Pasditen e së premtes në universitetin e Durrësit është mbajtur Konferenca Ndërkombëtare e Marketingut Inovativ, më e madhja dhe e vetmja në Shqipëri dhe Rajon.
Ervin Myftaraj, përgjegjës i Departamentit të Marketingut pranë Fakultetit të Biznesit e konsideron “Konferencën Ndërkombëtare të Marketingut” si një risi, që vetëm Universiteti i Durrësit e organizon. “Po ta shohim dhe më gjerë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, është konferenca e vetme, unike, që trajton shkencën e marketingut”- është shprehur më tej Myftaraj.
Tashmë një traditë disa vjeçare, ky takim i katërt i konferencierëve i tejkaloi pritshmëritë, duke mbledhur bashkë qindra studiues nga 20 shtete të ndryshme të botës.
Edlira Llazo, zv. Dekane e Fakultetit të Biznesit për Kërkimin Shkencor u shpreh se “Sivjet ne kemi mjaft pjesëmarrës me një gjeografi të gjerë. Kemi gati 20 shtete pjesëmarrëse, duke filluar nga SHBA, Anglia, të gjithë shtetet e rajonit, etj.”
Shaip Bytyqi, profesor nga Prishtina, ka qenë pjesëmarrës në secilën prej konferencave, dhe njëherazi dëshmitar i jashtëm i kësaj rritjeje u shpres se kjo është hera e katërt këtu “sa herë vij shoh diçka të re, sepse në vazhdimësi gjërat po ndryshojnë.“
“Nuk mund ta gjesh diçka më unikale se kaq, sepse zakonisht konferencat organizohen në kuadër të fakultetit me tema të ndryshme, por kjo është diçka e rrallë, që një departamet të zhvillojë konferenca të vazhdueshme me tema aktuale.
Vetë fakti që sot ka prej dhjetra fakulteteve jo nga Shqipëria po tregon se ka një interesim të madh”, tha ai.
Prezantimi i punimeve shkencore në konferencën “E ARDHMJA E MARKETINGUT – TRANSFORMIMI PËRMES INOVACIONIT DHE QËNDRUESHMËRISË” synon të jetë një mundësi shumë e mirë për të ndarë eksperienca, risi dhe gjetje të rëndësishme që Departameti i Marketingut në UAMD shpreson të jenë të vlefshme për biznesin, sektorin privat dhe atë publik, kërkuesit shkencorë që janë të angazhuar në studime të ndryshme mbi fushën e marketingut dhe inovacionit etj.