Alma Lleshi: Poezia ka qenë gjithnjë me mua.

Alma Lleshi: Poezia ka qenë gjithnjë me mua.

Alma Lleshi një gazetare dhe autore e njohur e cila pasionin e saj për letërsinë dhe konkretisht për poezinë, duket se e mban me vete për aq kohë sa mund të mbajë mend. Në një intervistë për RevoKult, poetja ndan kujtimet e saj të para, raportin me poezinë dhe disa prej shkrimeve të saj.

Aldo Mustafa – Si të lindi pasioni për poezinë dhe cilët kanë qenë ndikuesit kryesorë?

Alma Lleshi – Pasioni për poezinë ka nisur që në fëmijërinë time dhe mendoj se nuk ka ndikuar ndonjë person apo ndodhi në veçanti, sepse më duket se poezia ka qenë gjithmonë me mua. Nisi në një mënyrë naive dhe të bukur njëkohësisht. U shkruaja poezi krejt të shkurtra shoqeve të klasës, me tiparet kryesore të tyre dhe kështu vazhdoi, me poezi për nënën time, mësuesen, mamatë e shoqeve, madje madje shkruaja poezi edhe për ndonjë “fiksim” të shoqes sime përtej klasës…

Aldo Mustafa – A gjen shpëtim në poezi apo shkruan për t’u përmbushur?

Alma Lleshi – Një lloj “arratisjeje” do të thoja, për aq kohë sa poezia është gjaku i rebelimit dhe ngritjes së vetëdijes, mund edhe të të shpëtojë, pse jo!

Aldo Mustafa – Cilët janë për ty poetët të cilët i shijon më shumë kur u lexon poezitë?

Alma Lleshi – Njëri është poeti që unë e admiroj dhe e shijoj sigurisht. Rreshpja! Se ai është filozofi i “dimrit”, inteligjenti i vuajtur edhe ai njerëzori i mjegullt…

Aldo Mustafa – Çfarë është “unë” dhe si ndryshon nga “ti” çfarë je për të tjerët?

Alma Lleshi – Unë është “e pakapshme” nganjëherë, dhe si iluzion e trajtoj me frikë të skajshme. “Unë” është edhe ikje, dhe nuk do t’ja dijë fare për atë që “ti” qe dhe kurthet e paragjykimit thurni vazhdimisht.

Aldo Mustafa – Përtej komuniteteve dhe ndasive fetare, krahinore dhe kulturore, cili është elementi apo gjëja që mund t’i bëjë të gjithë bashkë?

Alma Lleshi – Tani do të citoja Nënë Terezen, teksa thoshte që asnjë prej nesh, nuk mund të bëjë i vetëm gjëra të mëdha. Por në të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe dhe së bashku mund të bëjmë diçka të mrekullueshme…

Në fund të intervistës Alma Lleshi ndan dhe një pjesë të krijimtarisë së saj me RevoKult:

Nëpër rrugë!

Poezi nga Alma Lleshi

Nëpër rrugë ka ëndrra,

Nëpër ëndrra, dashuri!

Nëpër rrugë kapakë pusetash

Anashkaluar apo shkelur me kujdes, 

nga supersticiozë.

Limite dashurie!

Të matura verbërisht,

nga idhuj prenatalë njerëzorë.

Verbërisht besnikë,

ndaj ligjit të shkruar,

netëve pa histori,

nga një epsh madhor.

Limite fjalësh!

Presuar me çekanë. 

Dhe mendje të ngushta,

që mbyllin të metat bosh të perfeksionit.

Nëpër rrugë,

parvaze somnambul,

që përpiqen brenda ngurtësisë,

për sadopak rrjedhë legjendash.

Legjenda shqipe,

Të zjarrta e të vakëta,

Të ndjera e të zhbëra,

reale dhe ireale.

Thirrje ëndrrash.

Të lira e të ndaluara,

të shtypura e të fituara.

Reale dhe ireale.

Nëpër rrugë ka ëndrra,

Nëpër ëndrra, dashuri!

***

Along the streets

Along the streets-dreams.

through the dreams-love.

Along the streets

Sewage holes

overlooked or carefully stepped on

from superstitious.

Love limits

blindly measured

from human prenatal idols.

