Me Kadri Roshin në kujtim të 100 vjetorit të lindjes
-Kujtim i shtrenjtë, kur festonim 50 vjetorin e krijimit të teatrit “A. Mosiu”
…Historinë duhet ta bëjmë siç është dhe jo siç duam. Dhe për këtë duhet të çfrytëzojmë çdo dukuri reale, siç është dhe kjo foto me ngarkesë emocionale…
Kam të drejtë të ligjshme ta veçoj këtë foto, shumë të dashur, shumë të shtrenjtë, emocionuese dhe me ngarkesë të madhe shpirtërore. Pamja këtu me aktorin e jashtëzakonshëm të skenës dhe filmit shqiptar Kadri Roshi, është bërë në lokalin e mikut tim të paharruar Rexhep Keçi, me 11 janar të vitit 2003. I bie 21 vite më parë.
Por çfarë thesari është kjo pamje? Dhe sa me fat kam qenë, pasi këtu jam me detyrën e drejtorit të teatrit “A. Moisiu”.
Foto që publikohet tani, ka dy ngarkesa historike:
Së pari : me 11 janar 2024, teatri jonë i dashur, pjesa shpirtërore e kulturës durrsake, teatri “A. Moisiu”, i krijuar nga korifejtë e skenës durrsake dhe jo vetëm mbushi 71 vjet nga themelimi.
-Së dyti me 4 janar 2024, madhështori i teatrit Kadri Roshi plotësoi 100 vjetorin e lindjes.
Po rikujtoj shumë shkurt, disa tregues biografik të njeriut mbi të gjitha dhe aktorit nderues tonin Kadri Roshi.
Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës. I biri i Maksutit dhe Sabrie Roshit. Prejardhja e tij është nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç, i vdiq edhe i ati.
Përfundoi studimet e larta në Zagreb të Kroacisë. Filloi karierën e tij si sufler, pastaj si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare, duke qenë ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë dhe deri sa mbylli veprimtarinë, numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi.
Këto përbëjnë angazhim të madhe artistik, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës, aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata etj.
Nga shumëkush, është konsideruar legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Mbetet aktor i papërsëritshëm dhe talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me “Çmimin e Karierës” në Festivalin e Filmit Artistik. Në vitin 1997 me Çmimin e “Madh të Nderit”.
Është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Kadri Roshit është kolos për filmin dhe teatrin
Me 6 shkurt 2007, u nda nga jeta në moshën 83 vjeçare. Kjo foto mbetet pjesë e historisë së jetës time, por edhe e teatrit “A. Moisiu” që i dedikova maksimalisht përkushtimin tim porfesional dhe intelektual.
Historinë duhet ta bëjmë siç është dhe jo siç duam. Dhe për këtë duhet të çfrytëzojmë çdo dukuri reale, siç është dhe kjo foto me ngarkesë emocionale.
Durrës: 12 janar 2024
Në foto: Mbreti skenës dhe filmit shqiptar Kadri Roshi ( majtas) dhe gazetari Bujar Qesja, në këtë kohë drejtor i teatrit “A. Moisiu” Durrës.
Foto është e 11 janarit, të vitit 2003.