori i shqetësuar” (1970). Një vend të rëndësishëm në këtë ekspozitë zënë edhe studimet letrare dhe të folklorit me botimet “Fjalë për poezinë” dhe “Këngë të moçme shqiptare”, si dhe kontributi i tij si redaktor.
Fatos Arapi ka dhënë një kontribut të çmuar edhe si përkthyes, duke sjellë mjeshtërisht në gjuhën shqipe emra të rëndësishëm të letërsisë botërore, si: Johann Wolfgang von Goethe, Pablo Neruda, Nikola Jonkov Vapcarov, Ante Popovski etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore.