Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë! Zbuloni fituesit…

Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë! Zbuloni fituesit…

Çmimet Kombëtare të Letërsisë, mblodhën personalitete të letërsisë e botës akademike. Në kujtesë të Lasgush Poradecit, Elia Zaharia krijoi atmosferën përmes recitimit të vargjeve të poetit.

Prej fillim vitit anëtarët e jurisë së kryesuar nga akademiku Mehmet Kraja ( dhe anëtarët: Shezai Rrokaj, Saverina Pashaj, Aida Tuci dhe Mimoza Hysa) kanë nisur punën për të vlerësuar botimet e vitit 2022. Ku janë përzgjedhur 6 vepra fituese, si më poshtë:

Çmimi “Vepra më e mirë studimore letrare e vitit” i jepet Xhevat Lloshi me librin “Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip” me motivacionin: “një studim i plotë, i larmishëm dhe i dokumentuar mbi veprën dhe kronologjinë e jetës si dhe të përkthimeve shqip të Biblës dhe një bibliografi shteruese mbi veprën e Kristoforidhit”.

Çmimi “Libri për fëmijë më i mirë i vitit” i jepet Edi Gogu për librin “Tezja dhe shkopinjtë magjikë” me motivacionin: “për një shkrim plot fantazi që nxit imagjinatën dhe i fut fëmijët në botën e ëndrrave”.

Çmimi “Romani më i mirë i vitit” i jepet Stefan Çapaliku me romanin “Një engjëll veshë me frak” me motivacionin:’ për një shkathtësi rrëfimi dhe gjetjesh të përdorura tradicionalisht në prozën romanore, tejkalon këtë kufizim dhe veprës i jep shtrirje më të gjerë dhe personazhit referencë polivalente”.

Çmimi “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” i jepet Olimbi Velaj për librin “Lumturia e të tjerëve” me motivacionin: “për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin e mendimit, për origjinalitetin dhe gjuhën poetike mjeshtërore e të drejtpërdrejtë”.

Çmimi “Përkthimi më i mirë i vitit” i jepet Mira Meksi për librin “Vjeshta e patriarkut”, G. G. Marquez me motivacionin: “për përkthimin e romanit e cila vjen në një shqipe të pasur me një sintaksë pabesueshmërisht të qartë që jo vetëm respekton stilin e autorit por edhe sjell me autencitet një shumësi zërash, një përrua fjalësh, figurash, me muzikalitetin e një fuge baroke”.

Çmimi “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit” i jepet Behar Jacaj për librin “Hoteli përbri kishës” me motivacionin: “për një pasqyrim psikologjik të pështjellimit të botës së brendshme të njeriut të kohërave të sotme, përmes një rrëfimi të zhdërvjellët, me gjuhë të pasur dhe situata befasuese”.