Algert Sala publikon këngën e re. Intervista ekskluzive me këngëtarin.

Algert Sala publikon këngën e re. Intervista ekskluzive me këngëtarin.

Algert Sala tashmë një zë i afirmuar në industrinë muzikore ku është komentuar shumë për punën e tij, ka sjellë këngën më të fundit të titulluar “Asgjë” bashkë me një videoklip. RevoKult vetëm pak orë pas publikimit ka arritur të sigurojë intervistën ekskluzive me këngëtarin e ri duke marrë për më shumë edhe përshtypjet apo vështirësitë e para të një krijimi të tillë që publikut thjesht i shërbehet në një videoklip dhe këngë 3 minuta, por çfarë përpjekjesh i kërkon kjo artistit, për më tepër lexoni intervistën që gazetari Aldo Mustafa ka bërë me Algert Salën.

Tashmë prej disa vitesh merresh me muzikë dhe je i angazhuar në një studio të mirëfilltë. Si është kjo eksperienë për ty?

Është një eksperiencë që të rrit dhe të mban me këmbë në tokë pasi, puna në studio është e lodhshme, ti qëndron aty me orë, ditë duke nisur projekte, duke i prishur, duke i rindërtuar, deri sa ato të marrin formën e duhur. Por procesi është mjaft i bukur dhe frymëzues, pasi mëson shumë dhe të bën më kreativ.

Prej sa kohësh përgatitesh për këtë këngë?

Kjo këngë ka 3 vite që është krijuar. Është riperpunuar në shumë forma deri sa erdhi në këtë formë që ju shihni sot.

Ke thënë që kjo këngë është shumë personale për ty. Teksti qartazi duket një tekst i një kënge dashurie e cila nuk ka ecur siç duhet. Çfarë ngjarje ka frymëzuar këtë tekst?

Po e kam shprehur që është personale dhe po ka të bëj me një dashuri që s’ka funksionuar hahaha, por uroj të funksionojë në muzikë.

Si erdhi ideja e videoklipit?

Ideja e klipit është diskutuar si fillim me The Claudia Directoren e Fullmoon Production. Hodhëm disa ide pasi donim ta sillnim të thjeshtë, por edhe të kuruar njëkohësisht. Na është dashur të djegim edhe 3 skena xhirimesh që nuk janë përdorur në klip për ta thjeshtuar si gjë. Dhe ky klip hyn tek ato qe nuk do fshihet nga YouTube pasi më pëlqen hahaha!

Sa këngë ke publikuar deri më tani me videoklip?

Me videoklipe kam publikuar 6, por 4 prej tyre janë fshirë nga YouTube pasi nuk më pëlqente vetja hahaha, plus në materialet muzikore kapja detaje që s’më pëlqenin dhe vendosa t’i fshija. Mund të thuash është kompleks, por thjesht jam detajist.

A është e thjeshtë të bësh një videoklip të tillë, apo gjërat që në dukje janë të thjeshta, në praktikë janë më të vështira?

Nësë do ishte e thjeshtë do kisha publikuar më shumë materiale hahaha. Në 3 minuta ka shumë mund që nuk shfaqet. Dhe investimi në këtë fushë është si thikë me dy presa ose materialet që nxjerr ecin ose ngelin në vend.

A presim projekte të tjera nga Algerti dhe nëse po, kur?

Vitet e fundit kam punuar shumë që të sjell projekte të tjera në vazhdim. Se kur nuk e di, por po punoj…

Cili është sekreti i kësaj pune?

Thjesht është e lodhshme hahaha, por është një lodhje që të fal shumë kënaqësi shpirtërore në fund. Të bën të ndihesh i plotësuar. Sekreti është durimi!