Blindly blind

to the written law

nights without a story

from a major lust.

Word limits

pressed with ivory hammers,

bloodied flesh which encases

the idle flaws of perfection.

Along the streets

Sleepwalking sills

which strive within the stiffness

for even a slight flow of legends.

Legends of passion,

fiery and tepid,

weaved and unwoven,

real and unreal.

Calling of dreams,

free and prohibited,

blessed and cursed,

real and unreal.

Along the streets-dreams.

Through the dreams-love.

***

Nuk fle!

Pjesë historish të harruara

Më kanë mbuluar.

Po më marrin ajrin.

Nuk di ç’të zgjedh si shpëtimtare

të frymës time.

Janë të zeza, të rënda.

Janë aq shumë të mbledhura.

Si milingonat

pranë ndonjë ushqimi të hedhur.

Apo si qeniet e arsyeshme

mblidhen para piedestaleve të rebeluar.

Janë aq shumë, të mbledhura heshturazi.

Thuajse nga dora e padukshme

dhe e paprekshme e Zotërve.

Zotërinjvë “ëngjëj”

Fakse shuarjeje të shpërndarë nëpër gërma.

Janë aq shumë në numër, të panumërt!

Çuditërisht, me gjithë shumësinë

Dhe të qënit kundër.

Nuk më vënë në gjumë!

Muzika që del nga bokset,

Ende të pastresuar, ka ajër.

Dëgjoj hitet e vendeve të para,

dhe qetësohem në ëndjen e duhur.

Ka edhe jetë mes tingujsh.

Hapësirë e madhe e shtrirë,

Si uji nëpër tuba artificialë,

Apo si qeniet pa ndjenjë

shtrihen mbi dyshekë,

mbushur mëkatesh.

Mëkat njerëzor-ligjshmërisht i mbrojtur

brenda kufijve të politikës.

Ka shumë kotësi,

dhe zhgënjime panumër.

Çuditërisht, me gjithë shumësinë,

Nuk më vënë në gjumë.

Njëjësi im nuk fle!

Ikur

Në ato caste,

Kur mërzia bëhet

më e madhe se un’.

Atëherë kur i kam konsumuar

të gjitha ikjet.

Humbas për ty.

Telefonoj,

Dhe përtej boshllëkut

nisem.

Por,

Përveç frymës,

Gjithçka tjetër, iluzion.

Dhe hiç.

Asgjë.

Me telefon un’ fikem.

Ato çaste

Kur kam ndjenjën

Dhe ëndrrën time me ty,

Më mungojnë.

Aq shumë më mungojnë.

Deri atëherë,

Kur të të humbas përsëri.

Ne u dashuruam

Pa njohur urrejtjen dhe ambicjen.

Ne u dashuruam

Pa ditur seç fshihej pas kësaj.

Ne u dashuruam

Kur humbja kish kaluar përtej

E shkrirë gjithkund

Në çdo skaj.

Ne u ndamë

Pa ylbere mes rrebesheve t’egra

Ne u ndamë

Pa shenjën e kuqe të hakmarrjes.

Ne u ndamë

Kur fjala mërgoi

Në stacionin e puthjes së fundit.

E megjithëse jeta

Veç njohje e ndarje thur.

S’ka gjë,

Ne, u dashuruam dikur!

***

WE LOVED ONCE

We loved

without knowing hate and ambition.

We loved

Without knowing what lay hidden behind

We loved

when the feeling had penetrated deep inside,

everywhere, in every corner.

We separated

without rainbows amidst the dreadful downpours.

We separated

without the red mark of revenge.

We separated

When love had fled untill the kiss last…

Even though,

life weaves for us only separation.

It’s okay…

…We loved once.

***

Pa emër!

Qëndron në një qoshe, i vetëm, mbi një grumbull zhavorri. Nuk ka emër dhe nuk flet. Nuk reagon kur e pyet për prindërit, se nuk i njeh. Nuk dëgjon, është indiferent ndaj çdo tingulli.

I ulur këmbëkryq, qëndron si mbret mbi pasurinë e tij prej dheu. Një çizme të vjetër e ka hequr, dhe tinëzisht i zbulohet këmba e zbathur me gishtërinjtë përjashta, që të kujtojnë Lulin e Vocërr, të Migjenit të madh.

