Një vepër e shkruar nga një çift, e interpretuar nga një çift, për të dhënë mësime të forta për ato që sot njihen si “marrëdhënie të hapura”.
“Çifti i hapur”, shkruar nga autori fitues i çmimit Nobel, Dario Fo dhe gruaja e tij, Franca Rame, erdhi premierë mbrëmjen e së enjtes në teatrin e Durrësit, me regji të Sulejman Rushitit dhe personazhe kryesorë Suela Bakon dhe Romir Zallën.
Sulejman Rushiti regjisor:
“Një nga veprat më të arrira të çiftit të autorëve. I rikthehem pas shumë vitesh duke shtuar dhe plotësuar me personazhet e rinj që bëhen pjesë e jetës së tyre. Vepra vjen me mesazhe filozofike. E bukura e veprave të mira është se janë universale, prandaj i rivendosim, sepse na japin mundësi të mbindërtojmë konceptim. Unë përcjell filozofinë dhe problematikat e ambientit ku jetoj. Në këtë pjesë është vënë theksi tek raporti ballkanik i këtij koncepti. Pra si do të funksiononte në një ambient maskilist. Pra përsëri figura e burrit është dominante apo do të ishte e rreme. Nuk dua ta dramatizoj, por ne jemi dëshmitarë çdo ditë, për shkak të kësaj qasje shpesh kemi dhe viktima, pra dominimit të mashkullit dhe përplasja me fenomene të tilla.”
Gjithçka fillon me çiftin: burrin kontabilist dhe gruan e tij, Antonia, një shtëpiake në depresion. Për të dalë nga monotonia dhe për të “shpëtuar martesën e tij”, burri përpiqet të bindë gruan e tij që “të hapet” ndaj aventurave të reja … jashtëmartesore!
Po si vjen ky version modern i çiftit në realitetin ballkanik? Këtë na e tregon Romir Zalla dhe partnerja e tij në jetë e në skenë, Suela Bako. Mesazhe të forta, por edhe më të forta ishin emocionet e aktorëve.
Suela Bako aktore:
“Është premierë në Durrës. Vijmë këtu me shumë emocione. Prej vrapit të çmendur që po ndodh sot me sallat, ne nuk kemi mundur ta pjekim shfaqjen, prandaj emocionet e mëdha nuk i kemi shkarkuar. Vazhdojnë të më dridhen duart. Këtu e gjejnë veten të gjitha gratë dhe vajzat. Të martuarat e kanë më të vështirë kur duhet të mbajnë lidhjet me zor për shkak të opinionit dhe mentalitetit. Kjo është një pjesë kaq pro gruas, lirisë dhe familjes. Është një simbiozë kaq e këndshme ndaj lirisë dhe përgjegjësisë personale. Zgjidhja është komunikimi. Ka qenë eksperiencë e shkëlqyer. Punoj me regjisorin për herë të parë, por ishte eksperiencë e shkëlqyer. Në shfaqje jemi shkrirë mjaft mirë duke ndërthurur elementet falë regjisorit. Unë duhet të pohoj që biletat janë drejt përfundimit, ftoj për ato pak bileta që kanë mbetur të vijnë dhe ta shofin shfaqjen. Pikëpyetjet tuaja do të marrin përgjigje. Teatri është hapësirë për të pranuar ato pikat e errëta dhe për t’u bërë më të mirë.”
Romir Zalla aktor:
“Është kënaqësi e madhe për mua të vij me këtë shfaqje ekskluzivisht për publikun e Durrësit. Shfaqja flet për marrëdhënien bashkëshortore, një marrëdhënie që ndodh mes çdo çifti, marrëdhënie e bazuar mbi uljet dhe ngritjet e çifteve. Duke qenë se partneren në jetë e kam dhe në skenë, kjo na e bën ndërlidhjen më të mirë. Ishte një natë emocionale për ne, për shkak të premierës. Shfaqja është si një gjallesë që ndryshon nga nata në natë dhe ka jetën e vet. Publiku sot ishte shumë suportiv dhe i dha shfaqjes tisin emocional të duhur. Kjo është një vepër që ndjehet që është shkruar nga një dorë femre, pavarësisht se është shkruar nga një çift. Nuk mendoj se ulet apo ngrihet figura e njërit apo tjetrit në raportin e lidhjes. E vetmja përgjigje që jep kjo shfaqje është që çdo përplasje zgjidhet vetëm nëse çifti kanë dashuri dhe respekt reciprok. Përtej kësaj çdo gjë kalohet. E vetmja formë e zgjidhjes është dashuria e fortë, për çdo lloj problemi!”
Emocionuese ishte kjo mbrëmje edhe për “mysafirët”, pjesë e kastit të aktorëve.
Elizabeta K. Mladensovska vjen nga Maqedonia e Veriut dhe është një prej tyre.
Elizabeta K. Mladenovska aktore:
“Po, unë punoj në teatrin e Gostivarit me aktorë shqiptar dhe është kënaqësi që gjendem këtu në këtë bashkëpunim. Nuk është hera e parë që luaj në një shfaqje shqiptare dhe kam një pëlqim për vendin, sepse që prej vitit 2006 vij dhe kaloj pushimet në këtë vend. Jam ndjerë shumë mirë me këtë kast aktorësh. Nuk është hera e parë që luaj në një gjuhë tjetër. Kam luajtur në gjuhën Greke, Iraniane dhe Angleze. Do kisha dëshirë të kisha ftesë dhe nga regjisorë të tjerë shqiptar. Faleminderit të gjithë shoqërisë time nga Tirana Durrësi dhe Vlora që erdhën në shfaqjen e sotme.”
“Çifti i hapur” është një produksion mes teatrove të Gostivarit dhe Durrësit. Ajo do të vihet në skenë për artdashësit durrsak edhe për një mbrëmje tjetër, atë të së premtes.