Për ikonën “Shën Gjergji dhe Shën Dhimitri” rinis një jetë e re. Specialisti Erion Lezi ka përfunduar restaurimin e saj dhe publiku së shpejti do të mund ta vizitojë në Muzuen Ikonografik “Onufri” me ngjyra të rijetësuara. Lajmin e ka bërë me dije në mediat sociale ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Përfundoi ndërhyrja restauruese e ikonës “Shën Gjergji dhe Shën Dhimitri”, pjesë e fondit ikonografik në Muzeun “Onufri”, Berat. Ikona i përket fundit të shek. XIX nga autor anonim. Skena paraqet imazhin e dy shenjtorëve mbi kuaj, ku majtas është paraqitur Shën Gjergji i hipur mbi kalin e bardhë, duke goditur me heshtë dragoin, kurse djathtas paraqitet Shën Dhimitri i hipur mbi kalin e kuq, i cili ka goditur me heshtë ushtarin pagan të shtrirë para tij. Të dyja figurat triumfuese, janë kompozuar bukur brenda një peizazhi. E gjithë ikona spikat për larminë e ngjyrave dhe “e guximshme” në artin ikonografik të kohës. Këto ngjyra morën jetë falë ndërhyrjes restauruese të specialistit restaurator Erion Lezi dhe së shpejti do të ekspozohet për vizitorët, në hapësirat e Muzeut të Ikonografisë “Onufri”, – shkruan ministrja Elva Margariti në rrjetet sociale.