E renditur në 5 piktorët më të mirë bashkëkohor evropian për të marrë pjesë në një ekspozitë në Paris, përgjatë prillit të vitit të ardhshëm, Alketa Tragaj Myshketa, sapo është shpallur “Artista d’Europa 2023” duke pasur kështu sukseset e mëparshme.
Një ditë më parë në teatrin “San Babila” në Milano/ Itali, piktorja durrsake u vlerësua nga një juri e përbërë nga emra të njohur të artit në vendin fqinjë. Tragaj u prezantua në këtë konkurs ndërkombëtar me një tablo kontemporane, të titulluar “Fiori” të punuar me vaj në kanavacë ku mbizotëron atmosfera pranverore.
Për Tragajn, përzgjedhja në 5 më të mirë e artistëve bashkëkohor dhe vlerësimi me titullin “Artista d’Europa 2023” ishte arritja e konsiderueshme, pasi konkurenca ishte mjaft e fortë mes shumë piktorëve nga e gjithë Evropa.
Alketa Tragaj Myshketa është nënë e një vajze vetëm 9 muajshe, të cilën e mori me vete në kunkursin ndërkombëtar të zhvilluar në Itali, duke ndjekur artin dhe punën e saj pa hequr dorë asnjë moment.
Viti i ardhshëm do ta gjejë të angazhuar me punimet e radhës, ndërkohë që pjesëmarrja më 26 prill 2024 në ekspozitën në Paris do të jetë një tjetër sfidë e bukur profesionale për piktoren durrsake.