Kompjuterat dhe tabletët janë një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e edukimit në klasat e shkollave. 46.7% e klasave në shkollat fillore në botë kanë akses në kompjuter, sipas të dhënave të OKB-së, me shifra deri në 98% në BE.
Megjithatë, jo të gjithë mendojnë se kompjuterat janë një përfitim në klasë. Ralf Lankau, një profesor i teorisë së medias në Hochschule Offenbach ka thënë se “tabletat dhe laptopët nuk i bëjnë fëmijët më të zgjuar, por më budallenj” – duke iu referuar veçanërisht fëmijëve deri në moshën 10 vjeç.
Lankau është një nga 40 akademikët që kanë nisur një peticion përmes “Gesellschaft für Bildung und Wissen” (Shoqëria për Arsim dhe Dije) të Gjermanisë për të shprehur shqetësimet e tyre rreth efekteve të teknologjive digjitale në zhvillimin e fëmijërisë. Ata kërkojnë një moratorium të digjitalizimit në shkollat dhe kopshtet gjermane për fëmijët e moshës 4-11 vjeç.
“Qëllimi nuk është ndalimi i teknologjisë dixhitale, por kthimi në detyrën e mësimdhënies”, tha Lankau. “Duhet të pyesim: Cili është objektivi mësimor dhe si mund të na ndihmojnë mediat analoge dhe digjitale ta arrijmë atë? Dhe jo: Çfarë teknologjie e re është në dispozicion dhe si e përdorim atë në shkollë?”.
Rimendoni edukimin e teknologjisë digjitale!
Peticioni vjen në një kohë kur shkollat gjermane po kritikohen se kanë mbetur prapa në dixhitalizim. Por Lankau dhe akademikët e tjerë duan që Ministria Gjermane e Arsimit të rimendojë se si përdoret teknologjia në kopshtet dhe klasat gjermane. Lankau tha se sistemi aktual arsimor nuk fokusohet në përfitimet e të mësuarit dhe arsimimit të aftësive sociale.
“Institucionet arsimore duhet të përqëndrohen tek individi dhe sesi ata mund të zhvillohen sipas interesave dhe prirjeve të tyre dhe të bëhen pjesë e komunitetit shoqëror,” tha Lankau.
Problemi kryesor, ishte se IT (teknologjia e informacionit) dhe shoqatat e biznesit kanë përcaktuar se çfarë ndodh në shkolla për 40 vjet, kur ne duhet të pyesim: “Çfarë ju nevojitet në nivel lokal në shkollën tuaj, për sa i përket personelit dhe mundësisht edhe teknologjia mediatike?” Cilat janë dëshmitë për kompjuterët dhe zhvillimin e fëmijëve? Maria Hatzigianni, një eksperte në edukimin e fëmijërisë së hershme dhe teknologjitë dixhitale në Universitetin e Atikës Perëndimore, Greqi, tha se komentet e Lankau ishin pjesë e një tendence të vjetër “anti-teknologji”.
“Njerëzit i kanë bërë këto komente për kompjuterat që nga vitet 1990. Sa herë që shfaqet një teknologji e re, njerëzit i zë paniku. Edhe Sokrati, gati 2500 vjet më parë, tha se shkrimi i gjërave do të na bëjë të harrojmë,” u shpreh Hatzigianni. Por sa i keq është në të vërtetë përdorimi i kompjuterit për fëmijët? A është ky vetëm një rast tjetër i të rriturve që u thonë fëmijëve të largohen nga ekranet e tyre, apo shqetësimet janë reale?
Sipas Prakhash Ranganathan, Drejtor i Qendrës për Kërkimin e Sigurisë Kibernetike në Universitetin e Dakotës së Veriut në SHBA, provat shkencore rreth efekteve të teknologjive digjitale në zhvillimin e fëmijëve janë të përziera.
“Ka disa prova të efekteve në zhvillimin konjiktiv, paaftësia për t’u fokusuar pas përdorimit të tepërt të kompjuterit mund të çojë në një përvojë të të mësuarit pasiv e cila mund të pengojë të menduarit kritik dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Por është e paqartë nëse këto ndikime të mundshme negative janë të shkurtra ose afatgjate”, tha Ranganathan.
Disa studime sugjerojnë se përdorimi i tepërt i kompjuterëve ndikon në shëndetin fizik për shkak të sjelljeve të të qëndruarit ulur, duke përfshirë një rritje të obezitetit, çrregullimeve të gjumit dhe ankthit.
Shumë nga këto shqetësime janë të lidhura me frikën më të gjerë në lidhje me efektet e internetit dhe mediave sociale tek të rinjtë, por Ranganathan tha se ne kemi nevojë për më shumë kërkime për të qenë të sigurt për lidhjet. Kompjuterat mund të ndihmojnë zhvillimin e fëmijës. Të dy Ranganathan dhe Hatzigianni theksuan kërkimet që tregojnë se ndërhyrjet e teknologjisë digjitale janë efektive në rritjen e aftësive të shkrim-leximit dhe numërimit, shkathtësisë manuale dhe kujtesës së punës vizuo-hapësinore kur përdoren në një kontekst mësimor. Studimet kanë gjetur se përdorimi ndërvepruese i teknologjisë digjitale rrit mësimin e gjuhës, funksionin ekzekutiv (aftësinë për t’u fokusuar dhe për t’i bërë gjërat) dhe aftësitë e kujtesës.
“Ne kemi robotikë, kodim, mësim gjuhësor, shkrim-lexim funksional, matematikë. Teknologjia është një mjet për të na ndihmuar të aksesojmë informacionin dhe të mësojmë për të qenë krijues. Ndihmon jashtëzakonisht shumë,” tha Hatzigianni.
“Pyetja e duhur duhet të jetë: si do të përdorim teknologjinë e duhur për të përmirësuar të mësuarit dhe për të përmirësuar mësimdhënien, duke mos u trembur prej saj,” tha Hatzigianni.
Është e rëndësishme që edukatorët të punojnë me fëmijët për të krijuar jetë digjitale të shëndetshme. Ajo kritikoi grupin gjerman për injorimin e të dhënave nga fëmijët: “Është mjaft ironike që ata thonë se duan të mësojnë më shumë mendim dhe analizë kritike tek fëmijët, por më pas ata ua heqin zgjedhjen fëmijëve për edukimin e tyre dixhital. A kanë pyetur ndonjëherë për kontributin aktiv të fëmijëve?”
Editor: Aldo Mustafa & Zulfikar Abbany
Autor: Fred Schwaller