Një ndër dirigjentet më të njohura dhe pa dyshim më të suksesshme në Shqipëri mbetet padyshim Suzana Turku. Suzana ka mbushur plot 70 vjeç, ditëlindje të cilën e ka festuar duke mbledhur pranë vetes familjarët, miqtë, studentet e saj dhe pa harruar profesorin e saj të nderuar Robert Radon ndaj të cilit ruan mirënjohjen e thellë.
Ky 70 vjetor e ka gjetur të kompletuar dirigjenten, ndërsa thotë se në jetë i ka përjetuar të gjitha. Gjatë karrierës së saj të gjatë, Turku është vlerësuar me çmime të shumta, megjithatë ajo flet me modesti duke vendosur theksin tek puna.
Për Suzanën të bëhesh i suksesshëm nuk mjafton vetëm talenti, por edhe puna sistematike. Për Suzanën përjetimet gjatë koncerteve të saj janë emocionuese andaj dhe nuk preferon të veçojë ndonjë.
Por sa e vështirë është për një femër të jetë e suksesshme si në jetën artistike ashtu edhe në familje? Suzana Turku ka gdhendur me profesionalizëm një kontribut të çmuar në Shqipëri, nga operat kombëtare tek ato ndërkombëtare, ka interpretuar kompozitorët më të shquar si Çest Zadeja, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Tonin Harapi, po ashtu Suzana ka ngjitur në opera vepra madhështore si Traviata Rigoleto apo edhe Karmen.
/RTSH/