Pas suksesit në Teatrin Kombëtar Eksperimental, komedia “Çifti i hapur” vjen në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës vetëm për dy netë, gjatë datave 7 & 8 dhjetor, në orën 19:00.
Regjisori i shfaqjes, Sulejman Rushiti, shprehet për “Çiftin e hapur” se është një komedi ku përmes teatralitetit, farsës, ironisë dhe dramës së personazheve hapet debat mbi çështje të rrëndësishme të jetës bashkëshortore dhe sociale.
“Është shfaqje që përmes të qeshurave synon të prekë thellë raportin mashkull-femër. Trajton pozitën e shtresuar shoqërore mes gjinive. Trondit rolet e vendosura “tradicionale” duke vënë përballë situatat e kundërta, vendosjen në rrethana të ngjashme të karaktereve për ta gjykuar situatën duke e jetuar vetë.” – shprehet Rushiti ndër të tjera.
Sakaq aktorja dhe regjisorja e mirënjohur Suela Bako na tregon disa sekrete më shumë rreth mendimeve të saj fillestare për këtë shfaqje. Për RevoKult, Suela Bako tregon se:
“Unë kam vite që e mendoj, ta vendos në skenë CIFTI I HAPUR. Asnjë gjë nuk ndodh rastësisht. U desh një shkëmbim mesazhesh me regjisorin Sulejman Rushiti, teksa e ndihmoja atë me tekstet (versionet e përkthimit) që unë kisha në shtëpi – falë vëmendjes së tejkaluar të tim shoqi, Romirit për veprat dramatike që i bien në dorë. Kështu lindi ideja për të punuar me Sulën, në versionin shqip, veprën të cilën ai ishte duke punuar në versionin turqisht. Imagjinoni! Kemi para nesh një Antonia turke, një shqiptare, gjithashtu së shpejti do të ketë një Antonia dhe inxhinier Mambreti maqedonas. Vetëm kaq u desh për t’ju futur punës me kokë dhe në rastin tonë dhe me këmbë e me rrota (pasi kemi udhëtuar shumë për të realizuar procesin e provave, ndonjëherë ca shpesh dhe në kufijtë e aventurës…)”, u shpreh Bako ndër të tjera.
Por a ia ka vlejtur sakrifica dhe puna kolosale?
“Ia ka vlejtur, çdo sakrificë! Ndihem mirë me Antonian dhe me Çiftin tonë të hapur. Tani shfaqja vetë duhet të luhet, që Antonia e Inxhinier Mambreti të fillojnë të jetojnë brenda nesh.”
“Sula, ka bërë një konceptim të thjeshtë në dukje, por tejet inteligjent. Ndjehet që është një pjesë që ai e njeh mirë prej vitesh dhe e ka shtrirë kërkimin e tij teatral drejt teatrit të distancimit, komedisë së artit (comedia dell’arte), por është akoma më shumë. Është një sfidë aktoriale për të hyrë e dalë nga karakteri, nga shfaqja, nga koha (koncepti ‘kohë’ është një nga elementët më tundues në shfaqje në kuptimin aktorial).”, tregon Bako për publikun.
“Mezi pres ta ndajmë shfaqjen me publikun teatër dashës të qytetit të Durrësit në teatrin Aleksandër Moisiu. Premtojmë që do të kalojnë një kohë tejet argëtuese e cila do t’u japë përgjigje, shumë situatave individuale, nëpër të cilat një çift kalon, dhe kjo është e gjithkohëshme!”, thotë Suela Bako në përfundim të intervistës.