Një retrospektivë e asaj çfarë ndodhi në vitin 2000, ku situata në Kosovë ishte në gjendje lufte, bëri që qyteti i Kukësit, të priste afërisht 400.000 qytetarë të Kosovës të cilët gjetën strehim në Kukës dhe jo vetëm.
“Qyteti i Kukësit bëri bujë në mbarë botën kur në vitin 2000 u bë qyteti i parë që u nominua për Çmimin Nobel për Paqen.” Kështu e ka nisur artikullin BBC duke vendosur theksin tek mikpritja e këtij qyteti dhe duke e përforcuar edhe një herë këtë virtyt të mirënjohur shqiptar.
Edhe pse i vogël, qyteti i Kukësit përjetoi një famë përtej të imagjinueshmes duke kthyer sytë e botës drejt asaj që ndodhte në vendin tonë.
Me përfundimin e luftës së Kosovës dhe rikthimin e refugjatëve të luftës në vendin e tyre, Kukësi ka përjetuar një shpopullim, pasi 53% e banorëve u larguan nga ky qytet për shkak të varfërisë dhe emigruan jashtë vendit.
Duke hapur dyert për 400.000 njerëz, Kukësi tregoi se humanizmi mbizotëron çdo situatë që ndodh, pavarësisht hapësirës dhe mundësive. Pavarësisht shpopullimit, tashmë Kukësi po tërheq vëmendjen e turistëve me zonat malore, shtigjet natyrore dhe turzimin që po zhvillohet dita ditës, duke i rikthyer nderin e munguar.
Prej disa kohësh bujtina të shumta dhe shtëpiza druri po zhvillohen në këtë zonë të vendit, ndërkohë që ashtu si Thethi, Valbona dhe zona të tjera të ngjashme të cilat prej disa vitesh kanë tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj, tashmë Kukësi po njihet për bukuritë e tij natyrore ndërkohë që guidat turistike vendase po i kushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në planet e tyre.
Edhe pse në fillimet e veta, pritshmërite duket se janë të larta për zhvillimin e mëtejshëm të këtij qyteti dhe ndoshta nisjen e një rrugëtimi për rikthimin e investimeve dhe emigrantëve.