Nga Dr. Ilir Allkja
Ne përgjithësisht kujtohemi për shëndetin kur gjërat përkeqësohen.
Në mbi 32 vite punë si mjek kam takuar shpesh pacientë, karshi të cilëve isha krejt i pazoti për ti ndihmuar.
Të tillë ishin dhe ata që kishin dëmtuar keq veshkat e tyre. Në këtë shkrim unë thjesht dua t’ju paralajmëroj në mënyrë që ju ti shpëtoni ato.
Simptomat e dëmtimit të veshkave përfshijnë:
Ënjtje (edema), veçanërisht në zonën përreth syve dhe në kyçe dhe këmbë, për shkak të tepricës së kripërave në gjak.
Shkumë gjatë urinimit, si rezultat i proteinave të tepërta në urinë.
Shtim në peshë për shkak të mbajtjes së lëngjeve dhe kripërave.
Lodhje kronike për shkak të pranisë së rritur të toksinave në organizëm.
Shumë sëmundje dhe faktorë dëmtues mund të shkaktojnë dëmtim fatal të veshkave:
Diabeti mund të çojë në dëmtim të veshkave (nefropatia diabetike).
Hipertensioni i patrajtuar mund të dëmtojë veshkat tuaja.
Disa medikamente anti-inflamatore si dhe disa antibiotikë dëmtojnë gjithashtu veshkat tuaja.
Disa infeksionet që rrisin rrezikun e sindromës nefrotike përfshijnë HIV, hepatitin B, hepatitin C, malaria etj.
Në qoftë se vëreni ndonjë shenjë që nuk shkon në shëndetin tuaj mos hezitoni të vizitoheni tek mjeku juaj.
Më mirë një vizitë (qoftë edhe kot) se sa të lejoni që problemet të akumulohen e zgjidhja e tyre të vështirësohet!
Kujdesuni për veten, shëndeti është i pari!
Dr. Ilir Allkja