Rikthehet pas 21 vitesh tragji-komedia “Çifti i shqyer” me autor Dario Fo nën titullin “Martesa me kushte” me regji të Altin Bashës. Ka qenë aktorja e mirënjohur Olta Daku e cila nëpërmjet shpërndarjes së një posteri në rrjetet sociale, ka njoftuar ndjekësit e saj për një rikthim të kësaj tragji-komedie, por me diferencën se kësaj radhe do të ketë një rikthim më të bukur se fillimi.
Marrëdhënia burrë-grua në këtë vepër të Dario Fo arrin kulmin e konfrontimit të saj. Tradhëtitë, mosmarrëveshjet, intrigat që një burrë kërkon t’ia legjitimojë gruas së tij pa dashje do të kthehen vetë kundër burrit.
Pjesa fillon me një grua të dëshpëruar të interpretuar nga aktorja Olta Daku, e cila kërkon të vrasë veten nga dëshpërimi se burri i saj e tradhton atë në mënyrë sistematike.
Por burri i interpretuar mjeshtërisht nga aktori i njohur Gazmend Gjoka kërkon t’i mbushë mendjen gruas së tij se ata duhet të kthehen në një çift të hapur dhe demokratik, duke pranuar dhe marrëdhëniet me persona të tjerë.
Pikërisht në momentin që gruaja e tij e pranon këtë fakt dhe më në fund gjen vetveten duke krijuar një lidhje me një burrë tjetër atëherë nis e del në pah egoizmi i hidhur i bashkëshortit të saj.
Ai mund të pranojë faktin që vetë të shkoj me gra të tjera, por kurrsesi të pranoj që edhe gruaja e tij të ketë burra të tjerë. Atëherë faqja e monedhës kthehet dhe është burri ai që kthehet në dëshpërim dhe kërkon të vrasë veten.
Kjo tragjikomedi e shkëlqyer nga Dario Fo është vënë në skenë nga regjisori Altin Basha në vitin 2002 dhe do të rikthehet po prej tij në një kohë që duket se është më aktuale se kurrë.
Shfaqja do të vendoset në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 28-29-30 nëntor, në orën 19.00.
PËR REZERVIME 0692797001