Lodrat e tij të vetme dhe kënaqësia më e madhe për të, janë çizmja e vjetër dhe çorapet e grisura, që herë mundohet t’i veshë e herë i vendos mbi tokë. Pamja e tij, si një pështjellim e mesjetës. Balli i mbuluar nga flokët, lëkura më e vyshkur se sytë, dhe në trup ato fijet e pëlhurës.

Nuk lyp, as kërkon mëshirë, sepse ende nuk ka mësuar të flasë gjuhën e atyrë që i kalojnë pranë, dhe i hedhin në krah, monedhat e mëshirës mbetur në xhepat e fryrë.

Dhe “mjerimi mirfilli ndjen tradhti”…

Nuk i vështron në fytyrë, as ua hedh sytë. Jeton me botën e tij, pothuaj të pakuptimtë për të tjerët.

Kur e pyes për emrin, ai hesht! Sikur fjala të mos ekzistojë!

• Ku i ke prindërit?

Përsëri vogëlushi hesht. Merret vetëm me lojën e jetës: të veshë-të ç’veshë çorapen e grisur në këmbën e njomë. S’ka gjë se gishtërinjtë i ngrijnë nga i ftohti jashtë.

• Ku e ke shtëpinë?

Ai përsëri hesht. Për një çast mendoj se nuk është i

***

• Ku e ke shtëpinë?

Ai përsëri hesht. Për një çast mendoj se nuk është i kësaj bote. Se veshët e tij s’kanë ç’të dëgjojnë, se goja nuk i do fjalët, dhe sytë nuk shohin përtej!

Por gabohem.

Duart e tij, sytë, mendja, goja e gjithë bota e tij ndekin me ankth çorapen e grisur, çizmen e llastikut, me një përpjekje që i kalon caqet e të njerëzishmes. Se kështu i pëlqen, teksa mbrohet nga i ftohti meskin i kalimtarëve.

Vazhdon ende të qëndrojë mbi grumbullin e zhavorrit, ngujuar në caqet e skeletit të tij të brishtë. E duket sikur ashtu do të qëndrojë deri në përjetësi, si një plak i moçëm që ka vendosur t’i kalojë ditët e tij të fundit, në dialog me të paqenën.

I gëzohet vetëm rrezeve të vakëta të pranverës. E përshëndet me duar diellin bamirës. Dhe nuk i është mirënjohës askujt tjetër. Shoqëria e ka mohuar ekzistencën e tij që në lindje. Heshtja që vret, mesazhi i revoltës. I revoltës kundrejt nënës, babait, individit, shoqërisë, shtetit, kundrejt gjithë botës, të cilët e kanë braktisur.

Pa emër, pa identitet, pa vendlindje, pa strehë, pa fjalën e ngrohtë!

Kohë pas kohe, shifrat për trafikimin e fëmijëve, janë tronditëse. Shumë përtej propagandës qeveritare, mijëra fëmijë shqiptarë lypin dhe shfrytëzohen për qëllime të ndryshme rrugëve të Athinës, Romës, Barit, Selanikut, Milanos. Dhe vetëm në Greqi, 60% e fëmijëve të trafikuar ilegalisht janë shqiptarë. Të shtypur, të përbuzur, të diskriminuar.

Dhe po kaq tragjik është fakti, që çdokush i emërt në këtë shoqërinë tonë të grisur nga veshja dalëmode e mëshirës, e di faremirë se çfarë do të ndodhë me vogëlushin e braktisur.

Fëmija pa emër vazhdon të qëndrojë pikturë mbi zhavorr…

Ai nuk flet, nuk proteston!

Është një vogëlush rom dhe i pafat shqiptar!

***

Nga autorja:

Ndjesitë artistike të miat janë pasqyruar në një varg botimesh si autore (libri me poezi Rrugët e Shpirtit) dhe bashkëautore studimesh të shumta. 

– Shkrime dhe poezi te shumta të botuara në gazeta dhe portale të mirënjohur.

-Bashkautore e librit Romët e Shqipërise në Folklor”, me një parathënie nga studiuesi i shquar Shaban Sinani, i botuar në Budapest.